Aktualitet

Nisi viti i ri akademik 2023-2024, studentët paralajmërojnë protesta dhe bojkote: Cilësia vjen në rënie

Sot ka nisur viti i ri akademik 2023-2024. Rreth 20 mijë studentë u ulën për herë të parë në auditorët e universiteteve. Por, ky vit akademik pritet të nisë me protesta dhe bojkote që në fillim të tij nga ana e studentëve të mjekësisë, në kundërshtim të ligjit që i detyron të punojnë 5 vite në Shqipëri.

Sot nisi viti i ri akademik 2023-2024. Rreth 20 mijë studentë do të ulen për herë të parë në bankat e universiteteve.


Në Universitetin e Mjekësisë janë plotësuar kuotat prej 450 studentë, mëgjithëse studentët e viteve të ndryshëm kanë paralajmëruar bojkot dhe protesta për shkak të ligjit që i detyron të punojnë në Shqipëri 5 vite pas përfundimit të studimeve.


Nga ana tjetër,  Universiteti Bujqësor i Tiranës, këtë vit ka arritur të marrë më shumë studentë. Ndryshe nga viti i kaluar, këtë vit në Universitetin Bujqësor nuk rrezikoi mbylljen e asnjë dege studimi sikurse ka ndodhur me disa universitete të rretheve. 


Këtë vit të rinjtë kanë shfaqur më tepër interes për degët që janë cilësuar si prioritet kombëtar nga qeveria, duke ofruar për studentët që do të regjistrohen, bursë ne vlerën e pagës minimale, pra 400 mijë lek në muaj.

Duket se ky vendim ka ndikuar tek maturantët për të parë me sy me pozitiv këto degë që vitet e fundit kishin mbetur në harresë.


Ndërkohë, teksa janë plotësuar vendet në mjekësinë e përgjithshme dhe arkitekturë, universitetet rajonale po vuajnë mungesën e të rinjve ku dhjetëra degë kanë zero studentë të regjistruar, sidomos ato programe studimi që të çojnë drejt mësuesisë, apo që lidhen me bujqësinë si dhe të rrezikuara janë shkencat sociale.


Në krahasim të kuotave të këtij viti me ato të vitit 2022, rezulton se në institucionet e arsimit të lartë në rrethe përgjithësisht vendet në auditorë për vitparistët janë ulur me rreth 300 kuota. Ndërsa këtij fenomeni ku aplikimet kanë qenë më pak se vende në dispozicion, që si rrjedhojë e bën më të lehtë rrugën për të fituar të drejtën për në universitet, nuk i ka shpëtuar as Universiteti i Tiranës.

Ky universitet pavarësisht se mbetet më i preferuar, sërish është prekur nga tkurrja e vendeve të lira për aplikime. Kryesisht këtë e ndjen Fakulteti i Shkencave të Natyrës, ku për shembull më konkretisht dega e kimisë në 2022 ka pasur 100 vende, këtë vit kuotat ishin 58, por në raundin e parë u regjistruan vetëm 4 studentë, e 54 vende mbeten bosh për raundin e dytë.


2023-shi e gjen Universitetin e Tiranës me 666 vende më pak për maturantët, krahasuar me vitin e shkuar ku kishte 4907 kuota për vitin e parë Bachelor, por që prej tyre mbetën të paplotësuara 1914 kuota. Ndaj kur vjet jo të gjitha vendet e lira u ezauruan nga të rinjtë, ky është sinjali që edhe panorama e këtij viti akademik nuk është shpresëdhënëse për numrin e studentëve.



Ministrja Manastirliu uron studentët dhe pedagogët për vitin e ri akademik

Në nisje të vitit të ri akademik, Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, u është drejtuar me një mesazh urimi studentëve dhe pedagogëve. 


"Sot nis një kapitull i ri në jetën e mbi 121 mijë studentëve në universitetet tona. Për mbi 20 mijë prej studentëve, ky është viti i parë. Kalimi nga gjimnazi në universitet shoqërohet me kaq shumë ndryshime, nis një erapë e re e jetës. Duhet kujtuar gjithmonë se dija është çelësi që i bën ëndrrat tuaja realitet, ndaj ky vit është fillim i ri. Një rrugëtim me mundësi të pafundme nis sot për ju. Përkushtojuni me energji, me kuriozitet, për të patur një të nesërme të ndritur, siç ne të gjithë, si prindër, si pedagogë i dëshirojmë për ju! Suksese të gjithëve",- shprehet Ministrja Ogerta Manastirliu në mesazhin e saj.


Së bashku me Ministren Manastirliu, kanë uruar bashkëmoshatarët e tyre edhe dy nxënëse të ekselencës që nisin sot universitetin, Anja Xifaj, e cila do të ndjekë studimet për arkitekturë dhe Airin Shestani, e cila do të ndjekë studimet për Inxhinieri Informatike.



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

600 Lexime
2 muaj më parë