Viti 2020-2021

Nisi viti i ri shkollor i pazakontë, 480 mijë nxënës dhe rreth 30 mijë mësues u janë rikthyer klasave, por me maska

Me maska, turne e protokolle sigurie kundër COVID-19, kështu ka nisur sot viti i ri shkollor 2020-2021, ku rreth 480 mijë nxënës janë ulur në bankat e shkollave, ndonëse në një situatë aspak të zakonshme, ndërsa rreth 30 mijë mësues do të jenë të angazhuar për misionin e dijes.

Ka nisur sot viti i ri shkollor 2020-2021, ku rreth 480 mijë nxënës janë ulur në bankat e shkollave, ndonëse në një situatë aspak të zakonshme. Për shkak të situatës nga pandemia e koronavirusit, në shkolla do të ndiqen një protokoll i veçantë sigurie, në mënyrë të tillë që të minimizohet përhapja e COVID-19. Ndërkohë mësohet se rreth 30 mijë mësues të angazhuar për vitin e ri shkollor.


Ndryshe nga vitet e tjera, ky vit shkollor do të zhvillohet për disa shkolla me 2, 3 apo dhe 4 turne, në mënyrë të tillë që fluksi i nxënësve të jetë më i vogël në klasa, pasi nëpër banka lejohet vetëm nga një fëmijë dhe të pajisur detyrimisht me maska.


Ministria e Arsimit ka gati një plan me 3 mundësi për këtë vit, që lidhet ngushtë me shëndetin e nxënësve dhe mësuesve. Nga mësimi në auditorë, ai i alternuar dhe ekstremi tjetër, krejtësisht “online”, të gjithë janë kureshtarë të shohin mbarëvajtjen e procesit. Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar, me anë të një lajmërimi për mediat, u shpreh se është hartuar një formular për prindërit, ku ata do të japin përgjigje në lidhje me gjendjen shëndetësore të fëmijës së tyre.

94 shkolla të vendit i rihapin dyert më vonë

Mësimi nuk do të nisë në të gjitha shkollat, pasi disa prej tyre janë në fazë rikonstruktimi për shkak të dëmtimeve nga tërmeti. Aktualisht, 94 shkolla nuk do të hapin dyert nesër por më vonë. Kjo për shkak se janë në proces rindërtimi pas dëmtimeve nga tërmeti i 26 nëntorit apo si rezultat i rikonstruksioneve të planifikuara më parë.


Shahini: Nxënësit i pret një normalitet i ri

Një ditë para nisjes së vitit të ri shkollor e rihapjes së klasave, Ministrja e Arsimit, Besa Shahini rikujtoi rëndësinë e masave anti-COVID. Shahini theksoi dje se “nxënësit i pret një normalitet i ri”. Që të ruhet shëndeti i të gjithëve e të sigurohet proces i mbarë shkollor, ministrja nënvizoi se duhet mbajtur maska, si dhe të respektohen distanca e të tjera rregulla. 


Kryeministri Rama uron nxënësit dhe mësuesit 

Kryeministri Edi Rama, teksa ka publikuar disa foto nga shkollat, ai u ka uruar nxënësve dhe mësuesve një vit të mbarë shkollor dhe me sa më shumë suksese. “MIRËMËNGJES, duke ju uruar nxënësve e mësuesve një vit të mbarë shkollor, pikësëpari me shëndet dhe patjetër edhe me rezultate sa më të mira”, shkruan Rama.


Viti i ri shkollor në Kosovë 

Viti i ri shkollor i pazakontë nisi sot dhe në Kosovë ku janë shpërndarë 500 mijë maska për nxënësit e mësuesit. Mbajtja e tyre është e detyrueshme, ashtu si respektimi i distancës e higjiena. MASH-i përmes një postimi në faqen zyrtare, ka treguar se si duken shkollat pak para fillimit të vitit të ri shkollor. Aty shihet se nxënësit i presin librat mbi banka, ndërsa janë marrë të gjitha masat për të dezinfektuar duart dhe paralajmërimet e vendosura nëpër dyer të klasave që të mbahet distanca, ndërsa nxënësit do të jenë të obliguar të mbajnë edhe maskën.


Kaltra Tafani 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,844 Lexime
3 vjet më parë