Rregulla

Nistoret “ngatërrestare” të gjuhës shqipe

Na ndodh shumë herë që, teksa shkruajmë një fjalë që fillon me këto nistore, mendohemi për pak çaste se cila është forma e saktë e tyre, p.sh.: shkruhet “shthur” apo “çthur”,“çlodh” apo “shlodh”, “zhbëj” apo “çbëj”, “shngjyros” apo “çngjyros”?

Shkarravit apo Zhgaravit?

Çlodh apo Shlodh?

Çbllokoj apo Zhbllokoj?

 

Si t’i shkruajmë saktë fjalët që fillojnë me nistoret “sh”, “zh” dhe “ç” ?

Na ndodh shumë herë që, teksa shkruajmë një fjalë që fillon me këto nistore, mendohemi për pak çaste se cila është forma e saktë e tyre, p.sh.: shkruhet “shthur” apo “çthur”,“çlodh” apo “shlodh”, “zhbëj” apo “çbëj”, “shngjyros” apo “çngjyros”?


Shumë herë ne gabojmë në shqiptimin ose në shkrimin e këtyre nistoreve (ose parashtesave), duke mos i njehsuar  ato me bashkëtingëlloren që ndiqen, kjo për efekt të lehtësisë të shqiptimit të tyre. Mirëpo këto nistore duhet të njësohen në përshtatje me natyrën e tingullit nistor të temës, së cilës i shtohet parashtesa.

 

Atëherë, të mbajmë mend!

1)     shkruhen me nistoren SH-, kur ajo ndiqet nga një temë që fillon me bashkëtingëllore të shurdhët (f, k, p, q, t, th etj.). Vetë SH-ja është e shurdhët, ndaj duhet të ndiqet po nga një bashkëtingëllore e shurdhët. Dhe kemi: shfajësoj, shfaq, shfaqje, shfaros, shfryj, shfrytëzoj; shkallmoj, shkarkoj, shkatërroj, shkëmbej, shkëput, shkombëtarizoj, shkreh, shkrep, shkrij, shkujdesem, shpalos, shpërdoroj, shpërndaj, shpjegoj, shprish, shpronësoj, shpyllëzoj; shqep, shqetësoj, shthur etj.

2)      shkruhen me nistoren ZH-, kur kjo ndiqet nga një temë që fillon me  bashkëtingëllore të zëshme (b, d, g, gj, v). Vetë ZH-ja është e zëshme, ndaj duhet të ndiqet po nga një bashkëtingëllore e zëshme. Atëherë kemi: zhbëj, zhbiroj, zhbllokoj, zhdëmtoj, zhdoganoj, zhdredh, (i, e) zhdrejtë, zhduk; zhgënjej, zhgërryej; zhgjakësohem, zhvat, zhvendos, zhvesh, zhvilloj, zhvleftësoj etj.

3)      Shkruhen me Ç-, kur kjo ndiqet nga një zanore ose nga një bashkëtingëllore e tingullt (l, ll, r, rr, m, n, nj, j). Atëherë kemi: çarmatos, çorganizoj, çorientoj, çliroj, çlodhem, çregjistroj, çrregulloj, çrrënjos, çmend, çmësohem, çnderoj, çngjyros, çnjerëzor, çjerr etj.

 

POR... KUJDES! Gjuha shqipe ka shumë rregulla, por po aq edhe përjashtime! Atëherë: shkruhen me SH- nistore fjalët: shmang, shlyej, shndërroj, shndrit (kur sipas rregullës duhet të shkruhen me ç) dhe ato që formohen prej tyre, për shkak të efektit të ngulitur.


(Përgatiti: Sevi (Lami) Agolli; Portali Shkollor)

11,304 Lexime
6 vjet më parë