Në shkollë

Një gur që do të rëndojë për tërë jetën!

"Ajo më thërret "zyshe", ndonëse nuk kam qenë mësuesja e saj në kuptimin klasik të titullit mësues. Unë e thërras thjeshtë Ale, sepse emri i saj është i gjatë dhe mua më pëlqejnë emrat e shkurtër. Me të flasim për librat. Adhuron klasikët..."

Ajo më thërret "zyshe", ndonëse nuk kam qenë mësuesja e saj në kuptimin klasik të titullit mësues. Unë e thërras thjeshtë Ale, sepse emri i saj është i gjatë dhe mua më pëlqejnë emrat e shkurtër. Me të flasim për librat. Adhuron klasikët, ndonëse kjo nuk është fort e zakonshme po të kemi parasysh 17 vitet e saj. Por si për t'iu rikthyer formatit të brezit, pëlqen Nozin dhe nis e këndon refrenet e tij të shëmtuara, sa herë unë shtrembëroj buzët kur ma pohon këtë gjë. 


Për t'i rënë shkurt, një ditë e pikëlluar, gjë e pazakontë gjithashtu për të, më tregon debatin që kishte patur me mësuesen e historisë.

Në pushim Ale këndonte rrepin e saj të preferuar. Mësuesja që mesa duket kalonte nëpër korridor, hap derën dhe e pyet:

-Pse ulëret?

Kundërshtimit të vajzës se ajo është njeri i qetë dhe njerëzit e qetë nuk ulërasin, mësuesja i lëshon bombën:

-Ti je njeri i qetë? Ju jeni njerëz të qetë? Ju jeni thasë me hormonë të neveritshëm. 

 

Kam menduar gjatë para se ta shkruaj këtë artikull. Kam reflektuar mbi pozicioni tim si mësuese dhe si nënë. Jo për të kuptuar motivet që i shtyjnë mësuesit të ngrenë dorën apo të lëshojnë fjalën, jo për t'u vënë në lëkurën e tyre, as për të bërë pohimin e zakonshëm se si bota ka ndryshuar, apo se si sot nuk ka më respekt reciprok etj., etj...U mendova gjatë sepse doja të gjeja fjalën e duhur, dhe shpresoj t'ia dal mbanë. 


Unë zgjohem çdo mëngjes duke qenë e ndërgjegjshme se nuk ka për të qenë e lehtë dita ime. Sepse do të më duhet të shpenzoj tërë energjitë e mia për ato qënie të rritura por edhe të vogla, që besojnë tek unë dhe që presin nga unë çdo ditë diçka të re, e cila shkon përtej procesit të mësimdhënies. Ne mësuesit nuk bëjmë betime si mjekët apo ushtarët, por çdo ditë i betohemi vetes dhe komunitetit se puna që bëjmë shkon përtej çdo disipline shkollore. 


Doktrina jonë është jeta.


Të zgjedhësh këtë punë, do të thotë të jesh i përgjegjshëm se roli ynë është në bazë të rritjes dhe zhvillimit të fëmijës dhe adoleshentit, se ajo që në transmetojmë është themeli i rëndësishëm mbi të cilin do të ndërtohet e ardhmja e secilit prej tyre. 


Të gjykojmë atë që ndodh më pas nuk është detyra jonë. Ne duhet të negociojmë dhe të kërkojmë të krijojmë një klimë të qetë bashkëpunimi midis Institucionit që përfaqësojmë dhe familjes. Nuk mund të justifikojmë lajthitjet tona me problemet e habitatit ku jetojmë. Kemi disa detyra për të përmbushur, madje puna jonë qëndron pikërisht në kërkesën për të ndryshuar dhe përmirësuar atë që është në vështirësi.  Mësues i mirë, nëse mund ta përdorim këtë emërtim, nuk është ai që arrin të formojë një fëmijë të punuar e të edukuar që më parë në familjen  e tij. Mësues i mirë është ai që merr pozicionin e dëgjuesit dhe i hap krahët atij që ka plot dyshime për veten. 


Me këtë nuk dua të vë gishtin tek mësuesja e historisë, ose të paktën jo vetëm tek ajo. Të gjithë provojmë lodhje, të gjithë gabojmë. Por duhet të jemi të përgjegjshëm për limitet tona, kufijtë, para se të ndodhin situata të tilla. Nëse nuk jemi më në gjendje të zhvillojmë punën tonë me dashuri, durim e tolerancë, atëherë  ka ardhur momenti të themi: Mjaft. 


Një shuplakë e dhënë nga një prind dhemb, por pas 5 minutash harrohet. Një shuplakë si ajo e mësueses së historisë është një gur që do të rëndojë për tërë jetën. 


(Nga Natasha Shuteriqi Poroçani, Portali Shkollor)

4,776 Lexime
6 vjet më parë