Një reflektim mbi verën e mësuesit shqiptar dhe shkollave verore

Ky reflektim i Fiqiri Çiflikut trajton sfidat dhe mundësitë e verës për mësuesit shqiptarë, duke propozuar shkollat verore si zgjidhje për mbështetje ndaj nxënësve, forcim të lidhjes me komunitetin dhe rritje të vlerësimit institucional për figurën e mësuesit.

Nga Fiqiri Çifliku


Portali Shkollor shtroi para disa ditësh një temë dite për ndjekësit, kryesisht mësues: Pushime apo punë sezonale? Nisur nga realiteti ekonomik i Shqipërisë po shtroj disa reflektime dhe zgjidhje të mundshme për këtë temë. Në fakt duhet parë e ndërlidhur edhe me vullnetarizmin si koncept, por që mbetet të trajtohet një herë tjetër në kuadër edhe të ndryshimeve që pritet të ndodhin në bazën ligjore që rregullon veprimtarinë vullnetare.


Çfarë ndodh aktualisht në Shqipëri? Gjatë verës, shumë mësues nuk pushojnë, por përfshihen në procesin e punësimit për vitin e ri shkollor, përmes portalit “Mësues për Shqipërinë”. Shumë janë të angazhuar me punë ende të pambyllura nëpër shkollat e tyre, si regjistrimet, raportimet, "dezhurni", shpërndarja e teksteve, provimet e vjeshtës, etj., etj. Të tjerë kërkojnë punë sezonale në sektorë si turizmi, tregtia apo bujqësia për të përballuar shpenzimet e jetesës. Një pjesë edhe pushojnë vërtetë.


Një pagë më dinjitoze është themeli i respektit institucional ndaj mësuesve, por ajo duhet të shoqërohet edhe me mundësi të zgjuara për angazhim sezonal, që nuk e shterojnë energjinë e mësuesit, por e kanalizojnë në forma të dobishme për komunitetin. Të tilla mund të jenë kampet verore, jo thjesht si “punë e dytë”, por si shpërblim në këmbim të mentorimit. Ky mund të jetë një model që mund të ndihmojë nxënësit me vështirësi në të nxënë, përmes mësuesve që i njohin, i kuptojnë dhe mund t’i udhëheqin me empati.


Nga ana tjetër fuqizon lidhjen mësues-komunitet, e cila ka pësuar një thyerje të fortë këto kohë. Këto aktivitete mund të sigurojnë të ardhura shtesë me dinjitet, pa pasur nevojë të largohet nga profesioni për të punuar në sektorë të tjerë. Shteti (MAS) dhe bashkitë mund të ofrojnë pagesa shtesë për mësuesit, në këmbim të angazhimit të tyre në kampe verore edukative, për të udhëhequr aktivitete që nxisin krijimtarinë, leximin dhe bashkëpunimin mes nxënësve.


Mund të jetë edhe aktivitet që siguron fonde edhe nga prindërit apo donatorë por që kërkon rregullime nënligjore jo si udhëzimi 11, në fuqi për përdorimin e financave të shkollave. Nga ky model , jo thjesht një “punë e dytë”, por një investim në drejtësi sociale dhe në cilësinë e edukimit, do të kishim disa përfitime konkrete pasi do të:


  • Siguronte të ardhura shtesë për mësuesit, pa i detyruar të largohen nga fusha e tyre.
  • Ndihmonte nxënësit që kanë më shumë nevojë për mbështetje gjatë verës.
  • Forconte lidhjen mes shkollës dhe komunitetit, duke e parë mësuesin si figurë kyçe edhe jashtë klasës.


Si mund të funksionojë kjo në praktikë?


Fond i dedikuar nga MAS, bashkitë ose donatorë për mësuesit që angazhohen në aktivitete edukative gjatë verës. Përzgjidhen mësues me përvojë në mentorim, ose që kanë nxënës me vështirësi. Mësues që janë me kontratë ose praktikantët në kampe dy deri në katër javë, ose sesione mentorimi disa herë në javë për nxënës në nevojë.


Për këto aktivitet mësuesit mund të kenë disa përfitime si pagesë shtesë, certifikim për zhvillim profesional, vlerësim në dosjen e performancës, etj. Shkolla verore është mundësi dhe një rrugë për rritjen e cilësisë së arsimit si vlerë kombëtare.


Në arsimin shqiptar, koncepti i shkollës verore ka filluar këtë vit në një numër të kufizuar shkollash dhe në një periudhë të shkurtër kohore dhe nuk mendoj se ka pasur si qëllim plotësimin e boshllëqeve dhe përmirësimin e njohurive. Nëse ky aktivitet mbetet formal, pa ndikim të thellë në cilësinë e arsimit, duke u kthyer në një shfaqje të jashtme me arritje të stisura, mund ta quaj si "veroren që nuk e mori dallëndyshja".


Për të kthyer arsimin në një vlerë kombëtare që na identifikon ndër kombet e botës, duhet të ndërmerren hapa të qartë dhe të qëndrueshëm për rritjen reale të profesionalizmit të mësuesve, si shtylla kryesore e arsimit cilësor. Trajnimet e vazhdueshme, përmirësimi i metodave pedagogjike dhe motivimi i tyre janë thelbësore për të krijuar një mjedis mësimor stimulues dhe efektiv.


Përmirësimi i kurrikulës dhe metodave të mësimdhënies të cilat duhet të jetë e orientuara drejt zhvillimit të aftësive kritike, krijuese dhe praktike, duke larguar qasjet tradicionale dhe të ngurta. Ambientet shkollore duhet të jenë të përshtatshme dhe të pajisura me teknologji moderne, duke krijuar kushte për mësim bashkëkohor dhe gjithëpërfshirës.


Gjithashtu duhet të vendosen mekanizma të qartë dhe të besueshëm për matjen e performancës së nxënësve dhe shkollave, duke shmangur vlerësimet formale që nuk reflektojnë realitetin. Një element që do të ndikonte ca më shumë me zgjerimin e aktiviteteve të shkollave verore është përfshirja e komunitetit dhe familjes. Bashkëpunimi i ngushtë midis shkollës, prindërve dhe komunitetit rrit mbështetjen dhe përgjegjshmërinë për edukimin e fëmijëve.


Në traditën tonë, kur verorja merret nga dallëndyshja dhe vendoset në fole, realizohen dëshirat dhe fillon një cikël i ri shprese dhe rritjeje. Kështu duhet të jetë edhe sistemi ynë arsimor, në një proces rigjenerimi, ku inovacioni dhe ndryshimi janë pjesë e pandashme e çdo periudhe arsimore, përfshirë edhe shkollën verore. Nëse duam që arsimi të jetë një e mirë kombëtare që na identifikon ndër kombet e botës, duhet të lejojmë dallëndyshen të fluturojë lirshëm në sistemin tonë arsimor, duke sjellë frymën e vërtetë të reformës dhe përmirësimit.



©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,116 Lexime
2 ditë më parë