Një takim mes qiellit dhe tokës, nga "Princeshëza e Hënës" tek "Udhëtimi kokëkrisës i fëmijës plastik"
Mes kujtesës së një fluturimi dhe fuqisë së letërsisë, Dr. Esmeralda Strori sjell një lexim kritik të romanit "Udhëtimi kokëkrisës i fëmijës plastik" të Virgjil Muçit. Një reflektim mbi dialogun e veprës me klasikët e letërsisë dhe vendin e saj në letërsinë shqiptare për fëmijë.
Nga Dr. Esmeralda Strori
Transoqeaniku kishte lënë pas vijën e bregut dhe tashmë rrëshqiste qetësisht mbi hapësirën e pafundme të reve.
Ishte udhëtimi im i dytë drejt Floridës, një rikthim në një vend që nuk më priste më me kureshtjen e së panjohurës, por me premtimin e përvojave të reja. Megjithatë, këtë herë udhëtimi kishte marrë një dimension tjetër. Në duar mbaja një libër artistik dhe pa e kuptuar po udhëtoja në dy drejtime njëherazi: drejt një destinacioni gjeografik dhe drejt një bote të krijuar nga fjala.
Ka diçka magjike në leximin gjatë fluturimit. Njeriu shkëputet përkohësisht nga ritmi i zakonshëm i jetës dhe ndodhet në një hapësirë kalimtare, ku mendja bëhet më e hapur ndaj emocioneve dhe imagjinatës. Ndoshta për këtë arsye kujtimi i një libri të lexuar në avion mbetet i lidhur pazgjidhshmërisht me kujtimin e vendit ku po shkon. Vitet kalojnë dhe shpesh nuk mbajmë mend çdo detaj të udhëtimit apo të rrëfimit, por ruajmë atë ndjesi të rrallë kur fjala artistike dhe përvoja jetësore takohen në të njëjtin çast.
Vepra më e re e Virgjil Muçit Udhëtimi kokëkrisës i fëmijës plastik vjen menjëherë pas suksesit të Princeshëzës së Hënës, një vepër që ka kapërcyer kufijtë e gjuhës shqipe përmes përkthimeve në greqisht dhe italisht dhe që ka dëshmuar se letërsia për fëmijë mund të komunikojë me sukses edhe përtej hapësirës kombëtare. Ato duket se përfaqësojnë një përpjekje të vetëdijshme për të pasuruar një fushë që prej kohësh ka pasur nevojë për frymëmarrje të re në letërsinë shqiptare për fëmijë. Në një realitet ku shpesh letërsia për të vegjlit reduktohet në funksionin argëtues, Virgjil Muçi zgjedh një rrugë tjetër. Ai kontribuon në mbushjen e një boshllëku të ndjeshëm në letërsinë shqiptare për fëmijë, duke sjellë vepra që shkojnë përtej karakterit çlodhës dhe zbavitës të leximit. Fëmija në krijimtarinë e tij nuk paraqitet si figurë pasive që pret të mësojë nga bota e të rriturve, por si një identitet më vete, me individualitet, me pyetje, me dilema dhe me aftësi për të përballuar realitetin sipas logjikës së tij.
Në të vërtetë, njohja ime me autorin nuk ka filluar nga takimi me njeriun, por nga takimi me librat. Që në fëmijëri kam hyrë në botët e krijuara nga Astrid Lindgren, Charles Dickens apo Agatha Christie përmes përkthimeve të Virgjil Muçit. Aventurat e Pipi Çorapegjata, rrugëtimet e Djemve të Rrugës Pal, atmosfera e paharrueshme e Këngës së Krishtlindjes, misteret e Vrasje në Trenin Orient Ekspres, Vdekje në Nil apo Dhe nuk mbeti më askush ishin pjesë e peizazhit tim të hershëm letrar. Atëherë nuk mendoja për emrin e përkthyesit. Mendoja vetëm për magjinë e letërsisë. Sot, duke parë pas, kuptoj se një pjesë e rëndësishme e edukimit tim si lexuese ka kaluar përmes punës së tij.
Një nga aspektet më tërheqëse të Udhëtimit kokëkrisës të fëmijës plastik është mënyra sesi romani hyn në dialog me disa prej veprave themelore të letërsisë botërore për fëmijë dhe të rritur. Autori deklaron haptazi në fund të librit burimet që kanë ushqyer imagjinatën etij, duke i orientuar edhe lexuesit drejt një leximi ndërtekstual.
Ndikimi nga Karlo Kolodi dhe Aventurat e Pinokut ndihet para së gjithash në ndërtimin e protagonistit. Ashtu si Pinoku, edhe Fëmija plastik nuk është thjesht një personazh aventuresk. Ai përfaqëson një qenie në proces formimi, që mëson për botën duke kaluar nga një provë në tjetrën. Megjithatë Virgjil Muçi e rimerr modelin e Kolodit, për ta transformuar atë. Nëse Pinoku prej druri simbolizon kalimin nga papjekuria drejt përgjegjësisë, fëmija plastik është produkt i një qytetërimi tjetër. Ai lind në epokën e materialeve, të konsumizmit dhe të teknologjisë. Kështu metafora ndryshon bashkë me kohën.
Po aq i dukshëm është dialogu me Xhonathan Suift dhe Udhëtimet e Guliverit. Edhe këtu udhëtimi nuk është vetëm lëvizje në hapësirë. Ai shërben si instrument për të vëzhguar shoqërinë, për të zbuluar absurditetet e saj dhe për të vënë në provë mënyrën sesi e kuptojmë realitetin. Ashtu si Gulivieri, edhe protagonisti i veprës, përmes elementit fantastik, zbulon një botë plot dilema të njeriut bashkëkohor.
Një tjetër jehonë letrare vjen nga Daniel Defo me Robinson Kruzo. Tek të dy autorët udhëtimi shndërrohet në proces mbijetese dhe vetënjohjeje. Megjithatë në romanin e Muçit theksohet edhe më shumë sfida e mbijetesës morale dhe shpirtërore në një botë që rrezikon të humbasë lidhjen me natyrën dhe vetveten.
Këto ndikime nuk e zbehin individualitetin e romanit. Përkundrazi, ato dëshmojnë se Udhëtimi kokëkrisësi fëmijës plastik ndërton një dialog krijues me klasikët, duke i rimenduar motivet e tyre në funksion të shqetësimeve të shekullit të XXI. Pikërisht këtu qëndron një nga risitë më të rëndësishme të veprës; ajo e vendos letërsinë shqiptare për fëmijë në një bashkëbisedim të natyrshëm më traditën universale, pa humbur zërin e saj origjinal.
Në këtë kuptim, romani nuk është vetëm një histori aventureske. Ai është një reflektim mbi identitetin, mbi marrëdhënien e njeriut me qytetërimin që ka ndërtuar dhe me nevojën për të rikthyer humanizmin në një botë gjithnjë e më artificiale. Prandaj, Udhëtimi kokëkrisësi fëmijës plastik mund të lexohet si një urë komunikimi midis klasikëve të letërsisë botërore dhe shqetësimeve të lexuesit të sotëm.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Planet mësimore dhe librat e mësuesit për tekstet shkollore të Albas Kosovë
“Hajdi”, vjen në shqip me përkthimin e papërsëritshëm të Afrim Koçit
ALBAS 25 vjet, një rrugëtim që bashkon hapësirat shqiptare përmes librit dhe dijes