Distopia e ndërgjegjes plastike

Një vështrim mbi romanin më të ri të Virgjil Muçit: “Udhëtimi kokëkrisur i fëmijës plastik”

Romani më i ri i Virgjil Muçit, “Udhëtimi kokëkrisur i fëmijës plastik”, vjen në fokusin e kritikës letrare nga Xhoina Salaj si një vepër filozofike mbi konsumizmin, krizën ekologjike dhe tjetërsimin njerëzor. Një rrëfim simbolik ku fantazia ndërthuret me një alarm për ndërgjegjen moderne.

 

Nga Xhoina Salaj


Në lëmin e letërsisë shqipe bashkëkohore, Virgjil Muçi vjen sërish me një projekt sa provokues, aq edhe filozofik. Romani i tij më i fundit, "Udhëtimi kokëkrisur i fëmijës plastik" (Albas, 2026), kapërcen kufijtë e një rrëfimi të zakonshëm aventure dhe fantazie, për t'u shndërruar në një parabolë të fuqishme për epokën e konsumit, tjetërsimin njerëzor dhe krizën ekologjike që po gjymton planetin.


Rrëfimi hapet me një skenë sa realiste, aq edhe tronditëse: lindja e një fëmije me peshë normale (tre kilogramë e tetëqind gramë), por me një anomali të frikshme - një epidermë krejtësisht transparente, si celofani, përmes së cilës mund të shquhen organet në funksionim e sipër. Përmes një debati shkencor e cinik midis mjekëve të pavijonit, Muçi shtron diagnozën e shoqërisë moderne: me ç’duket, kjo krijesë nuk është trill i natyrës, por produkt i një martese perverse të natyrës me industrinë. Plastika, mikroplastika që ka depërtuar në placentë dhe në lëngun amniotik, ka krijuar një simbiozë të re biologjike.


Reagimi i të atit, i cili e quan foshnjën "monstër" dhe kërkon ta izolojë në një institucion, dhe braktisja e menjëhershme e familjes, e vendos tonin e ftohtë të një shoqërie që refuzon të përballet me pasojat e mbetjeve të veta. 


Në pjesën e dytë, romani pëson një thyerje interesante stilistike duke kaluar në rrëfim në vetë të parë. Protagonisti, tashmë i vetëdijshëm për ndryshimin e tij, na udhëheq përmes zbulimit të vetvetes. Skena para pasqyrës në orën e anatomisë me shoqen e tij të fëmijërisë, Sarën, është sa naive, aq edhe prekëse. Ajo zbulon magjinë dhe tmerrin e të qenit i tejdukshëm në një botë që jeton duke ndërruar maskat.


I maskuar me një parukë të punuar nga flokët e së ëmës, me syze dielli dhe dorashka - si një njeri i padukshëm modern - djaloshi plastik ndërmerr një arratisje kokëkrisur nga shtëpia. Ky udhëtim nuk vjen vetëm si largim nga dhuna psikologjike e një njerku apo paaftësia e të rriturve për të komunikuar me shoshokun, por më shumë ngjizet nga dëshira për zanafillën dhe rebelimin ndaj një bote ku të rriturit ndryshe thonë, e ndryshe bëjnë.


Aspekti më magjepsës i romanit zë fill kur fëmija plastik braktis qytetin dhe hyn në park (në pyllin që mendja e tij e quan "Pylli i Sherudit"). Këtu, Muçi përdor me mjeshtëri elemente të realizmit magjik dhe fabulës:


Pema: një qenie babaxhane, filozofe dhe mbrojtëse, që flet gjuhë të huaja (frëngjisht e spanjisht) dhe refuzon krahasimet me monarkët. Ajo bëhet streha e tij, nëna e dytë që e mbron nga lukunia e lugetërve në një natë makthi ku zjarri shuhet nga një gjest sa fëmijëror, aq edhe çmitizues (urinimi i fëmijës mbi zjarrin e djajve).


Korbi: një personazh me shije të veçantë, i dhënë pas antikuarëve, i cili ka mësuar gjuhën e njerëzve nga një grua që i lexonte poezi.


Ky dialog midis fëmijës plastik (krijesës artificiale të krijuar nga njeriu) dhe Natyrës (Pemës dhe Korbit) shpërfaq kritikën më të mprehtë të autorit ndaj njerëzimit. Siç shprehet vetë Pema: “Njerëzit janë të koklavitur si rrënjë drunjsh në pyll... Madje janë qeniet më të pafrytshme mbi faqe të dheut.”.


Përpjekja e fëmijës plastik për t'u shndërruar në një Robin Hud me hark e shigjeta për të mbrojtur të varfrit dështon përballë një realiteti ku të pasurit e kësaj bote nuk shëtisin pyjeve, po udhëtojnë me avionë privatë, jahte luksoze dhe automobila të shtrenjtë.


Me një stil që ndërthur ironinë e hollë, humorin e zi dhe një ndjeshmëri të thellë njerëzore, Virgjil Muçi krijon një roman-alarm për të gjitha moshat. “Udhëtimi kokëkrisës i fëmijës plastik” vjen si një pasqyrë celofani ku mund të shohim organet, por mbi të gjitha, kalbëzimin e ndërgjegjes sonë mjedisore dhe shoqërore. 


Një lexim i domosdoshëm për vitin 2026, ku transparenca sa vjen e fashitet, ndërsa maskat veç shtohen nga dita në ditë. 



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

122 Lexime
6 orë më parë