Planifikimi i orës së mësimit

Orë model, gjuha shqipe 3

Kjo orë model është shkëputur nga libri i mësuesit të gjuhës shqipe 3, i përgatitur nga Shtëpia Botuese Albas. Për të shkarkuar të plotë librin e mësuesit klikoni në albas.al.

Fusha: Gjuha shqipe 

Lënda: Gjuha shqipe 3 

Shkalla:

Klasa: III

Tema mësimore: Dy hartimet (A. Raskin)

Kompetenca: Lexojmë

Situata e të nxënit: Paraqitet me foto ose shkruhet në një fishë emri i shokut / shoqes më të ngushtë.


Rezultatet e të nxënit të kompetencave sipas temës mësimore:


Nxënësi/ja:

• lexon pjesën për ta kuptuar dhe me intonacion;

• ritregon duke veçuar mesazhin e pjesës;

• tregon përvoja vetjake, që kanë lidhje me temën.


Fjalët kyç: ndihmë, vrau mendjen, e hedh në të pastër

Burimet: Libri i nxënësit, foto të shokut apo të shoqes më të ngushtë, ose fisha me emrat e tyre.


Lidhja me fushat e tjera: Shoqëria dhe mjedisi, artet

Metodologjia dhe veprimtaritë e nxënësve: Diskutim idesh, lexim i drejtuar, punë individuale, zinxhiri i shkaqeve.


Organizmi i orës së mësimit

Hapi I / Mësuesi / ja lexon vargjet:

Dy shokë të ngushtë jemi,

njëri-tjetrin shumë e duam,

ndonjëherë edhe gabojmë,

kur detyrat ia tregojmë.

Më pas, drejton pyetjet:

- Si i kuptoni këto vargje? (Shokun e ngushtë e ndihmojmë në rrezik e nevojë, por kurrë s’duhet ta mësojmë që detyrat t’i kopjojë.)

Lihen nxënësit që të shprehen lirshëm mendimet e tyre. Secili nxënës shkruan emrin e shokut/shoqes më të ngushtë në një fishë.


Mësuesi/ja pyet: Tregoni ndonjë rast kur jeni mërzitur me njëri-tjetrin.


Hapi II

Njihen nxënësit me temën e mësimit “Dy hartime”.

Bëhet leximi i pjesës me ndalesa. Për çdo ndalesë nxënësve u drejtohen pyetje parashikuese dhe “Si mendoni...?”.


Ndalesa 1. Besi... shoku-shokun.

- Si quhej shoku i ngushtë i Besit?

- Pse e quanin njëri-tjetrin shokë të ngushtë?

- Si e ndihmonin ata njëri-tjetrin?

- Si mund të vazhdojë miqësia e tyre?


Ndalesa 2. Ditën e dytë... – Ja, për këto shkruaj, – i tha Besi.

- Çfarë u kërkoi mësuesja ditën e dytë të shkollës?

- Pse ishte i shqetësuar Redi?

- Ç’bëri Besi?

- A u mjaftua me këtë lloj ndihme Redi?


Ndalesa 3. Redi ... po mbaron ora.

- Çfarë shkruante Redi në hartim?

- Pse nuk e pëlqeu Besi përshkrimin e Redit?

- Si veproi Besi për të ndihmuar shokun?

- A ju duket zgjidhje e mirë, veprimi i Besit? Pse?


Ndalesa 4. Besi ... të flisnin.

- Si veproi Besi më pas?

- Si ishte hartimi i dytë i Besit?

- Cilin hartim pëlqeu mësuesja? Cilin jo?

- Si e kuptoni mbylljen e tregimit: “Të dy shokët u panë sy më sy dhe s’guxuan të flisnin.”


Gjatë leximit të pjesës mësuesi/ja shpjegon fjalët apo shprehjet që nxënësit nuk i kuptojnë.

Leximi i pjesës mund të bëhet në zinxhir ose me role (Redi, Besi, mësuesja, autori).


Mesazhi i pjesës: Ndihmë nuk quhet kopja e detyrave, por mënyra e duhur për t’ia shpjeguar shokut apo shoqes gjërat e paqarta.


Hapi III

Ritregohet pjesa nëpërmjet pyetjeve të tekstit. Plotësohen pyetjet e rubrikës “Po ti?”

Që të jetë i bukur shkrimi yt duhet:

- të tregohen me emocion gjërat që të kanë ndodhur;

- të shkruhet saktë përshkrimi i personazheve, vendi, veprimet e kryera.


Gjej në tekst fjalinë, ku tregohet se Redi nuk donte t’i bënte dëm Besit. (“Ndërsa ti shkruaj hartimin tënd, sepse po mbaron ora.”)


Hapi IV

Shkaku:

 - Besi përgatiti hartimin e shokut dhe la pas dore të vetin. 


Pasoja: 

- Mësuesja e vlerësoi hartimin e Besit si më të dobëtin.

- Ajo e lexoi para klasës hartimin e Redit, si më të mirin.

- Shokët nuk guxuan të tregojnë të vërtetën.


Vlerësimi i nxënësve: Bëhet vlerësimi i nxënësve për rezultatet e arritjeve duke u mbështetur në rezultatet e të nxënit.


Detyrë: Përmblidhni në 3-4 fjali, se cila është ndihma më e mirë që mund t’i japim shokut / shoqes. 


(Portali Shkollor)

10,722 Lexime
6 vjet më parë