Fushata “Zgjidh Zanatin”

Orientimi drejt arsimit profesional, Manastirliu: Transferim pa burokraci nga gjimnazi në shkollat profesionale

Nga Shkolla “Sadi Nuri” në Ndroq, Ministrja e Arsimit dhe Sportit theksoi se, deri në muajin dhjetor, nxënësit e klasave të 10-ta, që duan të zgjedhin një zanat, mund të transferohen nga gjimnazi, në shkollat profesionale.

“Nxënësit që sapo kanë nisur gjimnazin dhe që e shohin si zgjidhje arsimin profesional, mund të transferohen pa burokraci në shkollat profesionale brenda muajit dhjetor”. Deklarata u bë nga Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastriliu, gjatë një aktiviteti të organizuar në shkollën “Sadi Nuri” në Ndroq, me prindër, nxënës, mësues, përfaqësues të biznesit dhe partnerët e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, në vijim të fushatës së ndërgjegjësimit “Zgjidh Zanatin”, për orientimin e nxënësve drejt arsimit profesional, si çelësi i suksesit për punësimin e sigurt.


Ministrja e Arsimit dhe Sportit e vuri theksin tek orientimi i drejtë i të rinjve, nga bashkëpunimi mes mësuesve, prindërve dhe vetë nxënësve, për t’i dhënë një hov të ri zgjedhjes së arsimit profesional dhe mundësisë për t’u aftësuar dhe për të zhvilluar aftësitë në zanatet më të kërkuara nga tregu i punës. “Me fushatën ‘Zgjidh Zanatin’ jemi të angazhuar për të orientuar fokusin dhe për të nxitur të rinjtë drejt një zanati, drejt një profesioni të sigurt, ndaj, kemi vendosur që të lëmë një periudhë, e cila është deri në fund të dhjetorit të çdo viti shkollor, ku nxënës të cilët kanë filluar vitin e parë të gjimnazit, pra klasën e 10-të,  të  cilët shohin që e kanë të vështirë ose nuk e gjejnë shumë veten tek lëndët e gjimnazit, tek ato të përgjithshmet, duan të shohin më mirë një drejtim profesional, të mundet ta bëjnë atë, duke u regjistruar direkt në shkollat profesionale të rrethit ose dhe në shkolla profesionale, ku ata vlerësojnë që dega apo profesioni që do të marrin të nesërmen është edhe e një cilësie të lartë si shkollë, duke u orientuar drejt arsimit profesional nga mësuesit në shkollë”, - theksoi Manastirliu.


Ministrja Ogerta Manastirliu foli edhe për fuqizimin e bërthamës së këshillimit të karrierës në shkolla, me ekspertë të fushës, duke zgjeruar kurrikulën nga klasa e gjashtë, për të identifikuar në kohë prirjet e fëmijëve.


“Instrumentet që ne kemi krijuar për bërthamën e këshillimit të karrierës për këtë mekanizëm të ri, i cili tashmë është në zbatim e sipër, do të na ndihmojë ne që çdo vit, të kuptojmë ku janë prirjet e nxënësve tanë, cili ka prirje për shërbime, për marangoz, hidraulik, për t’u marrë me bujqësi. Bërthama e këshillimit të karrierës tashmë vjen si një kurrikul e plotë nga klasa e gjashtë deri në klasën e nëntë”, theksoi Manastirliu.


Zv/ përfaqësuesja e UNICEF në Shqipëri, Edina Kozma e ka konsideruar bashkëpunimin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, frytdhënës për orientimin e nxënësve drejt arsimit profesional.


“Jemi shumë të kënaqur që disa nga rekomandimet e dialogut tonë të përbashkët janë pjesë e rekomandimeve të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, për shembull, të filluarit e zhvillimit të karrierës që herët. UNICEF do të jetë krah Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për zhvillimin e arsimit profesional”, - tha Kozma. 


Në shkollën “Sadi Nuri” në Ndroq, është mirëpritur nga mësuesit, nxënësit dhe prindërit fushata e komunikimit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për orientimin drejt arsimit profesional, fushatë e cila do të vijojë në të gjithë vendin. Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, përfaqësues të biznesit, drejtues dhe përfaqësues të drejtorisë arsimore dhe të arsimit profesional, nxënës dhe mësues të shkollave profesionale dhe shkollave të arsimit të përgjithshëm.



©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

550 Lexime
5 muaj më parë