PANAIRI I LIBRIT

Panairi i 23-të i Librit, mes pandemisë dhe librit

Sot çeli siparin Panairi i 23-të i Librit, Tirana 2020, i cili këtë vit vjen në formatin online. Nga data 12 deri më 30 nëntor, ju do të keni mundësi të blini online me ulje librat tuaj të preferuar.

Për shtëpinë botuese Albas, ky Panair vjen i trishtë, pas humbjes së presidentit të kompanisë, Z. Latif Ajrullai. Prandaj këtë vit e hapëm me një video në kujtim të tij. Panairi i Librit do të vazhdojë të jetë festë për familjen e madhe ALBAS! Ne do të vazhdojmë traditën e botimeve të të gjitha kategorive dhe për të gjitha moshat. 


Stenda jonë virtuale këtë vit sjell kryevepra të klasikëve botërorë, bestsellera, libra studimorë, si dhe libra për fëmijë. 


Serisë “Më quajnë...” i shtohet titulli më i ri, “Më quajnë Edison”, nga Latif Ajrullai, i shoqëruar me ilustrime tërheqëse nga Semela Mero. Fantazia fëminore merr krahë në librin “Udhëtim në botën e planetit Arbër” nga Luan Rama, i vlerësuar gjithashtu me çmim nga Qendra e Librit dhe e Komunikimit me motivacionin: “Për temën interesante, sa kombëtare aq edhe universale që trajton dhe gjuhën e pëlqyeshme e të kuptueshme për fëmijët”.


Aventurat e “Tuli-turtulit”, breshkës me një këmbë druri, në pyllin jo të zakonshëm të Zgavradorit vijnë për të gjithë fëmijët rrëfyer mjaft bukur nga Edi Gogu dhe shoqëruar me ilustrime plot ngjyra nga Tiziana Lohja dhe Ildi Hoxha. Në këtë pyll jetojnë kafshët, nga ato që ta rrëmbejnë zemrën dhe të bëjnë t'i duash, pasi udhëhiqen nga një forcë e madhe: dashuria.


ALBAS risjell në duart e vocërrakëve tri thesare të paçmueshme të klasikut të letërsisë për fëmijë Bedri Dedja. “Heroizmat e Fatbardh Pikaloshit”,(7+), “Një udhëtim i rrezikshëm”, (9+), dhe “Presidenti i Planetit të Kuq” (11+) vijnë me një botim special, të shoqëruara me ilustrime fantastike. Shkrimtari Bedri Dedja është cilësuar me të drejtë si Babai i Letërsisë Shqipe për fëmijë, është edhe një figurë e shquar e letrave shqipe. Heronjtë protagonistë të universit letrar të Bedri Dedjes janë gjithmonë fëmijët. Por nën petkun e kësaj letërsie, autori fsheh tema të mëdha dhe mesazhe që u flasin lexuesve të çdo moshe. Si njohës i thellë i botës së fëmijëve, ai ka ditur t'i përshtatet me mjeshtëri kërkesave të tyre, duke u folur në çdo kohë me gjuhën e heronjve të lodrave të tyre.


“Aventurat e Tom Sojerit”, Mark Twain, dhe “Gostia e konteshës Berta”, Alexandre Dumas, i shtohen serisë së mrekullueshme të klasikëve për të rritur, përkthyer nga Anxhela Cikopano dhe Amantia Kapo.


Pas përkthimit në 153 gjuhë të botës, më në fund përrallat e Andersenit vijnë në shqip nga shtëpia botuese "Albas" të përmbledhura në këtë botim special, përkthyer me mjeshtëri nga Klodian Briçi. Përrallat e Andersenit janë një trashëgimi e mrekullueshme e letërsisë për fëmijë, por edhe për të rritur. Ato shpalosin mençurinë dhe filozofinë e vendit të tij dhe popujve që njohu dhe vizitoi.


“Infiniti blu” i autores dhe astrofizikanes Mimoza Hafizi është një roman shkencor i lëvruar shumë pak në letërsinë shqipe, por shumë i nevojshëm për t’ua bërë të dashur lexuesve astronominë dhe fizikën. Gërshetimi i të dhënave shkencore për infinitin dhe pafundësinë e bën librin shumë tërheqës, teksa lexuesi fiton informacion të pasur shkencor ndërthurur me rrëfimin artistik.


Serisë së librave motivues i shtohen dy tituj të tjerë nga bestselleri Robin Sharma, “Murgu që shiti Ferrarin” dhe “Kush do të qajë kur të vdesësh”. Gjithashtu, autori ka sjellë një përshëndetje të veçantë dedikuar lexuesit shqiptar.


Libri psikologjik “Selfie: Uni i unit - Si u bëmë kaq të marrosur pas vetes dhe çfarë trajte po marrim”, nga Will Storr, është një histori e vetes sonë që nga kohërat më të hershme (kur jemi përpjekur të rrisim statusin tonë brenda fisit) deri te vetja jonë e tanishme (e uritur për risitë teknologjike). Libri është përkthyer nga Era dhe Adela Buçpapaj, duke i qëndruar besnik stilit të autorit e njëkohësisht duke e përshtatur me një gjuhë sa më të kuptueshme për lexuesin. 


Një nga autorët më të rëndësishëm amerikanë, John Updike, i vlerësuar me çmimin Pulitzer , vjen në shqip në përkthimin mjeshtëror të Granit Zelës, me “Lepur, vrapo”, romani i parë i tetralogjisë së Lepurit, që do të pasohet nga tre titujt e tjerë. 


Vëllimi “Poezi të zgjedhura” është një përmbledhje poezish e zërit lirik më të guximshëm dhe më të angazhuar të Irlandës, Thomas Kinsella-s, në serinë BOMBE të Creative Europe.


I shkruar nga zonjushë Kafka apo Kafka grua e letërsisë gjermane, siç është quajtur nga kritika Ilse Aichinger-i, romani “Shpresa më e madhe”, i përkthyer nga Anna Kove, është renditur ndër 100 librat më të bukur të shekullit XX.


Ky roman na rrëfen magjishëm se njeriu nuk duhet t’i humbasë kurrë besimin dhe ëndrrat e tij se qielli diku do të jetë vetëm i kaltër…


Serisë së librave kulturologjikë i shtohet një titull tjetër, “Fabrikimi i bindjes përmes politikave të medies” nga Edward S. Herman dhe Noam Chomsky, i përkthyer nga Linda Mëniku. Në këtë libër, lexuesi do të gjejë një trajtim shumë interesant se si politikat editoriale të medieve ndikojnë përgjithësisht në “fabrikimin” e bindjeve të njerëzve, duke iu përgjigjur politikave të ditës.


Pas “100 fotografive që ndryshuan botën”, Albas sjell për lexuesin albumin “50 gratë më me ndikim të epokës sonë”, i cili përfshin 50 gra të pazakonta (të përzgjedhura mes qindra të tjerave) që sfiduan me sukses shekujt e mbushur me paragjykime dhe rishkruan rregullat. Vjen në shqip nga përkthyesja Ornela Islami,


“Estetika e romantizmit” e autorit Paolo D’angelo, i përkthyer nga Eldon Gjika, është një sintezë e qartë e origjinalitetit të kontributit që i ka dhënë lëvizja romantike filozofisë së artit.

Nga mjeshtri i diplomacisë, Shaban Murati, Albas sjell “Antitabu”, këshilla për miqtë. 

 

Si gjithmonë, shtëpia botuese Albas mbështet shkrimtarët e rinj. Në Panairin e këtij viti sjell për ju “librin e kujtimeve dhe të harresës” nga Suad Arilla dhe “Të vdesësh nën diell” të Ervin Nezhës, të vlerësuar me çmime edhe nga Qendra e Librit dhe e Komunikimit, përkatësisht fitues të “Fondit të krijimtarisë letrare për të rinj” dhe i Librit të Karantinës.


Na vizitoni në faqen tonë të internetit www.albas.al, si dhe porositni online në www.librarialbas.al, https://bukinist.al/panairi-online/publisher/albas/ ose zgjidhni shtëpinë botuese Albas në aplikacionin Panairi i librit, që mund ta shkarkoni në Play store ose App Store.



©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,585 Lexime
3 vjet më parë