“Pas Shkolle” hap thirrjen për trajnuesit, aplikimet nga 1 deri më 10 shtator - Ja kriteret dhe procedurat

Nga 1 deri më 10 shtator 2026 hapet thirrja për trajnuesit e programit “Pas Shkolle”. Ja kush mund të aplikojë, kriteret e përzgjedhjes, fushat ku kërkohen trajnues, pagesa prej 1,000 lekësh/orë dhe datat e procedurës për vitin shkollor 2026-2027.


Nga 1 deri më 10 shtator 2026 do të jetë e hapur thirrja për aplikime për trajnuesit që do të angazhohen në programin “Pas Shkolle” gjatë vitit shkollor 2026-2027. Thirrja është publikuar nga Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar (AKAP), ndërsa kriteret, mënyra e përzgjedhjes, pagesa dhe financimi i programit përcaktohen në vendimin e ri të Këshillit të Ministrave.


“Pas Shkolle” zhvillohet jashtë orarit të mësimit të detyruar dhe synon të mbështesë nxënësit jo vetëm në përforcimin e njohurive, por edhe në zhvillimin e aftësive sociale, sportive, kulturore dhe krijuese.


Trajnuesit mund të angazhohen në fusha si “Bëjmë detyrat e shtëpisë”, muzikë, teatër, kërcim, zeje dhe arte pamore. Në varësi të profilit dhe përvojës, kandidatët mund të aplikojnë për një ose më shumë fusha.


Sipas dokumenteve zyrtare, në proces mund të marrin pjesë mësuesit e arsimit parauniversitar publik, kandidatë që kanë konkurruar në “Mësues për Shqipërinë” dhe janë në listën e pritjes, ish-mësues në pension, si dhe persona me formimin përkatës në fushat e arsimit, artit, kulturës dhe zejeve.


Përzgjedhja do të bëhet mbi bazën e një sistemi pikëzimi me maksimum 30 pikë, ku vlerësohen arsimi dhe mesatarja, kualifikimet, trajnimet, përvoja profesionale dhe, për kategoritë përkatëse, portofoli i punëve apo krijimeve.


Një nga kriteret e rëndësishme është përparësia e mësuesve të profileve përkatëse që punojnë në vetë institucionin ku do të zhvillohet programi. Për aktivitetet e mbështetjes në të nxënë, përparësi kanë mësuesit e arsimit fillor të shkollës.


Angazhimi i trajnuesve parashikohet për periudhën 1 tetor 2026 - 18 qershor 2027, ndërsa pagesa është 1,000 lekë për çdo orë aktiviteti, jashtë orarit të mësimit të detyruar. Për mësuesit e punësuar në shkollat publike, kjo pagesë nuk përfshihet në pagën mujore dhe nuk ndikon në ngarkesën e tyre mësimore.


Pas përfundimit të aplikimeve më 10 shtator, kandidatët do të vlerësohen gjatë periudhës 11-17 shtator, ndërsa afati për ankimet është 18-23 shtator. Shqyrtimi i ankesave do të zhvillohet më 24-25 shtator, përpara vijimit të procedurave për lidhjen e kontratave.


Të gjitha kriteret e detajuara, dokumentet që kërkohen për secilën kategori, mënyra e aplikimit dhe ndarja territoriale sipas ZVAP-ve janë përcaktuar në dokumentet zyrtare.


Portali Shkollor i publikon të plotë, në PDF, të dy dokumentet për t’u ardhur në ndihmë të gjithë kandidatëve që duan të aplikojnë.


Vendimi i ri nr. 627, datë 30.07.2026, zëvendëson vendimin e mëparshëm të vitit 2022 për programin “Pas Shkolle”.



Thirrja për trajnuesit në programin “Pas shkolle”


VKM Nr. 627, datë 30.7.2026 “Për miratimin e organizimit dhe zhvillimit të programit “pas shkolle” të kategorive, kritereve dhe mënyrës së përzgjedhjes, shpërblimit të trajnuesve, si dhe mënyrës së financimit të këtij programi


© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

240 Lexime
17 orë më parë