"Pas Shkolle", nis pilotimi në 46 shkolla të Tiranës

Sipas Ministrisë së Arsimit, programi "Pas Shkolle" ka nisur pilotimin në 46 shkolla të Tiranës, duke e kthyer shkollën në një hapësirë edukimi, arti, sporti dhe bashkëpunimi edhe përtej orarit mësimor. Nisma synon zhvillimin e talenteve dhe një mjedis më të sigurt për nxënësit.

Ka nisur pilotimi i programit “Pas Shkolle” në disa nga shkollat e kryeqytetit. Lajmi është bërë i ditur nga Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, nëpërmjet një postimi në faqen e saj zyrtare.


"Nga kjo javë ka nisur pilotimi i programit 'Pas Shkolle' dhe pas mbarimit të mësimit, nxënësit përfshihen në aktivitetet e preferuara që nga kërcimi, zejet tek arti pamor dhe bërja e detyrave të shtëpisë", bën me dije Kumbaro.


Ministrja e Arsimit ka uruar nxënësit dhe mësuesit e shkollës “Androkli Kostallari”, një shkollë në periferi të Tiranës, ku programi “Pas Shkolle” ka nisur pilotimin me një numër të përcaktuar nxënësish.


"Suksese nxënësve dhe mësuesve të përkushtuar të kësaj shkolle që përmes këtij programi edukojnë, argëtojnë dhe nxisin bashkëpunimin në komunitet", shkruan Kumbaro.


videon e postuar nga ministrja Kumbaro, nxënësit shprehen entuziastë dhe të lumtur që tashmë shkolla e tyre është edhe hapësirë për të ushtruar talentet dhe pasionin në fusha të ndryshme si art, sport dhe krijimtari. Për prindërit, kjo është një nismë e mirëpritur dhe në ndihmë të fëmijëve të tyre pas orarit mësimor.


Ministria e Arsimit ka prezantuar më herët programin “Edukimi Pas Shkollor në Shqipëri - Politika, Standarde dhe Modele për Zhvillim Gjithëpërfshirës”, që synon përmirësimin dhe unifikimin e aktiviteteve jashtëkurrikulare në shkolla, ku ndërthuret përvoja vendase me praktikat më të mira ndërkombëtare, duke sjellë modele si programi “Shkollat e Shekullit të 21”.


Ky program synon zhvillimin e kompetencave digjitale, mendimit kritik dhe aftësive të nevojshme për kohën. 


Programi 'Pas Shkolle' aktualisht i pilotuar në 46 shkolla të Tiranës, nuk ka për qëllim vetëm zgjatjen e qëndrimit të nxënësve në shkollë, por krijimin e një mjedisi të sigurt dhe frymëzues, ku ata mund të zhvillojnë talentet, aftësitë sociale dhe qytetare.


Nisma synon gjithashtu të eliminojë fragmentimin e programeve ekzistuese dhe të krijojë një qasje të strukturuar, duke përfshirë iniciativa si arti dhe zejet, “Toka në shkollë”, ekipet sportive dhe shkolla si qendër komunitare.


Siç ka bërë të ditur më herët dhe Ministrja Mirela Kumbaro, 

me skemën e re të miratuar nga qeveria shqiptare, është dyfishuar pagesa për orë për mësuesit që do të angazhohen në programin 'Pas Shkolle'.



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

132 Lexime
1 orë më parë