FJALA E SHKRUAR GABIM

Përdorimi i gabuar i përemrit të pacaktuar dhe pjesëzës “seç”

Nuk është hera e parë që më bie në sy përdorimi jo i duhur i kësaj fjale, ndaj vendosa ta trajtoj këtë çështje duke mos u ndalur vetëm te fjalia që lexova në një libër. Me një kërkim të shpejtë në Google, gjeta edhe shumë shembuj të përdorur gabimisht.

Isha duke lexuar njërin nga klasikët botërorë të përkthyer në shqip kur vura re se në një fjali është përdorur gabimisht fjala “seç”. Meqenëse m’u kujtua se nuk është hera e parë që më bie në sy përdorimi jo i duhur i kësaj fjale, vendosa ta trajtoj këtë çështje duke mos u ndalur vetëm te fjalia që lexova në atë libër. Me një kërkim të shpejtë në Google, gjeta edhe shumë shembuj në të cilët përdorej gabimisht kjo fjalë, megjithatë përzgjodha vetëm tri fjali.


Fjalia në librin që po lexoja:


“Njëra nga gjetjet më të mençura të pronarit të madh të karrocave me qira kishte qenë se e kishte kuptuar fluturimthi se amerikanët duan t’ia mbathin nga vendet e argëtimit edhe më shpejt seç duan të vijnë në to”. 


Shembuj nga disa portale: 

- “Nga ana tjetër ankthi ju bën të ndjeni përgjegjësi mbi gjërat më shumë seç duhet duke ushtruan presion mbi ju.”

- “Çdo rast i dhunës ndaj fëmijëve është një rast më shumë seç duhet.”

- “Çfarë i ndodh trupit nëse flemë më shumë seç duhet?”


Nëse bazohemi në “Fjalorin e gjuhës shqipe”, për fjalën “seç” jepen dy shpjegime:


  1. Së pari thuhet se “seç” është përemër i pacaktuar, i cili tregon diçka të pacaktuar ose të panjohur. Për shembull: seç mori vesh, aty seç kishte. 
  2. Së dyti thuhet se “seç” përdoret edhe si pjesëz për të theksuar kënaqësinë, gëzimin, habinë etj. ose për të rritur shprehësinë: seç këndon bilbili, seç u nxi e seç u err. 


Po të marrim parasysh këto dy shpjegime, vërejmë se në fjalitë e përmendura në këtë shkrim fjala “seç” është përdorur gabimisht në vend të lidhëzës “sesa”, e cila lidh një fjali krahasore me fjalinë drejtuese ose me gjymtyrën e dytë të një krahasimi. Pra, duhet të jetë:


- “.... amerikanët duan t’ia mbathin nga vendet e argëtimit edhe më shpejt sesa duan të vijnë në to.”

- “Nga ana tjetër, ankthi ju bën të ndieni përgjegjësi mbi gjërat më shumë sesa duhet duke ushtruar presion mbi ju.”

- “Çdo rast i dhunës ndaj fëmijëve është një rast më shumë sesa duhet.”

- “Çfarë i ndodh trupit nëse flemë më shumë sesa duhet?”


Nga Medina Mehmeti, redaktore 


© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

6,028 Lexime
4 vjet më parë