Pezullohet mësuesja në shkollën “Isa Boletini” pas transmetimit në emisionin “Stop”, nis hetimi institucional

Pas transmetimit në emisionin “Stop” të një rasti me sjellje të papërshtatshme nga një mësuese në shkollën “Isa Boletini”, Ministria e Arsimit reagoi menjëherë: mësuesja u pezullua, nisi hetimi dhe u ngrit grup pune për verifikimin e plotë të ngjarjes.

Pas transmetimit të një materiali investigativ në emisionin Stop, ku pasqyrohej një sjellje e papërshtatshme nga një mësuese e arsimit fillor në shkollën Shkolla 9-vjeçare “Isa Boletini”, ka reaguar menjëherë Ministria e Arsimit dhe Sportit, duke dënuar çdo veprim që cenon sigurinë, mirëqenien dhe dinjitetin e nxënësve.


Sipas njoftimit zyrtar, menjëherë pas publikimit të rastit, Drejtoria Rajonale e Arsimit Parauniversitar Tiranë ka ngritur një grup pune për ndjekjen e plotë të situatës. Janë zhvilluar takime me drejtuesit e institucionit arsimor, psikologët e shkollës dhe prindërit e nxënësve të përfshirë.


Me vendim të datës 6 maj 2026, mësuesja në fjalë është pezulluar menjëherë nga detyra dhe i është ndaluar hyrja në ambientet e shkollës deri në përfundim të procedurave administrative dhe institucionale. Paralelisht, drejtoria e shkollës ka nisur procedurat për kallëzim pranë organeve kompetente, ndërsa do t’i kërkohet zyrtarisht emisionit “Stop” vënia në dispozicion e të gjitha pamjeve filmike për verifikim të plotë të rastit.


Ministria thekson se: "figura e mësuesit mbetet themel i edukimit dhe formimit të brezave të rinj, ndaj çdo sjellje që bie ndesh me etikën profesionale dhe normat njerëzore është e papranueshme dhe nuk mund të ketë vend në sistemin arsimor".


Në reagim vlerësohet edhe roli i medias në evidentimin e rasteve problematike, duke e konsideruar atë një partner të rëndësishëm si në promovimin e modeleve pozitive, ashtu edhe në identifikimin e rasteve që kërkojnë ndërhyrje institucionale.


Ministria e Arsimit rithekson angazhimin për garantimin e një mjedisi të sigurt dhe edukues për çdo nxënës, si dhe për mbështetjen e figurës së mësuesve të përkushtuar. Ndërkohë, grupi i punës vijon mbledhjen dhe verifikimin e të dhënave, ndërsa në përfundim do të hartohet raporti përkatës mbi përgjegjësitë institucionale, në përputhje me legjislacionin në fuqi.


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

638 Lexime
5 orë më parë