Materiale didaktike

Promovohen 6 doracakë për mësimin në gjuhën e prejardhjes

Ky komplet materialesh didaktike është i përbërë nga 6 doracakë për mësues me tituj

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ka organizuar promovimin e  6 doracakëve të  autorit, Prof. Dr. Basil Schader, profesor në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Cyrihut – Zvicër.

Ky produkt didaktik, dedikuar mësimit të gjuhës dhe të kulturës së origjinës të nxënësve të komuniteteve që kanë migruar, paraqet shembullin e parë të këtij lloji për mësimin plotësues në diasporë, njëkohësisht vlerësohet se është me shumë interes edhe për mësimin modern të gjuhës amtare dhe të ndërtimit të kompetencave ndërkulturore edhe në shkollat e Kosovës.

Zenun Halili, këshilltar i ministrit të Arsimit, ka falënderuar autorin e doracakëve, z. Basil Schader, për angazhimin e tij të çmuar në fushën e shkencave albanologjike, si dhe Qeverinë Zvicerane për mbështetjen e vazhdueshme që po u bën proceseve edukativo-arsimore në Kosovë, si dhe për organizimin e Mësimit Plotësues për mërgatën tonë në Zvicër.

Ndërsa, znj. Anita Schluchter, zëvendës ambasadore Zvicrës në Kosovë tha se mësimi i gjuhës së origjinës është shumë i rëndësishëm për mërgatën kudo në botë dhe se  ky komplet didaktik  iu mundëson atyre që më lehtë të mësojnë gjuhën dhe kulturën e origjinës dhe që të jenë më të kompletuar në jetë.

Autori z. Basil Schader, gjithashtu tha se ndjehet i lumtur që ka pasur mundësinë të bëjë diçka më shumë në fushën e dijes, për të rinjtë shqiptar, por edhe të tjerë që jetojnë në Zvicër apo kudo në mërgim.

Ndërsa, Nuhi Gashi, zyrtar për Mësimin Plotësues në Diasporë në MASHT, prezantoi biografinë e autorit të teksteve, për të cilin tha se është personalitet i shquar i shkencës, i cili me përkushtim dhe punë të palodhshme ka arritur të marrë dy doktoratura, një në shkencat e gjermanishtes dhe një në shkencat albanologjike.

Ndryshe, ky komplet materialesh didaktike, është i përbërë nga 6 doracakë për mësues me tituj:

1.     Bazat dhe arsyet

2.     Strategji dhe teknika të të mësuarit

3.     Përkrahja e të shkruarit në gjuhën e parë

4.     Përkrahja e të lexuarit në gjuhën e parë

5.     Përkrahja e komunikimit gojor

6.     Përkrahja e kompetencave ndërkulturore.

Këta doracakë janë përkthyer edhe në gjuhë të tjera dhe  ju shërbejnë nxënësve për mësimin e gjuhës së origjinës kudo në botë, ndërsa botimi i kompletit  është realizuar nga SHLP e Cyrihut.

1,677 Lexime
8 vjet më parë