Promovohen romanet “Ëndrra e Walacek-ut” e G. Orelli-t dhe “Në limb” e M.G.Mazzucco-s përkthyer nga Mimoza Hysa
Në ditën e dytë të Panairit të Librit, Tirana 2021, festa në stendën e Albas ka vijuar me promovimin e romaneve Ëndrra e Walacek-ut nga Giovanni Orelli dhe Në limb nga Melania G. Mazzucco. Romanet kanë ardhur në gjuhën shqipe fal përkthimit mjeshtëror të Mimoza Hysës.
Në ditën e dytë të Panairit të Librit, Tirana 2021, festa në stendën e Albas ka vijuar me promovimin e romaneve Ëndrra e Walacek-ut nga Giovanni Orelli dhe Në limb nga Melania G. Mazzucco.
Në këndin e këndshëm ku flitet për librat, e sidomos për prurjet e reja, mbrëmjen e sotme nën moderimin e Ervisa Palokës ishte e ftuar përkthyesja e cila i ka sjellë këto romane në gjuhën shqipe, Mimoza Hysa.
Duke u pyetur për profesionin e saj edhe si përkthyese Znj.Hysa është shprehur se “të përkthesh do të thotë të ruash një ritëm të brendshëm pa bërë shpjegime. Unë preferoj që librin që përkthej ta lexoj dhe ta përkthejë në të njëjtën kohë”.
Por çfarë trajtohet në romanin “Ëndrra e Walacek-ut” nga Giovanni Orelli?
Piktori i famshëm zvicerano- gjerman, Paul Klee, veprën e tij Alphabet I (1938), e pikturoi mbi faqen sportive të gazetës zvicerane National Zeitung. Shkronja O e alfabetit ra mbi emrin e qendërsulmuesit Genia Ëalacek, duke e fshirë përgjysmë. Kjo pikturë përbën pikën e nisjes, por edhe boshtin rreth të cilit sillet romani Ëndrra e Ëalacek-ut. Duke u nisur nga ky përkim, autori gërsheton dy fate: atë të piktorit “të pazakontë”, Paul Klee-së, i cili, i shtrënguar nga regjimi nazist, braktis Gjermaninë dhe strehohet në vendlindje, në Zvicër; dhe atë të një futbollisti njëherë e një kohë të famshëm, dhe sot gati të harruar, Genia Walacek-ut, të cilin Klee-ja e shpëtoi nga skutat e harresës.
Po në romanin “Në limb” nga Melania G. Mazzucco
Një histori dashurie dhe humbjeje, vdekjeje dhe qëndrese, që ngre pikëpyetje mbi zgjedhjet dhe përgjegjësitë tona. Manuela ka flokë të prerë shkurt dhe buzëqeshje fëmije, trup atleteje dhe mban paterica. Në Afganistan ka drejtuar një togë me tridhjetë burra dhe tani është kthyer në shtëpi. Jeton, por nuk është e aftë ta përballojë jetën. Pas atentatit nga i cili ka shpëtuar gjallë, i kanë dhënë një detyrë: duhet të kujtojë luftën, shkretëtirën, ushtarët e saj, pluhurin, gjakun. Por rindërtimi i së shkuarës nuk mjafton për të rilindur…
Melania G. Mazzucco ka lindur në Romë. Është autore e romaneve të përkthyera në rreth 25 gjuhë të botës. Më 1996 botoi romanin e saj të parë Puthja e Meduzës, e ndjekur nga vepra të tjera, si: Vita, Një ditë perfekte, Pritja e gjallë e engjëllit, Arkitektja. Është fituese e disa çmimeve të rëndësishme, si: Strega (2003), Comisso, Viareggio-Tobino etj.
Qytetarët dhe e veçanërisht libërdashësit vizitor të këtij panairi kanë mundur të bëhen pjesë e këtij promovimi të sotëm edhe duke dëgjuar pjesë të shkurtra nga romanet.
Pjesëmarrja e tyre deri më tani ka qenë e konsiderueshme, sigurisht nën masat e antikovid.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Teste për vetëkontroll dhe teste për vetëvlerësim
Dosjet për parashkollorin
Seria "Sjelljet më të mira"