Provimi i Gjuhë-Letërsisë, Kumbaro: Përgatitjet të përfunduara, paralajmërohen masa të rrepta për shkeljet
Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro njoftoi se janë përmbyllur përgatitjet për provimin e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë në Maturën Shtetërore. Teza është hartuar dhe po shpërndahet me Postën Shqiptare dhe Policinë. Ajo paralajmëroi penalitete të rrepta për shkeljet e rregullores dhe u uroi maturantëve suksese.
Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro, bëri të ditur se janë përmbyllur përgatitjet për provimin e radhës të Maturës Shtetërore, atë të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, që zhvillohet nesër.
Pas mbledhjes së fillim javës me 52 zyrat vendore të arsimit, drejtoritë rajonale dhe Komitetin e Organizimit të Maturës Shtetërore, ministrja njoftoi se ka përfunduar procesi i hartimit të tezës dhe ka nisur shpërndarja e materialeve të provimit në bashkëpunim me Postën Shqiptare dhe Policinë e Shtetit.
“Ka mbaruar tashmë procesi i hartimit të tezës dhe ka filluar shpërndarja e kutive në një bashkëpunim të plotë me Postën Shqiptare dhe Policinë e Shtetit, për t’u bërë gati nesër në mëngjes për provimin e radhës”, u shpreh Kumbaro.
Kumbaro falënderoi anëtarët e grupit të hartimit të tezës, të cilët kanë punuar të izoluar prej ditësh për përgatitjen e testit.
Ministrja theksoi se është e rëndësishme që edhe provimi i nesërm të zhvillohet me të njëjtat standarde si provimet e javës së kaluar, duke kujtuar se respektimi i rregullave mbetet i panegociueshëm.
“Penalitetet do të jenë të rrepta”, paralajmëroi ajo, duke bërë të ditur se dy maturantë u përjashtuan nga sezoni i provimeve pasi u kapën me telefon celular gjatë provimit të parë.
“Duhet që askush të mos e bëjë këtë eksperiment sepse pasojat do të jenë të rënda. Do të ketë pasoja jo vetëm për nxënësit, por edhe për administratorët”, deklaroi ministrja.
Në përfundim, Kumbaro shprehu besimin se të gjithë maturantët janë të përgatitur për këtë etapë të rëndësishme dhe u uroi atyre suksese.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Etika nën presion/ Gazetarja Marieta Mërkuri: Si e deformon mesatarja arsimin dhe çfarë duhet ndryshuar?
Datat e Provimeve Kombëtare të Arsimit Bazë për vitin shkollor 2025-2026
Drejtoresha Anila Çota rrëfen rrugëtimin e shkollës “Qamil Guranjaku” si fituese e vendit të dytë në Konkursin e Gjuhës Shqipe