INTERVISTË

Provimi për klasat e pesta, Dr. e QSHA Rezana Vrapi i përgjigjet mësuesve dhe prindërve: Mos i lodhni fëmijët me fjalën test

Në një intervistë për Portalin Shkollor Albas, drejtoresha e QSHA,Rezana Vrapi i është përgjigjur të gjitha pyetjeve e shqetësimeve që kanë prindërit dhe mësuesit në lidhje me provimin që do të kryejnë nxënësit e klasave të pesta. Për më tepër lexoni më poshtë.

Zj.Rezana në radhë të parë ju faleminderit për kohën që do t’i dedikoni kësaj interviste për të folur rreth provimit final që do të bëjnë nxënësit e klasave të pesta, për të gjitha njohuritë që ata kanë përvetësuar gjatë arsimit fillor. Tashmë dihet se ky provim do të zhvillohet më 21 maj 2021. Por për çfarë shërben ai vërtetë, sa i rëndësishëm është testimi për mbylljen e ciklit të ulët arsimor? 


Ky vlerësim synon të japë një informacion mbi  njohuritë dhe kompetencat që nxënësi merr sot në shkollë; të vlerësojë kompetencat e nxënësve ndaj njohurive dhe përvojës së fituar në shkollë; të identifikojë nevojat për ndërhyrje apo përmirësime të mëtejshme të komponentëve bazë të procesit mësimor. Por edhe të kontribuojë në zhvillimin dhe analizën e treguesve sasiorë krahasimorë të arritjeve të nxënësve të klasës së pestë të arsimit fillor.

Informacioni i marrë ka shumë rëndësi për analiza të situatës, të anëve të forta dhe të dobta të procesit të të nxënit. Mbi bazën e tyre më pas QSHA jep rekomandime të cilat kalojnë në vendimmmarrje nga institucionet përkatëse. 



Në fakt ky provim ka disa vite që po aplikohet në të gjitha shkollat e vendit, por le të sjellim edhe një herë në vëmendje rregullat dhe procedurat që ndiqen në lidhje me të. Kush e harton testin e provimit përfundimtar të klasave të pesta? Në cilat lëndë testohen nxënësit? Si bëhet vlerësimi? A ka ndikim nota apo pikët e këtij testi te kapërcimi i nxënësve nga cikli i ulët te ai i mesëm i ulët?


Testi hartohet nga specialistët e QSHA dhe bashkëpunëtorët, që janë mësues të certifikuar të ciklit fillor. Nxënësit do të testohen në lëndët gjuhë shqipe, matematikë dhe dituri natyre.

Vlerësimi është me pikë dhe jo me notë. Ky vlerësim nuk pasqyrohet në deftesën e notave të nxënësit. Ai shërben vetëm për marrje informacioni në lidhje me arritjet e nxënësve dhe analiza për përmirësim të sistemit. Nga ana tjetër nxënësit familjarizohen edhe me mënyra të tilla të testimit të standardizuar, me të cilat do të përballet edhe në vitet në vijim.

 


Duke u nisur nga kushtet e pandemisë apo veçanërisht kushtet jo normale të zhvillimit të mësimit, ky test këtë vit a do të të jetë më i thjeshtëzuar nga vitet e kaluara?  


Testi ndërtohet bazuar në tri nivele: i ulët (40%), i mesëm  (40%) dhe i lartë (20%). Pra lehtësisht kuptohet se do të jetë më shumë në nivelin e thjeshtë dhe mesatar.

Duke iu referuar komenteve të një pjese të madhe të prindërve dhe mësuesve, ndjekës të Portalit Shkollor, ata kanë thënë se ky provim nuk duhet të bëhet, pasi ai, përveçse shkakton stres emocional tek të vegjlit, nuk ka dobi. Në këtë link ndodhen komentet e tyre: https://www.facebook.com/portalishkollor/posts/3233647206738071



Cila është përgjigja juaj në këtë rast? 


Shqetësimi i tyre është i natyrshëm. Cdo test krijon ngarkesë emocionale te nxënësit. Megjithatë, nisur nga natyra e këtij vlerësimi, nuk ka arsye për shqetësim. Madje, vetë prindërit duhet të jenë të interesuar në lidhje me progresin e fëmijëve të tyre. Cilat janë anët e forta dhe ku i kanë dobësitë? Arsimi bazë është thelbësor në zhvillimin e mëtejshëm të nxënësve. Nëse kanë dobësi në drejtime të caktuara të një fushe, atëherë duhet punuar fort për t’i kapërcyer, në të kundërt boshllëqet e krijuara, sidomos edhe për shkak të pandëmisë, do të krijojnë problematika në vitet e mëpasme të shkollimit të tyre. Prandaj ky vlerësim na jep një informacion jashtëzakonisht të vlefshëm në lidhje me atë çfarë nxënësit dinë dhe janë në gjendje të bëjnë.

Testi nuk ka pyetje që matin memorizimin apo riprodhimin e informacionit që kanë marrë nxënësit në lëndët përkatëse. Përkundrazi, ai mat se çfarë janë në gjendje të bëjnë ata me njohuritë që zotërojnë. Prandaj nuk ka pse “lodhen” për t’u përqendruar duke mësuar faqe të tëra përmendësh, pasi në asnjë moment nuk do t’ju kërkohet kjo.



Duhet të shmanget testi, duhet punuar në drejtimin të minimizimit të stresit, apo...? Cila është këshilla apo sugjerimi që doni t’i drejtoni mësuesve, prindërve dhe nxënësve të cilët janë të përfshirë në interes të provimit final për klasat e pesta? 


Mësuesit duhet të përqendrohen në drejtim të punës që orientohet vetëm te kompetencat. Sa më pak të kërkojnë riprodhim rregullash, faktesh, njohurish, aq më pak nxënësit do të stresohen dhe lodhen. Nëse nxënësit do të ushtrohen me pyetje të cilat nuk i kanë përgjigjet të gatshme në tekste, por në situata zbatuese, aq më mirë do të ndihen ata dhe aq më mirë do të zhvillohet tek ata puna e pavarur, mendimi dhe reflektimi personal. 

Të mos i lodhin me fjalën test. Të vazhdojnë normalisht punën me ta. Ky vlerësim, në radhë të parë, ndihmon edhe përmirësimin e punës së tyre si mësues. Nëse nxënësit ndihen të qetë, edhe puna e tyre si mësues do të dalë më në pah dhe çdo rezultat i marrë do të tregojë vlerën e përpjekjeve që ata kanë bërë çdo ditë me nxënësit e tyre.



Intervistoi Nanila Allkja Biçaku 


©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

12,294 Lexime
2 vjet më parë