Pse nuk po dëgjohen të rinjtë? Prof. Dr. Afrim Krasniqi për protestat, arsimin dhe të ardhmen e Shqipërisë

Prof. Dr. Afrim Krasniqi: Pse të rinjtë po humbasin besimin te politika? Arsimi, meritokracia dhe e ardhmja e një brezi në pikëpyetje. Një intervistë e zgjeruar në Portalin Shkollor për protestat, institucionet dhe Shqipërinë që të rinjtë duan të ndërtojnë.

Në një moment kur protestat e studentëve dhe të rinjve kanë rikthyer në qendër të debatit publik çështjet e përfaqësimit, besimit te institucionet dhe perspektivës së brezit të ri, Portali Shkollor sjell një intervistë të zgjedhur për aktualitetin me Prof. Dr. Afrim Krasniqin, politolog, studiues të historisë bashkëkohore dhe drejtor ekzekutiv të Institutit të Studimeve Politike (ISP).


Me përvojën e tij në studimin e sistemeve politike, partive, zgjedhjeve dhe institucioneve demokratike, Krasniqi ndalet te pakënaqësia e të rinjve, raporti i tyre me politikën dhe shtetin, si dhe te sfidat që përballon arsimi në Shqipëri.


Në këtë bisedë, vëmendje i kushtohet edhe meritokracisë, rolit të shkollës dhe universiteteve, përgjegjësisë së institucioneve dhe mundësive që vendi u ofron të rinjve për të studiuar, për të ndërtuar një karrierë dhe për të ardhmen e tyre.


Përtej zhvillimeve të ditës, intervista ngre pyetje që prekin drejtpërdrejt shoqërinë dhe sistemin arsimor: A po dëgjohet realisht zëri i të rinjve? A kanë ata mundësi të barabarta për të ecur përpara? Dhe çfarë duhet të ndryshojë që Shqipëria të jetë një vend ku brezi i ri dëshiron të ndërtojë të ardhmen?


Një bisedë që vjen në kohën e duhur dhe synon ta zhvendosë vëmendjen nga ngjarjet e momentit te çështjet më të thella që ato nxjerrin në pah për arsimin, institucionet dhe të ardhmen e të rinjve.



Intervistoi: Nanila Allkja Biçaku 




Zoti Krasniqi, si studiues i zhvillimeve politike dhe shoqërore në Shqipëri, si e lexoni situatën e ditëve të fundit? A kemi të bëjmë me një valë të zakonshme pakënaqësie politike apo me shenja të një krize më të thellë të besimit te institucionet?


Unë mendoj se zhvillimet e ditëve të fundit janë pika kulmore e një pakënaqësie të madhe të gjeneratës së re, sidomos të studentëve dhe të rinjve, ndaj sistemit tonë përfaqësues, mënyrës sesi funksionojnë gjërat në Shqipëri dhe bllokimit të jetës politike, ekonomike, sociale, kulturore dhe arsimore nga një elitë e vogël, e cila kontrollon pothuajse gjithçka dhe është shkëputur nga shoqëria. Është krijuar ndjesia e përgjithshme se shanset për karrierë janë minimale, se konkurrenca nuk funksionon, se drejtësia dhe meritokracia nuk janë garanci për sukses dhe se lidhjet politike, familjare apo ekonomike kanë më shumë rëndësi sesa aftësitë individuale. Në këtë realitet, brezi i ri ndihet i papërfaqësuar, i padëgjuar dhe gjithnjë e më shumë si një kontingjent i mundshëm për emigracionin.


Pra, kemi një pakënaqësi masive, një lloj dëshpërimi të madh, që bie ndesh me fasadën e krijuar nga propaganda zyrtare për sukseset, progresin dhe perspektivën e vendit. Ka një kontrast midis asaj që thuhet në deklarimet politike dhe asaj që përjetojnë qytetarët, sidomos të rinjtë. Për katër muaj, të rinjtë u përfshinë në një revoltë paqësore, në lëvizjen e njohur si “Flamingo”. Ata protestuan, qëndruan, kërkuan të dëgjoheshin, por nuk u morën seriozisht, nuk u respektuan dhe kërkesat e tyre nuk morën përgjigjet që prisnin. Siç duket, zhvillimet e fundit janë edhe pasojë e kësaj sjelljeje arrogante ndaj tyre.


Kështu që nuk mendoj se kemi të bëjmë me një pakënaqësi të zakonshme politike. Kemi të bëjmë me një krizë besimi, një krizë përfaqësimi dhe një hendek të madh midis gjeneratës së re dhe elitës që drejton vendin. Kjo është shumë më tepër sesa një protestë kundër një qeverie apo një vendimi të caktuar. Është një reagim ndaj mënyrës sesi funksionon sistemi dhe ndaj mungesës së perspektivës për ndryshim.



Në deklarimet tuaja të fundit keni ngritur shqetësimin për mungesën e perspektivës dhe ndjesinë e të rinjve se nuk dëgjohen në vendin e tyre. Çfarë ju tregojnë protestat e këtyre ditëve për raportin mes brezit të ri, studentëve dhe shtetit shqiptar?


Unë mendoj se përfshirja e studentëve pritej ta ndryshonte kahun e protestës paqësore “Flamingo”. Studentët kanë qenë kritikë edhe më parë, kanë protestuar në periudha të ndryshme dhe një pjesë e madhe e kërkesave të tyre nuk janë realizuar. Pra, ekziston një histori pakënaqësie dhe zhgënjimi.


Së dyti, Tirana rrallë ka njohur në historinë e saj të afërt protesta qytetare kaq afatgjata, që zgjasin disa muaj radhazi. Kjo krijoi një gjeneratë protestuesish të gatshëm të sakrifikojnë kohën e tyre, të qëndrojnë, të reagojnë, të mobilizohen dhe të vetëorganizohen.


E veçanta është se kjo lëvizje nuk ka një lider të identifikueshëm, nuk ka një simbol politik tradicional, nuk ka një parti që mund të konsiderohet përfaqësuese e saj. Kjo e bën protestën të veçantë, por edhe të vështirë për qeverinë për ta kuptuar, për të identifikuar përfaqësues me të cilët të negociojë apo për ta trajtuar përmes marrëveshjeve tradicionale politike.


Në fakt, të rinjtë nuk i besojnë qeverisë dhe as mekanizmave tradicionalë të dialogut. Ata nuk duan të përfaqësohen nga e njëjta elitë politike që mendojnë se është përgjegjëse për gjendjen e krijuar. Kjo ka prodhuar një hendek të madh dhe keqkuptime të thella midis qeverisë dhe protestuesve.


Problemi është se politika vazhdon t’i shohë të rinjtë si një kategori që duhet menaxhuar, ndërsa të rinjtë kërkojnë të trajtohen si qytetarë me të drejta, me mendim të pavarur, me aftësi dhe me kërkesa legjitime për të ardhmen e tyre. Ata nuk shohin se kërkojnë privilegje. Kërkojnë mundësi të barabarta, respekt, konkurrencë, drejtësi dhe një shtet që funksionon edhe për ta.



Sa spontane janë, sipas jush, këto protesta dhe sa shprehin një pakënaqësi të akumuluar ndër vite? Si mund të dallojmë kërkesat reale të studentëve nga përpjekjet e mundshme të aktorëve politikë për t’i orientuar ato?


Unë mendoj se protesta ishte e pritshme. Nuk ka asgjë të papritur në shkaqet e saj. Është e habitshme që politika nuk e kuptoi, që vendimmarrësit krijuan një botë virtuale për veten e tyre dhe humbën lidhjen me realitetin, duke mos arritur të kuptojnë se pakënaqësitë në shoqëri janë shumë më të thella nga sa paraqiten në deklarimet zyrtare.


Është interesante se mazhoranca, në vend që t’u përgjigjej kërkesave të studentëve dhe protestuesve, reagoi edhe me nisma për dialog dhe hapje brenda anëtarësisë së vet, sikur protestuesit po kërkonin që partia të bëhej më e hapur.


Në fakt, ata po kërkojnë diçka tjetër: më pak parti dhe më shumë shtet, më pak burokraci dhe korrupsion dhe më shumë drejtësi e funksionalitet, më pak deputetë të bindur ndaj urdhrave partiakë dhe më shumë demokraci përfaqësuese.


Pra, kërkojnë një lloj rotacioni elitash, një rotacion cilësor, një ndryshim mentaliteti, kulture dhe sjelljeje politike. Siç duket, këto kërkesa nuk u kuptuan ose nuk u morën seriozisht.


Prandaj edhe gjenerata e vjetër e politikës, si në mazhorancë ashtu edhe në opozitë, e ka të vështirë ta kuptojë këtë lëvizje. Të rinjtë nuk identifikohen domosdoshmërisht me ndarjet tradicionale partiake dhe nuk besojnë se zgjidhja mund të vijë vetëm nga zëvendësimi i një grupi politikanësh me një tjetër.


Natyrisht, ka aktorë politikë që duan të përfitojnë nga protestat. Kjo është e pritshme në çdo lëvizje qytetare. Mund të ketë edhe individë që dalin nga vetë protestat dhe bëhen aktorë të rinj publikë apo politikë. Edhe kjo është e natyrshme.


Por unë nuk shoh prova bindëse që kjo lëvizje të jetë krijuar apo drejtuar nga një aktor i vetëm politik, brenda ose jashtë vendit. Akuzat për kontroll, manipulim apo tradhti të protestës duhen mbështetur në fakte, jo në interpretime politike.


Duhet të dallojmë dy gjëra: protesta mund të jetë spontane në mënyrën e organizimit, por nuk është aspak spontane në shkaqet që e kanë prodhuar. Ato janë akumuluar ndër vite dhe kanë të bëjnë me probleme reale të shoqërisë.



Ju keni folur për përgjegjësinë që ndajnë studentët dhe punonjësit e policisë në një situatë të tensionuar. Si duhet të veprojnë institucionet që e drejta për të protestuar të garantohet, rendi publik të ruhet dhe asnjë palë të mos ekspozohet ndaj dhunës së pajustifikuar?


Unë mendoj se aktet e dhunshme janë të dënueshme, nga cilado palë që të vijnë. Askush nuk ka të drejtë të cenojë jetën dhe sigurinë e të tjerëve, pronën publike apo private, institucionet shtetërore dhe objektet me vlera historike e kulturore. Institucionet tona janë institucione publike, që financohen nga taksat e qytetarëve dhe duhet të jenë në shërbim të tyre.


Por zhvillimet duhen kuptuar edhe në kontekstin e klimës që u krijua. Kemi një gjeneratë të re, e cila edhe në vende të tjera europiane ka treguar forma të ndryshme reagimi dhe mobilizimi. Kur pakënaqësia e akumuluar përballet me arrogancë, mungesë dialogu dhe ndërhyrje të ashpra policore, ekziston rreziku i radikalizimit të protestës.


Në vlerësimin tim, reagimi i ashpër i policisë në ditën e parë të përplasjeve ndikoi në ndryshimin e kahut të protestës. Një pjesë e të rinjve filluan ta shohin policinë jo si institucion që garanton ligjin dhe sigurinë e tyre, por si instrument të pushtetit dhe si palë kundërshtare. Kjo është shumë e rrezikshme, sepse e kthen një konflikt qytetar e politik në një përballje fizike me institucionet e rendit.


Polici nuk është armiku i studentit dhe studenti nuk është armiku i policit. Të dy janë pjesë e së njëjtës shoqëri, kanë familje, të drejta dhe përgjegjësi. Policia duhet të zbatojë ligjin, të mbrojë qytetarët, përfshirë protestuesit, dhe të përdorë forcën vetëm kur është e nevojshme dhe në mënyrë proporcionale. Nga ana tjetër, protestuesit duhet të respektojnë jetën, sigurinë dhe pronën e të tjerëve.


Edhe diskutimi për rritjen e pagave dhe shpërblimin financiar të forcave speciale policore pikërisht në këtë klimë përplasjesh me studentët krijon një paradoks të madh politik dhe moral. Mesazhi që përcillet ka rëndësi po aq sa vetë vendimi. Nuk mund të krijohet përshtypja se prioritet është fuqizimi i instrumenteve të forcës, ndërkohë që kërkesat e studentëve për arsim, meritokraci dhe perspektivë mbeten pa përgjigje.


Prioriteti i një qeverie duhet të jetë mbrojtja e të drejtave të njeriut, respektimi i ligjit dhe modeli i demokracisë që synojmë të ndërtojmë, sidomos për një vend që kërkon të jetë pjesë e Bashkimit Europian. Drejtësinë e japin gjykatat, jo policia dhe as politika. Shteti duhet të jetë garantues i të drejtave të qytetarëve, jo instrument për mbijetesën politike të atyre që drejtojnë.



Duke qenë se kjo intervistë zhvillohet për Portalin Shkollor, duam të ndalemi te arsimi. Sa lidhen pakënaqësitë e studentëve me problemet e universiteteve dhe sa me një shqetësim më të gjerë: mungesën e meritokracisë, mundësive të barabarta dhe perspektivës pas diplomimit?


Unë mendoj se arsimi është një nga pikat më të dobëta të sistemit tonë politik dhe social. Arsimi duhet të ishte investim strategjik, duhet të përshtatej me tregun e punës, me kapacitetet dhe nevojat e vendit, me zhvillimet teknologjike dhe me sfidat e jetës së sotme. Pikërisht kjo qasje strategjike ka munguar.


Arsimi është trajtuar shpesh më shumë si një sektor punësimi për mësues dhe pedagogë, ndërsa universitetet si ndërmarrje që duhet të sigurojnë studentë, pra klientë, për të mbajtur në këmbë sistemin ekzistues. Nuk është vënë në qendër pyetja kryesore: çfarë cilësie prodhojmë, çfarë dijesh ofrojmë dhe çfarë perspektive u japim të rinjve?


Kemi raste paradoksale kur universitete përballen me probleme serioze mbijetese, me mungesë studentësh dhe kapacitetesh akademike, por në vend që të ketë një debat të hapur për të ardhmen e tyre, ndërhyhet politikisht për të ruajtur strukturat ekzistuese. Janë mbyllur institucione arsimore me probleme serioze të cilësisë, por ndërkohë janë krijuar edhe struktura të tjera, për të cilat mbeten pikëpyetje mbi cilësinë dhe qëndrueshmërinë.


Një pjesë e nxënësve më të mirë që prodhon sistemi ynë parauniversitar largohen për të studiuar jashtë vendit. Kjo e dobëson potencialin akademik të universiteteve tona dhe krijon një problem serioz për ripërtëritjen e elitës profesionale dhe shkencore.


Nga ana tjetër, shohim ulje të kritereve të pranimit, probleme me standardet e mësimdhënies dhe një dobësim të lidhjes midis diplomës dhe aftësive reale. Universitetet po rrezikojnë të kthehen në shkolla të mesme të zgjatura, ku mbizotëron thjesht mësimdhënia, ndërsa kërkimi shkencor, botimet, studimet, laboratorët dhe lidhja midis teorisë dhe praktikës mbeten në plan të dytë.


Një universitet nuk mund të jetë cilësor nëse nuk prodhon shkencë, nuk prodhon libra, nuk prodhon studime dhe nuk krijon dije të reja.


Ka edhe një problem tjetër. Shumë pedagogë të aftë detyrohen të kenë punë të dyta apo të treta, të angazhohen në projekte të shoqërisë civile, institucione ndërkombëtare apo aktivitete të tjera profesionale për të siguruar të ardhura të mjaftueshme për familjen. Në këto kushte, është e vështirë të kërkosh prej tyre përkushtim maksimal ndaj kërkimit shkencor dhe jetës universitare.


Të gjitha këto kanë kosto për studentët. Sepse, në fund të fundit, studentët dhe familjet e tyre paguajnë për arsimimin, ndërsa sistemi nuk u garanton gjithmonë atë që duhet të marrë një student: tekste bashkëkohore, literaturë të huaj, shkëmbime akademike, vlerësim të drejtë, konkurrencë të lirë, praktikë profesionale, lidhje me tregun e punës dhe perspektivë për karrierë.


Studentët ndiejnë mungesën e meritokracisë dhe ndikimin e preferencave politike në jetën publike e profesionale. Ata shohin se diploma nuk është domosdoshmërisht garanci për punësim, se aftësia nuk është gjithmonë kriteri vendimtar dhe se lidhjet me politikën shpesh perceptohen si rruga më e shkurtër për sukses.


Prandaj protesta e studentëve nuk është vetëm protestë për kushtet e universitetit. Është edhe protestë për jetën pas universitetit, për të ardhmen që i pret dhe për mungesën e garancive se puna, dija dhe aftësia do të vlerësohen.



Çfarë përgjegjësie kanë politika arsimore dhe vetë institucionet në krijimin e kësaj klime mosbesimi? A ka ardhur koha që debati për arsimin të dalë nga reformat e shpallura dhe të përqendrohet te rezultatet konkrete që përjetojnë nxënësit, studentët, mësuesit dhe prindërit?



Unë mendoj se përgjegjësia e politikës arsimore është shumë e madhe. Kemi pasur ndryshime të vazhdueshme të drejtimit politik të arsimit, reforma që shpallen dhe zëvendësohen nga reforma të tjera, pa pasur një bilanc serioz se çfarë ka funksionuar dhe çfarë ka dështuar.


Ministria e Arsimit, në vend që të ruante një rol strategjik, koordinues dhe orientues, ka marrë shumë më tepër kompetenca sesa do të duhej të kishte në një sistem arsimor demokratik dhe të decentralizuar.


Ajo vijon të ketë ndikim të madh mbi arsimin parashkollor, shkollor dhe universitar, programet, kontrollin, vlerësimin, drejtimin institucional dhe marrëdhëniet me institucione të tjera. Kemi krijuar një model tepër të centralizuar, thuajse sikur Ministria e Arsimit të ishte Ministria e Mbrojtjes që drejton një ushtri, dhe jo një institucion që bashkëpunon me mësues, pedagogë, nxënës, studentë dhe komunitete akademike.


Kjo ka dëmtuar autonominë universitare dhe përgjegjësinë reale të institucioneve. Kemi krijuar senate akademike, borde administrimi, mekanizma përfaqësimi dhe zgjedhje universitare, por shpesh ato kanë rezultuar formale, pa prodhuar transparencën, konkurrencën dhe përfaqësimin që pritej.


Në shumë procese zgjedhore universitare kemi parë edhe gara me vetëm një kandidat. Pra, ka zgjedhje, ka votim, ka procedura, por ku është konkurrenca? Çfarë kuptimi ka autonomia akademike nëse vendimmarrja ndikohet nga preferencat politike dhe institucionet nuk kanë mundësi reale të marrin përgjegjësi për të ardhmen e tyre?


Edhe rasti i dorëheqjes së rektorit të Universitetit të Shkodrës ngriti pyetje serioze mbi marrëdhëniet midis politikës, drejtimit të universiteteve dhe autonomisë akademike.


Nga ana tjetër, kemi pasur debate publike edhe për integritetin akademik dhe pretendime për plagjiaturë që lidhen me individë në pozicione të larta publike. Këto çështje kërkojnë verifikim serioz, por tregojnë se integriteti shkencor duhet të jetë pjesë e pandashme e përgjegjësisë politike për arsimin.


Problemet nuk kufizohen te universitetet. Në qendrat e mëdha urbane kemi shkolla me numër të lartë nxënësish, klasa të mbingarkuara, mungesë mjedisesh dhe, në disa raste, mësim me turne. Në zonat e vogla dhe periferike kemi mbyllje shkollash, tkurrje të numrit të nxënësve dhe organizime të përbashkëta të klasave, që krijojnë vështirësi të tjera për cilësinë e mësimdhënies.


Mësuesve shpesh u kërkohet më shumë përmbushje e detyrimeve administrative, disiplinë dhe raportime sesa punë cilësore individuale me nxënësit. Në këtë mënyrë, kemi deformuar edhe konceptin e shkollës si institucion edukimi dhe formimi qytetar.


Shikoni, këto janë probleme që nuk zgjidhen me ndryshimin e një ministri, me një udhëzim apo me shpalljen e një reforme tjetër.


Ne kemi nevojë për një debat të madh publik për arsimin dhe shkencën në Shqipëri: çfarë shkolle duam, çfarë mësuesi duam, çfarë universiteti duam dhe çfarë elite profesionale e qytetare synojmë të formojmë?



Në protestat e këtyre ditëve janë përfshirë edhe gjimnazistë. Si duhet ta kuptojmë këtë angazhim të nxënësve dhe çfarë përgjegjësie kanë shkolla, familja dhe institucionet për të garantuar që zëri i tyre të dëgjohet, pa cenuar sigurinë dhe të drejtën për arsimim?


Mendoj se përfshirja e gjimnazistëve duhet të na bëjë të reflektojmë seriozisht. Nuk duhet t’i shohim nxënësit thjesht si individë që duhet të ndjekin mësimin, të respektojnë disiplinën dhe të qëndrojnë larg debateve publike. Ata janë qytetarë në formim, kanë mendimet, shqetësimet dhe pritshmëritë e tyre, dhe shumë prej problemeve që diskutohen sot lidhen drejtpërdrejt me të ardhmen e tyre.



Por kjo situatë nxori në pah edhe një problem tjetër shumë të madh: kush është instrumenti përmes të cilit një i ri mund të mbrojë të drejtat e veta? Kush i mbron realisht nxënësit dhe studentët?


Kemi krijuar qeveri nxënësish, borde shkollash, senate akademike, shoqata studentore, parlamente rinore dhe forma të tjera përfaqësimi. Por shumë prej tyre kanë rezultuar formale, pa ndikim real në vendimmarrje dhe shpesh të përdorura nga drejtuesit institucionalë për të legjitimuar vendimet e tyre.


Mësuesit shpesh nuk arrijnë ta ngrenë zërin për nxënësit e tyre. Shkollat nuk arrijnë gjithmonë t’i mbrojnë nxënësit. Universitetet nuk arrijnë t’i përfaqësojnë dhe mbrojnë studentët. Sindikatat dhe organizimet e pavarura janë të dobëta ose mungojnë. Përfaqësuesit politikë nuk kanë lidhje organike me komunitetet akademike dhe nuk perceptohen si mbrojtës të të drejtave të tyre.


Atëherë, kush i mbron të rinjtë?


Kjo është një pyetje që duhet të marrë përgjigje. Dhe nga këtu duhet të nisë reflektimi për një zgjidhje më afatgjatë, për krijimin e mekanizmave realë dhe të përhershëm të komunikimit, përfaqësimit dhe mbrojtjes së të drejtave të nxënësve dhe studentëve.


Natyrisht, kur flasim për gjimnazistët, përgjegjësia e shkollës, familjes dhe institucioneve është edhe më e madhe. E drejta për t’u shprehur dhe për të marrë pjesë në jetën publike duhet respektuar, por siguria e tyre, mbrojtja nga dhuna dhe vijimësia e arsimimit duhet të jenë të garantuara. Askush nuk duhet t’i përdorë nxënësit për qëllime politike dhe askush nuk duhet t’i ndëshkojë për mendimet e tyre.


Nuk është detyra e të rinjve të ngrihen në protesta çdo shtatë apo tetë vjet për të kërkuar të drejtat që duhet t’i gëzojnë çdo ditë. Është detyra e shtetit demokratik të krijojë kushte që çdo qytetar të njihet me të drejtat e veta, të ketë instrumente për t’i mbrojtur ato dhe të përfitojë në mënyrë të barabartë nga mundësitë që ofron demokracia.



Përballë tensioneve të ditëve të fundit, a duhet të vijojë procesi mësimor normalisht apo duhen marrë masa të përkohshme deri në normalizimin e situatës? Cilat kritere duhet të udhëheqin një vendim të tillë, duke vendosur në plan të parë sigurinë e nxënësve dhe vijimësinë e arsimit?


Unë mendoj se fillimisht duhet të dallojmë natyrën e krizës. Nuk kemi të bëjmë me një krizë të funksionimit të shtetit, por me një krizë politike dhe besimi. Presidenti, parlamenti, qeveria, bashkitë, gjykatat, prokuroritë, universitetet, shkollat dhe institucionet e tjera vijojnë të funksionojnë. Konflikti është kryesisht politik dhe duhet të marrë përgjigje me mjete politike.


Prandaj nuk mendoj se zgjidhja duhet të jetë paralizimi i përgjithshëm i jetës shkollore dhe universitare. Arsimi duhet të vazhdojë, por siguria e nxënësve, studentëve dhe mësuesve duhet të jetë përparësi absolute.


Universitetet duhet të kenë autonominë dhe përgjegjësinë për të vendosur mbi organizimin e procesit mësimor, në varësi të situatës konkrete, duke respektuar të drejtat e studentëve dhe personelit akademik. Edhe për shkollat duhet të ketë vlerësime konkrete të rrezikut, bashkëpunim me prindërit dhe masa të përkohshme aty ku siguria nuk mund të garantohet.


Nuk mund të ketë një vendim mekanik për të gjithë vendin, nëse rrethanat janë të ndryshme. Por as nuk mund të kërkohet normalitet formal kur nxënësit dhe studentët ndihen të pasigurt ose kur mjediset arsimore ndodhen në situata të tensionuara.


Kjo krizë na detyron të shtrojmë edhe një pyetje tjetër: ku është elita akademike dhe arsimore? Ku janë rektorët, dekanët, drejtuesit e shkollave, Akademia e Shkencave dhe institucionet e tjera të dijes në një moment kur studentët protestojnë dhe raporti i tyre me shtetin është në krizë?


Institucionet arsimore nuk mund të jenë thjesht administratore të orareve dhe procesit mësimor. Ato duhet të jenë edhe hapësira dialogu, reflektimi, edukimi demokratik dhe mbrojtjeje të studentëve dhe nxënësve.


Shkolla duhet të vazhdojë të funksionojë, por nuk mund të sillet sikur jashtë saj nuk po ndodh asgjë.



Në këto zhvillime, përgjegjësia politike është një tjetër çështje e debatit publik. Si mund të përcaktohet përgjegjësia e qeverisë për situatën e krijuar, pa anashkaluar rolin e opozitës dhe të aktorëve të tjerë politikë? Çfarë duhet të bëjnë konkretisht institucionet për të rikthyer besimin e qytetarëve?


Unë mendoj se përgjegjësia politike lidhet para së gjithash me ata që qeverisin dhe që kanë në dorë instrumentet e vendimmarrjes. Një qeveri nuk mund të kërkojë vetëm meritat për zhvillimet pozitive dhe të shmangë përgjegjësinë për pakënaqësitë, problemet dhe krizat që krijohen gjatë qeverisjes së saj.


Por përgjegjësi ka edhe opozita, sidomos kur nuk arrin të ofrojë një alternativë të besueshme dhe kur përfaqësohet nga e njëjta kulturë politike që të rinjtë e kundërshtojnë. Nuk është rastësi që një pjesë e gjeneratës së re nuk identifikohet as me mazhorancën, as me opozitën tradicionale.


Të rinjtë shohin edhe cilësinë e jetës parlamentare, mënyrën sesi përzgjidhen deputetët, sesi votohet, sesi zhvillohet debati dhe sa të varur janë përfaqësuesit nga drejtuesit e partive. Ata shohin se edhe hyrja e individëve të rinj në parlament nuk sjell domosdoshmërisht ndryshim të kulturës politike. Prandaj kërkojnë jo vetëm ndryshim emrash, por ndryshim cilësor të përfaqësimit.


Në çdo demokraci, krizat politike duhet të zgjidhen me mjete politike. Institucionet duhet të funksionojnë, përgjegjësitë duhet të përcaktohen dhe duhet të krijohen kushte për rikthimin e besimit.


Një prej instrumenteve kushtetuese për zgjidhjen e krizave të thella të përfaqësimit janë edhe zgjedhjet, përfshirë zgjedhjet e parakohshme, kur për to krijohen kushtet dhe marrëveshjet e nevojshme politike. Në këtë rast, rëndësi ka që zgjedhjet të jenë të lira, të ndershme dhe të besueshme, në mënyrë që qytetarët të kenë mundësi të shprehen për një kontratë të re politike.


Nuk është thelbësore vetëm se kush do të jetë kryeministër apo cila parti do të qeverisë. Thelbësore është që institucionet të kenë besimin e qytetarëve dhe që përfaqësimi politik të reflektojë realitetin e shoqërisë.


Kontrata aktuale politike, në vlerësimin tim, nuk po reflekton mjaftueshëm ndryshimet dhe pritshmëritë e gjeneratës së re. Këtu është krijuar hendeku që duhet kapërcyer.


Kriza nuk mund të zgjidhet duke kërkuar që të rinjtë t’i përshtaten politikës së vjetër. Politika duhet të kuptojë se shoqëria ka ndryshuar dhe se mënyra e përfaqësimit të saj duhet të ndryshojë gjithashtu.



Nëse do të duhej të identifikonit disa hapa konkretë për të dalë nga kjo situatë, cilat do të ishin prioritetet tuaja: dialogu mes institucioneve dhe studentëve, ndryshimet në politikat arsimore, mekanizmat e llogaridhënies apo një qasje më e gjerë ndaj krizës së besimit? Dhe çfarë duhet të ndryshojë që të rinjtë ta shohin Shqipërinë si një vend ku ia vlen të studiojnë, të jetojnë dhe të ndërtojnë të ardhmen e tyre?


Unë mendoj se kemi nevojë për një reflektim shumë më të gjerë sesa zgjidhja e një proteste apo e një krize politike të momentit.


Së pari, duhet të krijojmë mekanizma të përhershëm dhe funksionalë të dialogut me nxënësit dhe studentët. Çfarë i kushton Shqipërisë që, për shembull, njëherë në tre vjet të organizojë një debat të madh publik për arsimin, për gjendjen e universiteteve, për kërkesat e studentëve, për nevojat e tregut të punës, për sfidat dhe për objektivat e viteve të ardhshme?


Pse duhet të presim që studentët të ngrihen në protestë për të kuptuar se ekziston një problem? Pse duhet të ketë gjithmonë krizë që institucionet të pranojnë dialogun?


Së dyti, duhet të rishikojmë seriozisht modelin tonë arsimor. Çfarë shkollash duam? Çfarë mësuesish dhe pedagogësh duam? Çfarë profilizimi duhet të kenë shkollat dhe universitetet? Si mund t’i lidhim ato me tregun e punës? Si mund të bëjmë një rajonalizim më racional të arsimit, sipas nevojave dhe potencialeve të vendit?


Si mund të krijojmë një gjeneratë të re mësuesish, më të formuar profesionalisht, më konkurrues në raport me standardet europiane, por edhe më demokratë në kulturën dhe formimin e tyre qytetar?


Ne duhet të synojmë që Shqipëria të ketë jo vetëm ligje si Bashkimi Europian, por edhe institucione, shkolla, universitete, njerëz, mentalitet dhe kulturë demokratike të krahasueshme me vendet e BE-së.


Studenti shqiptar duhet të ketë mundësi të barabarta në formim, programe, praktikë profesionale, njohjen e diplomës dhe perspektivën për karrierë me bashkëmoshatarët e tij europianë.


Së treti, duhet të ndërtojmë një sistem real meritokracie. Duhet të krijojmë kushte që çdo i ri, pavarësisht nëse jeton në Tiranë, në një qytet të vogël apo në një fshat të largët, të ndihet pjesë e shoqërisë, të dëgjohet, të respektohet dhe të ketë mundësi të barabarta.


Të ketë akses në informacion, në arsim cilësor, në punë, në karrierë, në teknologji, në sport, në kulturë, në testimin dhe promovimin e aftësive të veta. Të përfitojë nga programet europiane, nga shkëmbimet akademike, nga politikat sociale, nga mundësitë për studime dhe nga qarkullimi i lirë i dijes.


Nuk mund të kemi një shoqëri ku një pjesë e të rinjve kanë mundësi të pakufizuara për shkak të lidhjeve familjare, politike apo ekonomike, ndërsa pjesa tjetër duhet të përballet me pengesa të vazhdueshme për të siguruar edhe mundësitë më elementare.


Barazia e mundësive duhet të vlejë për të gjithë, edhe për të rinjtë që nuk kanë prindër politikanë, zyrtarë të lartë, njerëz me ndikim apo me akses të privilegjuar në burimet publike.


Së katërti, duhet të rikthejmë konceptin e qytetarit të pavarur. Qytetarit që mendon lirshëm, që është i formuar, demokratik, kritik ndaj pushtetit, por edhe i përgjegjshëm ndaj komunitetit dhe vendit të tij.


Në politikë ekziston një ide e rëndësishme: nga qytetar që thjesht jeton në një vend, duhet të bëhesh qytetar që ndihet përgjegjës për atë vend, për bashkësinë ku bën pjesë, për trashëgiminë dhe për të ardhmen e tij.

Më pëlqen koncepti se atdheu është edhe aty ku njeriu ka kopshtin e vet, ku ndihet mirë, ku ndërton familjen, ku bën karrierë, ku respektohet ligji dhe ku mund të krijojë vazhdimësinë e jetës së tij.


Të njëjtat kritere duhet t’i kemi edhe ne.


Ne duhet ta bëjmë Shqipërinë një vend ku të rinjtë të duan të jetojnë, jo thjesht një vend nga i cili të mos kenë mundësi të largohen. Një vend ku ndihen pjesë e shoqërisë, ku respekti nuk varet nga njohjet politike, ku karriera nuk varet nga patronazhi dhe ku aftësia individuale ka vlerë reale.


Shikoni, kemi një paradoks të madh: Shqipëria po avancon në procesin e integrimit europian, por progresi institucional dhe ligjor nuk po reflektohet në të njëjtën masë në jetën e përditshme të qytetarëve. Ne mund të kemi rrugë më të mira, ndërtesa më moderne dhe më shumë turistë, por kjo nuk mjafton për të thënë se kemi ndërtuar një shoqëri më demokratike, më të drejtë dhe më konkurruese.


Duhet të integrohemi në Europë jo vetëm si territor, si ekonomi apo si legjislacion, por edhe si shoqëri, si kulturë, si mentalitet, duke ruajtur pjesën më të mirë të trashëgimisë sonë dhe duke korrigjuar gabimet e së kaluarës.


Dhe këtu vjen pyetja që duhet të na shqetësojë të gjithëve: si është e mundur që shkollat tona, në vend që të përgatisin qytetarë të lirë, të aftë dhe të përgjegjshëm, të mos arrijnë t’u japin shumë të rinjve besimin se mund të ndërtojnë të ardhmen në vendin e tyre? 


Si është e mundur që një gjeneratë e tërë të ndihet e papërfaqësuar, e parespektuar dhe e padëgjuar? 


Këto pyetje meritojnë debat publik, përgjigje institucionale dhe alternativa konkurruese nga qeveria, opozita, universitetet, shoqëria civile dhe të gjithë aktorët e tjerë.


Arsimi dhe perspektiva e gjeneratës së re duhet të jenë ndër temat kryesore të debatit politik dhe zgjedhor, jo çështje dytësore që rikthehen vetëm kur ka protesta. 


Në fund të fundit, sfida jonë nuk është thjesht si t’i bindim të rinjtë të mos largohen nga Shqipëria. Sfida është si ta bëjmë Shqipërinë një vend ku ata dëshirojnë të qëndrojnë, sepse ndihen të lirë, të respektuar, të barabartë dhe kanë mundësi reale të ndërtojnë të ardhmen e tyre. Ky është, sipas meje, edhe ndryshimi më i madh që duhet të sjellë gjenerata e re: jo vetëm ndryshimin e politikës, por ndryshimin e marrëdhënies midis qytetarit, shtetit dhe shoqëri



© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

163 Lexime
6 orë më parë