PËR TË PUNUAR vs ME PUNUE?

Pse paskajorja gege nuk është integruar dot në shqipen standarde?

Në këtë artikull sjellim një analizë mbi temën delikate dhe aq të diskutuar të integrimit të paskajores gege në gjuhën shqipe standarde, nga redaktorja Sevi Lami Agolli. Faktet e mëposhtme janë mbështetur në analiza të gjuhëtarëve dhe studiuesve të shquar për këtë çështje.

“PËR TË PUNUAR” APO “ME PUNUE”?


Ja pesë arsyet pse paskajorja gege nuk integrohet dot në standard


Format e pashtjelluara të foljes për nga ndërtimi ndahen në dy grupe:


I) në grupin e parë hyn pjesorja (larë) dhe, po ashtu, hyjnë format e ndërtuara mbi bazën e saj, si: forma mohore (pa larë) dhe përcjellorja (duke larë);  

II) në grupin e dytë futen format e tipit: “për të larë” (paskajorja) dhe “me të larë” (forma pohore).


Pra, kemi pesë forma të pashtjelluara: pjesoren, mohoren, përcjelloren, paskajoren dhe pohoren. Mirëpo, sipas morfologjisë së gjuhës shqipe, hasim edhe një formë tjetër të pashtjelluar, që përdoret si paskajore në të folmen e gegërishtes: “ME PUNUE”, “ME FJETË”, “ME FOLË”, “ME ARDHË” etj. Kjo formë futet në grupin e formave të pashtjelluara, që formohet me pjesëzën “ME” dhe me formën e pjesores së foljes. Kjo formë nuk është integruar ende në standardin e gjuhës shqipe.  


PSE? 


Nga e gjithë analiza ose nga të gjitha debatet mbi këtë çështje, edhe pse dialekti im është gegërishtja, duke punuar çdo ditë me gjuhën shqipe, duke prekur përditë zhvillimet e saj, mendoj se gjuha është një sistem zhvillimor, që shumë herë “i vendos vetë rregullat e saj”. E, në këtë debat gjuhësor, mendimi im përkon me analizën e prof. Mehmet Çelikut dhe studiuesit Ardian Vehbiu, ku sipas këtij të fundit, kjo formë e pashtjelluar e gegërishtes nuk është integruar, sepse: 


1. Integrimi i saj has në disa vështirësi të pakapërcyeshme, të cilat kanë të bëjnë me morfologjinë e pjesores gegërishte, ku një nga dallimet themelore të toskërishtes me gegërishten, në rrafshin fonetik, është dallimi i grupeve “ua/ue”. Atje ku toskërishtja ka “ua”, gegërishtja ka “ue”. Ky dallim është gjithëpërfshirës, në rrënjë të fjalëve, në mbaresa, madje edhe në mjete fjalëformuese, si prapashtesat. Standardi ka zgjedhur si rregull grupin toskë “ua”, në vend të grupit “ue”, por ka marrë prej gegërishtes format e tipit “sulmues, lexues, i lexueshëm, i lavdërueshëm” etj. 


2. Edhe pse toskërishtja dhe standardi i mbështetur mbi të nuk e ka këtë paskajore të gegërishtes, nuk haset asnjë vështirësi për t’i shprehur funksionet e paskajores së gegërishtes me mënyrat e tyre.  


3. Ka më se 100 vjet që shkrimtarët vullnetmirë përpiqen të përdorin ndërtime me paskajoren gegërishte brenda tekstesh të shkruara në standard, por pa sukses.


4. Nëse paskajorja e gegërishtes do të futej në standard, atëherë duhej përfshirë krejt sistemi foljor i gegërishtes, gjë që do të ishte e mundshme, por e pagjasë, në rrethanat kur u kristalizua shqipja zyrtare. Sistemi foljor i gegërishtes trupëzon shumë nga ato karakteristika fonetike dhe gramatikore, të cilat e dallojnë gegërishten nga toskërishtja. Nëse do të futej në standard sistemi foljor i gegërishtes, atëherë edhe fonetika e shqipes së njësuar duhej të ndiqte modelin gegërishte. Paskajorja e gegërishtes nuk mund të shartohej në standard pa e përmbysur këtë të fundit, meqë ajo paskajore shpreh thelbin fonetik dhe gramatikor të dialektit gegë dhe të variantit letrar përkatës.


5. Natyrisht, edhe gegërishtja letrare fare mirë mund të kishte shërbyer si bazë e shqipes së njësuar, ngaqë nga pikëpamja gjuhësore dhe kulturore përmbushte funksionet. Mirëpo, ishte dhe është shumë e vështirë përzierja korrekte dhe oportuniste e të dy dialekteve, nëpërmjet bashkëjetesës së formave paralele në një sistem”. Veç kësaj, paskajorja nuk ka të njëjtin përdorim në të folmet e gegërishtes: është më e shpeshtë në veri (p.sh., në Shkodër) dhe vjen duke u rralluar duke shkuar drejt jugut (p.sh., në Elbasan, Tiranë). Kështu që kodifikimi i përdorimit të paskajores do të ishte shumë problemor. Në rast se një tekst në gjuhën standarde do t’u jepej tre-katër personave për ta kthyer gegërisht duke përdorur paskajoren, do të dilnin tri-katër variante të ndryshme për nga masa e përdorimit të saj.


Prof. Mehmet Çeliku e përjashton një ndërhyrje të tillë në standard, me arsyetimin se “këto integrime do të cenonin bazën e standardit të shqipes, do të sillnin pështjellim në komunikim, shtimin e përjashtimeve nga rregullat e standardit dhe rritjen e vështirësisë në përvetësimin e këtyre rregullave”.


Me këtë analizë nuk “zhvlerësohet” assesi dialekti gegë dhe prodhimi letrar i traditës në këtë dialekt, sepse ai është pjesë e gjuhës shqipe dhe i ka dhënë asaj një pasuri të madhe fjalësh e shprehjesh. Pena e Fishtës, e Mjedës, Pashko Vasës, Koliqit, Shirokës etj., i kanë dhënë shqipes një pasuri të vyer fjalësh e shprehjesh plot ngjyra e melodi.


Të dy dialektet e shqipes, ashtu si dialektet e çdo gjuhe, karakterizohen nga prania e elementeve gjuhësore të përbashkëta dhe e disa elementeve të veçanta që i dallojnë midis tyre. Në sistemin fonetik, në strukturën gramatikore dhe në fjalor, elementet e përbashkëta të dy dialekteve tona janë më të shumta dhe më të rëndësishme sesa elementet që i dallojnë ato. Këto elemente të përbashkëta përbëjnë atë që mund të quhet njësia e shqipes si gjuhë kombëtare e të gjithë shqiptarëve, megjithëse një pjesë e shqiptarëve e kanë dialektin amtar me paskajore e një pjesë pa paskajoren (e tipit me punue).


Por të mos harrojmë: vetëm gjuha e unifikuar standarde na bashkon dhe na mban të tillë. T’i përdorim dialektet tona, por duke ruajtur fort gjuhën standarde shqipe! 



Nga Sevi Lami Agolli, redaktore 

©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.  

4,123 Lexime
2 vjet më parë