Aktualitet

Qeveria merr vendimin: Nga 1 korriku paga mesatare e mësuesve do të bëhet 950 euro

Qeveria miratoi vendimin për rritjen e pagave për 30 mijë punonjës në sistemin arsimor parauniversitar. Nga 1 korriku paga mesatare e mësuesve do të rritet me 18 mijë lek të reja në muaj, duke e çuar pagën mesatare të mësuesve në 950 euro.

Qeveria miratoi sot vendimin për rritjen e pagave për mësuesit dhe punonjësit në sistemin arsimor parauniversitar.


Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, në komunikimin me median pas mbledhjes së qeverisë, e ka konsideruar këtë vendim historik për motivimin dhe mbështetjen e mësuesve dhe rritjen e cilësisë së mësimdhënies.


“Dua të ndaj me ju, por mbi të gjitha me mësuesit në sistemin tonë arsimor, një lajm vërtetë të mirë përsa i përket rritjes historike të pagave për mësuesit, e cila fillon nga 1 korriku dhe do të përfshijë 30 mijë punonjës në sistemin tonë arsimor, duke qenë kjo rritja më e madhe e pagave në këto dekada. Paga mesatare e mësuesve rritet me 18 mijë lek të reja/muaj apo me tre paga në vit, duke e çuar pagën mesatare të mësuesve 950 euro”,- tha Ministrja Manastirliu.


Pagat e mësuesve të arsimit të mesëm të lartë me 15 vite eksperiencë shkon 98,500 lekë. Pagat e mësuesve të arsimit të mesëm të ulët me 15 vite eksperiencë shkon 96,600 lekë. Pagat e mësuesve të arsimit të ulët 9-vjeçar me 15 vite eksperiencë shkon 95,000 lekë.


Nga kjo politikë e re pagash përfitojnë gjithashtu edhe punonjësit e shërbimit psiko-social (psikologët dhe punonjësit socialë), oficerët e sigurisë në këto institucione, të cilët luajnë rol tepër të rëndësishëm në mirëqenien e dhe sigurinë e fëmijëve.  


“Paga e një punonjësi të shërbimit psikosocial në shkolla me 15 vite eksperiencë shkon 91,000 lekë dhe paga e një oficeri sigurie shkon 80, 000 lekë në muaj”,- tha Ministrja Manstirliu. 


Kjo politikë pagash është gjithëpërfshirëse dhe përfitojnë gjithashtu edhe edukatorë në kopshte dhe çerdhe si dhe mësues të arsimit profesional.


Risitë në këtë skemë pagash janë: Rritja e  masës së shpërblimit për mësuesit sipas kategorisë së kualifikimit, duke dyfishuar pagesën për kualifikimin për mësuesit e kualifikuar dhe mësuesit specialistë dhe duke rritur me 50% për mësuesit mjeshtër. Pagesa për vjetërsinë në punë përllogaritet mbi pagën e pozicionit për 30 vite punë në ndryshim nga aktuale ku përllogaritet mbi pagën e grupit deri në 25 vite punë. Përafrimi i pagave të mësuesve të arsimit 9-vjeçar me ata të mesëm. Shtimi i roleve të reja në shkollë si mësuesi/koordinator i cilësisë dhe orientimit të karrierës i cili do të ndihmojë në rritjen e cilësisë në mësimdhënie dhe në kualifikimin e mësuesve.



©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,373 Lexime
3 muaj më parë