NJOFTIMI ZYRTAR

QSHA: Provimi i licencës do të zhvillohet në muajin prill, ja kriteret dhe rregulla për këtë vit

QSHA ka njoftuar zyrtarisht se të gjithë kandidatët aplikantë për provimin e shtetit në profilet e mësuesisë do të testohen përgjatë muajit prill 2021. Kalendari dhe listat emërore të provimit të licencës, do të publikohen në ditët në vijim. Më poshtë do të gjeni bashkëngjitur edhe njoftimin zyrtar.

“Provimi i shtetit do të zhvillohet gjatë muajit Prill 2021, në godinën e Qendrës së Shërbimeve Arsimore me adresë: Bulevardi “Zhan D’Ark”, Nr. 23, Tiranë (ish-ATSH)”, ky është njoftimi paraprak që ka publikuar Qendra e Shërbimeve Arsimore sa i takon provimit të shtetit për profesionin e rregulluar të Mësuesit, i cili sigurisht do të kryhet sipas rregullave të vendosura antikovid.  


Kalendari dhe listat emërore me oraret përkatëse për çdo kandidat, do të publikohen në ditët në vijim në faqen zyrtare të Qendrës së Shërbimeve Arsimore www.qsha.gov.al. 


Gjatë paraqitjes për pjesëmarrje në provim, kandidati duhet të ketë parasysh dhe të zbatojë rregullat e mëposhtme:

1. Të paraqitet pranë QSHA-së, i pajisur me mjetet mbrojtëse, maskë dhe doreza plastike;

2. Të zbatojë ruajtjen e distancës fizike 1,5 – 2 metër nga kandidatët e tjerë.;

3. Të ketë me vete vetëm dokumentet e kërkuara dhe mjetin e identifikimit;

4. Të ketë me vete stilolaps për nënshkrimin e deklaratës dhe rezultatit të provimit;

5. Të mos ketë me vete celularë, çanta dhe sende të tjera personale të panevojshme për zhvillimin e provimit.


Kandidati duhet të paraqitet pranë QSHA 30 minuta përpara orarit të publikuar dhe të jetë i pajisur me:

1.Letërnjoftim (Kartë ID ose Pasaportë, dokumenti origjinal);

2.Kopje të Kartës ID ose Pasaportës;

3.Faturën origjinale me vulën përkatëse, të pagesës së tarifës së provimit për llogari të QSHA, të kryer në një bankë të nivelit të dytë (sipas faturës për arkëtim të publikuar në faqen zyrtare të QSHA, bazuar në herën e pjesëmarrjes);

4. Kopje (jo të noterizuara) të diplomave të ciklit të parë dhe të dytë të studimeve të përfunduara; vërtetimin për njohjen dhe njësimin e diplomës në rastet kur studimet janë përfunduar jashtë shtetit; dokumentacionin e lëshuar nga institucioni përgjegjës për arkivat që provon lëshimin e diplomës apo dokumentit të barasvlershëm me të, në rastet kur studimet janë përfunduar në një institucion të arsimit të lartë të mbyllur.

Në mungesë të pajisjes me diplomë të ciklit të dytë të studimeve, kandidati duhet të pajiset nga universiteti përkatës me një vërtetim ku të specifikohet që ai/ajo:

- ka shlyer të gjitha detyrimet për përfundimin e ciklit të dytë të studimeve në edukim. (si dhe njohjen e gjuhës së huaj, në bazë të testimeve të njohura ndërkombëtare dhe në nivelin e specifikuar në aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi);

- emërtesa e plotë dhe lloji i programit të ciklit të dytë të përfunduar

- viti i përfundimit

- numri i matrikullimit

- data e diplomimit


Kandidatët, të cilët nuk paraqesin këto dokumente, nuk mund të marrin pjesë në provimin e shtetit.


Kandidati duhet të mbajë parasysh rregullat e mëposhtme:

  • Ndalohet mbajtja dhe përdorimi i celularëve apo mjeteve të tjera të komunikimit gjatë zhvillimit të provimit, pasi kjo vlerësohet si kriter mos kualifikimi;
  • Ndalohet komunikimi me kandidatët e tjerë gjatë zhvillimit të provimit deri në marrjen e deklaratës së rezultatit;
  • Ndalohet lëvizja përtej vendit të përcaktuar për zhvillimin e provimit;
  • Ndalohet duhani dhe konsumimi i ushqimit në mjediset e provimit.


Për të gjithë kandidatët e regjistruar, lutemi të verifikoni paraprakisht emrin, mbiemrin, profilin, si dhe orarin e provimit në faqen zyrtare të QSHA, në adresën www.qsha.gov.al, “Provimet e Shtetit”, rubrika “Njoftime”, “Lista e kandidatëve për provimin e shtetit”. Në rast pasaktësish t’i drejtohen ZVAP ose DRAP përkatës.

Përtej afatit të përcaktuar nuk do të ketë pranime për pjesëmarrje në provimin e shtetit. Në lidhje me orarin e pjesëmarrjes në provim, ju bëjmë me dije se oraret do të jenë të përcaktuara për çdo kandidat dhe nuk do të ketë ndryshime orari përtej planifikimit të publikuar në faqen zyrtare të QSHA. 


Ky është njoftimi zyrtar i publikuar nga QSHA. 

©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

16,150 Lexime
3 vjet më parë