Aktualitet

Regjistrimet përmes e-Albania në klasat e para dhe të dhjeta fillojnë në 4 deri më 24 korrik

Regjistrimet e nxënësve në klasë të parë dhe të dhjetë në të gjitha shkollat e vendit do të bëhen nga platforma e-Albania. Afatet e regjistrimit për klasat e para janë nga data 4 deri më 17 korrik dhe për klasat e dhjeta 12 deri 24 korrik. Regjistrimi në parashkollor bëhet pranë zonës së banimit, fizikisht.

Regjistrimet e nxënësve në klasë të parë dhe të dhjetë do të bëhen nga platforma e-Albania. Një vit më parë kjo mënyrë regjistrimi u aplikua vetëm në 182 shkolla, ndërsa këtë vit do të përfshijë të gjitha shkollat e vendit.


Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi njoftoi datën e hapjes së portalit dhe nisjen e aplikimeve për fëmijët e klasave të para.


Duke iu drejtuar prindërve dhe mësuesve Ministrja Kushi shprehet se nisur nga përvoja e vitit të kaluar për pilotimin e regjistrimit elektronik të nxënësve në shkollat e qyteteve qendër qarku, si dhe duke reflektuar të gjitha sugjerimet e ardhura për përmirësimin e procesit, këtë vit ia dolën që në të gjitha shkollat e vendit regjistrimi në klasën e parë dhe të dhjetë të bëhet nëpërmjet sistemit e-Albania.


Prindërit do të mund ta regjistrojnë fëmijën në vetëm një minutë, pa pasur nevojë të dorëzojnë dokumente shtesë, të presin në radhë apo të harxhojnë kohë dhe energji.


Afatet e regjistrimit do të jenë si më poshtë:

Për klasat e para 4 - 17 korrik.

Për klasat e dhjeta 12 - 24 korrik.


"Ne jemi të angazhuar maksimalisht që të gjitha shkollat tona të ofrojnë arsim cilësor, gjithëpërfshirës dhe të barabartë për nxënësit, si në qendër ashtu edhe në periferi të çdo bashkie. Prandaj e vlerësojmë shumë mirëkuptimin tuaj për të regjistruar fëmijët në bazë të vendbanimit," - shkruan ministrja.



Çdo prind apo kujdestar ligjor pasi të hyjë në llogarinë e tij në portal, duhet të plotësojë formularin e aplikimit, të përzgjedhë me saktësi njësinë administrative, rrugën dhe shkollën që shfaqet në sistem.  


Sa i përket regjistrimit në parashkollor, ai bëhet pranë zonës së banimit, fizikisht.



©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

8,933 Lexime
1 vit më parë