Rezultate të mira në sondazhe, dobësi në klasë: Raporti i OECD zbulon paradoksin e arsimit shqiptar
A janë rezultatet e sondazheve ndërkombëtare pasqyrë e realitetit të arsimit shqiptar? Eksperti i arsimit Fiqiri Çifliku analizon paradokset që nxjerr raporti i OECD-së: mësues të motivuar në letër, por me mungesë mentorimi, stres të lartë dhe rezultate të dobëta të nxënësve.
Tek rezultatet e sondazheve apo testeve kombëtare apo ndërkombëtare kam pak besim. Kam përshtypjen se ne “trajnohemi” për të imituar pacientin më të keq të mundshëm, atë që nuk i tregon simptomat e tij, për të fshehur sëmundjen që ka në trup përpara syve të botës. Kur doli raporti TALIS 2024, u konsideruar si arritje e madhe, citoj deklarime të kohës: “Mes 55 sistemeve arsimore, mësuesit shqiptar renditen ndër më të mirët, ku spikat motivimi i lartë dhe zgjedhja e profesionit si vokacion nga 85% e tyre. Gjithashtu, Shqipëria rezulton mbi mesataren e anketuar për sa i përket përdorimit të teknologjisë në mësimdhënie dhe suksesit të modelit të Shkollës si Qendër Komunitare përmes bashkëpunimit të ngushtë me prindërit. Reforma kurrikulare me fokus të fortë te shkencat (STEM) dhe integrimin e Inteligjencës Artificiale në klasa, ndërgjegjësimi i nxënësve për tranzicionin e gjelbër deri në fund të vitit 2027, si dhe bashkëpunimi mësues-prindër për të mbrojtur fëmijët nga ndikimet negative të rrjeteve sociale u shënuan si prioritete asokohe.”
Nuk po bëj asnjë koment për çështjen e deklaratave më sipër, lëreni imagjinatën të “rend e lirë”...
Mirëpo, këta të OECD janë pak të çuditshëm dhe “hileqarë”. I kryqëzojnë të dhënat që mbledhin nga burime të ndryshme dhe pastaj nxjerrin konkluzione që ti thonë...ja ashtu me stil.
Ka një raport të vitit 2026 në lidhje me të dhënat e sondazhit që ofron një vështrim më të thellë në gjendjen aktuale të arsimit parauniversitar në Shqipëri. Ai nxjerr në pah një paradoks unik sistemik. Ndërsa motivimi i mësuesve, kënaqësia në punë dhe vlerësimi i perceptuar profesional janë jashtëzakonisht të larta, ekzistojnë mangësi kritike në mënyrën se si arsimimi fillestar i mësuesve, mbështetja strukturore (si mentorimi) dhe metodat e udhëzimit përkthehen në performancën reale të nxënësve.
Më poshtë gjeni një analizë të temave kryesore, sfidave dhe dinamikave strukturore të përshkruara në të dhënat e publikuara në faqen zyrtare të OECD-së.
- Mbështetja profesionale mentorimi dhe vlerësimi
Nga analiza e të dhënave mbi mbështetjen profesionale buron një kontrast i thellë midis strukturave administrative dhe efikasitetit të tyre real në terren, duke nxjerrë në pah një sistem arsimor që shpesh priret nga formaliteti sesa nga mbështetja organike. Ky ngurtësim strukturor reflektohet qartë te vlerësimi zyrtar i mësuesve, i cili, ndonëse aplikohet në shkallë absolute (100%), rrezikon të kthehet në një proces thjesht burokratik dhe penalizues që ushqen stresin dhe "llogaridhënien e detyruar," në vend që të funksionojë si një mjet për rritjen profesionale.
Në raport evidentohet fakti që programet e mentorimit ekzistojnë gjerësisht "në letër," por prekin vetëm një pakicë të papërfillshme prej 8% të mësuesve. Kjo dëshmon për një shkëputje alarmante midis politikave arsimore dhe zbatimit të tyre në klasë, duke i lënë sidomos mësuesit fillestarë të pambrojtur përballë sfidave reale. Mbi të gjitha, ky hendek mes teorisë dhe praktikës kulmon me prirjen e re drejt digjitalizimit. Dëshira e madhe e mësuesve për të përdorur Inteligjencën Artificiale (IA) në mësimdhënie mbetet kryesisht një aspiratë teorike dhe sipërfaqësore. Pa një mentorim të fortë individual dhe pa një reformë që e zhvendos vlerësimin nga kontrolli formal te mbështetja praktike, integrimi i teknologjive si IA rrezikon të mbetet thjesht një fasadë moderne, pa arritur kurrë të transformojë cilësinë e nxënies apo të adresojë boshllëqet reale të studentëve në Shqipëri.
- Sfidat demografike dhe të menaxhimit të mësuesve në sistem
Menaxhimi i stafit mësimor në Shqipëri po bëhet gjithmonë e më i vështirë. Rënia e shpejtë e numrit të nxënësve përballet me një trupë mësimore tejet statike të paktën pre 10 viteve numri i punonjësve në sistemin arsimor është i njëjtë (31 mijë nga klasa 1-12). Kjo qëndrueshmëri artificiale, e shoqëruar me presionin e lartë administrativ, ka zhvendosur barrën e stresit te mësuesit me përvojë, duke cenuar mirëqenien e tyre. Mësuesit me përvojë raportojnë nivele më të larta të stresit të lidhur me punën që ndikon në mirëqenien e tyre, krahasuar me mësuesit fillestarë. Sistemi aktual funksionon nën një paradoks kritik, ku llogaridhënia e tepërt burokratike dhe mungesa e fleksibilitetit demografik po penalizojnë stafin mësimor në vend që të optimizojnë burimet për cilësinë e arsimit. Si stresues kryesorë ata përmendin korrigjimin e detyrave/vlerësimin dhe faktin që mbahen përgjegjës për arritjet e nxënësve, gjë që sugjeron një theks të vazhdueshëm te vlerësimet me rëndësi të lartë (provimet kombëtare/llogaridhënia).
- Arsimi gjithëpërfshirës dhe gatishmëria e mësuesve të rinj
Të dhënat evidentojnë një shpërndarje të pabarabartë të sfidave në klasë dhe mungesa në përgatitjen fillestare të mësuesve. Vetëm 5% e drejtorëve raportojnë se më shumë se 10% e nxënësve të tyre janë nxënës me Nevoja Arsimore Veçante (NAV). Raporti vëren se kjo mund të lidhet me dallimet në identifikim, raportim ose integrim, dhe jo me një mungesë reale të këtyre nevojave, pavarësisht reformave të vazhdueshme për arsimin gjithëpërfshirës. Ironikisht, mësuesit fillestarë kanë më shumë gjasa se kolegët e tyre me përvojë që të japin mësim në klasa me nxënës me nevoja të shumëllojshme dhe sfida të sjelljes. Këta mësues fillestarë raportojnë se arsimimi i tyre fillestar universitar nuk i ka përgatitur mjaftueshëm për realitetin e mësimdhënies në kontekste të tilla gjithëpërfshirëse dhe për menaxhimin e sjelljeve sfiduese.
- Paradoksi "Mësimdhënie vs. Arritje"
Ekziston një shkëputje e dukshme mes asaj që mësuesit raportojnë se bëjnë në klasë dhe mënyrës se si nxënësit performojnë realisht në vlerësimet ndërkombëtare (si PISA). Një pjesë e madhe e mësuesve në Shqipëri raportojnë se përshtatin shpesh udhëzimet/mësimin me nevojat e nxënësve të tyre dhe përdorin praktika të ndryshme vlerësimi. Shumë prej tyre raportojnë gjithashtu përdorimin e Inteligjencës Artificiale (AI) për këto qëllime. Pavarësisht këtyre praktikave të raportuara të përshtatjes dhe fokusit te nxënësi, shumë nxënës në Shqipëri performojnë nën nivel në vlerësimet ndërkombëtare. Kjo sugjeron që përshtatja dhe vlerësimi formues nuk janë gjithmonë efikase në identifikimin dhe adresimin e saktë të boshllëqeve në nxënie.
Burimi
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Etika nën presion/ Gazetarja Marieta Mërkuri: Si e deformon mesatarja arsimin dhe çfarë duhet ndryshuar?
Drejtoresha Anila Çota rrëfen rrugëtimin e shkollës “Qamil Guranjaku” si fituese e vendit të dytë në Konkursin e Gjuhës Shqipe
Si të bëhesh oficer sigurie në shkolla? Eksperti i arsimit, Fiqiri Çifliku: Ja procedurat, kriteret dhe ndryshimet në VKM nr. 600