Samiti i Diasporës, Kumbaro: Shqipja prioritet arsimor përmes certifikimit dhe standardizimit
Në Samitin e Diasporës në Tiranë, ministrja Mirela Kumbaro theksoi se ruajtja e shqipes kërkon standardizim, certifikim dhe politika afatgjata. Ajo nënvizoi nevojën për kurrikula të reja dhe një qasje të strukturuar për brezat në diasporë.
Në edicionin e katërt të Samitit të Diasporës që po mbahet këto ditë në Tiranë, gjatë panelit dedikuar gjuhës shqipe “Standardizimi dhe certifikimi i gjuhës shqipe në Diasporë”, ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro theksoi rëndësinë e politikave të qëndrueshme dhe afatgjata për ruajtjen e gjuhës shqipe në Diasporë si dhe standardizimin e certifikimin e saj.
“Migracioni dhe krijimi i komuniteteve të mëdha shqiptare jashtë vendit kanë bërë që breza të tërë të rriten në mjedise shumëgjuhëshe, ku shqipja nuk është më gjuha e shkollimit, por shpesh mbetet vetëm gjuha e familjes. Në këto kushte, sfidat e mësimdhënies së gjuhës shqipe në diasporë janë bërë më komplekse. Nuk kemi më të bëjmë vetëm me transmetim të natyrshëm të gjuhës nga një brez në tjetrin, por me nevojën për ndërhyrje të strukturuar arsimore. Brezi i parë e ruan gjuhën spontanisht; brezi i dytë ka nevojë për mbështetje; ndërsa brezi i tretë rrezikon ta humbasë atë nëse nuk ndërtojmë politika të qarta dhe të qëndrueshme. Kjo është arsyeja pse diaspora duhet të shihet jo thjesht si një realitet kulturor, por si një realitet arsimor që kërkon politika të posaçme, të menduara në mënyrë sistematike dhe afatgjatë. Prandaj kemi nevoje për një Agjenci Kombëtare për gjuhën shqipe. Kjo nuk është një çështje terminologjie, por një ndryshim thelbësor në qasje pedagogjike.", tha ministrja.
Ministrja e Arsimit, gjatë fjalës së saj shpjegoi edhe vizionin mbi të cilin do të hedhë themelet kjo agjenci, duke nënvizuar se kjo sfidë lidhet drejtpërdrejt edhe me vizionin tonë për Shqipërinë 2030.
"Mësimi i gjuhës si gjuhë e prejardhjes nuk i përgjigjet plotësisht nevojave të nxënësve që e mësojnë shqipen me ekspozim të kufizuar, në kohë të reduktuar dhe jashtë një mjedisi natyror gjuhësor. Standardizimi në këtë fazë nënkupton ndërtimin paralel të dy shtyllave: ruajtjen dhe zhvillimin e kurrikulës së gjuhës shqipe si gjuhë e trashëgimisë, dhe njëkohësisht krijimin e një kurrikule të re për gjuhën shqipe si gjuhë e dytë apo e huaj, të përshtatur me realitetin e diasporës. Kjo kërkon gjithashtu ndërtimin e një kornize kombëtare për gjuhën shqipe, e cila të përcaktojë nivelet e kompetencës gjuhësore dhe të harmonizohet me Kornizën e Përbashkët Evropiane të Referencës për Gjuhët (A1/2 B1/2 C1/2). Nëse arrijmë ta ndërtojmë këtë sistem, ne nuk do të kemi bërë vetëm një reformë arsimore. Ne do të kemi krijuar një urë të qëndrueshme mes brezave, mes Shqipërisë dhe diasporës, mes trashëgimisë dhe së ardhmes", tha ministrja e Arsimit.
Në fjalën e saj, ministrja Kumbaro vlerësoi veçanërisht përpjekjet dhe organizimet e mësuesve e komuniteteve të diasporës për një qasje të unifikuar të gjuhës shqipe.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Etika nën presion/ Gazetarja Marieta Mërkuri: Si e deformon mesatarja arsimin dhe çfarë duhet ndryshuar?
Fondi i pyetjeve për provimin e licencës, për të gjitha profilet
Drejtoresha Anila Çota rrëfen rrugëtimin e shkollës “Qamil Guranjaku” si fituese e vendit të dytë në Konkursin e Gjuhës Shqipe