Selime Barolli: Projekti Kurrikular si qasje pedagogjike për zhvillimin e kompetencave në Arsimin Fillor
Selime Barolli e trajton projektin kurrikular si qasje thelbësore për zhvillimin e kompetencave në arsimin fillor. Përmes integrimit ndërkurrikular, planifikimit strategjik, vlerësimit formativ dhe partneritetit shkollë-familje,nxënësi vendoset në qendër, duke ndërtuar dijen, aftësitë dhe identitetin qytetar.
Projekti kurrikular përfaqëson një nga qasjet më efektive pedagogjike për realizimin e objektivave të kurrikulës së bazuar në kompetenca në kontekstin e reformave bashkëkohore në arsim, të orientuara drejt zhvillimit të kompetencave dhe të nxënit gjatë gjithë jetë.
Projekti kurrikular nuk duhet konceptuar si një aktivitet periferik apo plotësues, por si një strategji didaktike e strukturuar, e cila integron njohuritë, aftësitë, vlerat dhe qëndrimet në një proces të unifikuar të të nxënit. Ai mbështetet në parimet e konstruktivizmit, duke e konsideruar nxënësin si subjekt aktiv në ndërtimin e dijes.
1. Në dimensioni ndërkurrikular
Një nga karakteristikat thelbësore të projektit kurrikular është natyra e tij ndërkurrikulare. Në arsimin fillor, integrimi i fushave të ndryshme lëndore krijon mundësi për ndërtimin e lidhjeve konceptuale dhe për transferimin e njohurive nga një kontekst në tjetrin. Kjo qasje shmang fragmentarizimin e dijes dhe promovon të nxënit kuptimplotë.
Ndërthurrja e përmbajtjeve mësimore në kuadër të një teme të përbashkët kontribuon në zhvillimin e kompetencave kyçe, si:
- kompetenca e komunikimit dhe te shprehurit
- kompetenca e të menduarit kritik dhe krijues
- kompetenca e të nxënit
- Kompetenca për jetën, sipërmarjen dhe mjedisin
- Kompetenca personale
- kompetenca qytetare
- kompetenca digjitale
2. Përcaktimi i qëllimeve dhe rezultateve të të nxënit
Një projekt i mirëstrukturuar fillon me formulimin e qartë të qëllimeve dhe rezultateve të të nxënit. Këto rezultate duhet të jenë të harmonizuara me programet mësimore dhe të reflektojnë dimensionet njohëse, aftësi zbatuese dhe qëndrime të zhvillimit të nxënësit.
Formulimi i rezultateve të matshme siguron transparencë në procesin e vlerësimit dhe orienton si mësuesin ashtu edhe nxënësin drejt pritshmërive të qarta.
3. Planifikimi si proces strategjik
Planifikimi i projektit përbën fazën strategjike të ndërhyrjes pedagogjike. Ai përfshin:
- analizën e kontekstit dhe të nevojave të nxënësve;
- përzgjedhjen e temës në përputhje me interesat dhe moshën;
- hartimin e kalendarit të aktiviteteve;
- përcaktimin e burimeve didaktike;
- organizimin e punës në grupe bashkëpunuese.
Planifikimi efektiv minimizon improvizimin dhe garanton koherencë midis objektivave, aktiviteteve dhe produktit final.
4. Roli i mësuesit në zbatimin e projektit
Në kuadër të projektit kurrikular, roli i mësuesit transformohet nga transmetues i informacionit në mbeshtetje dhe orientim për nxënësin që nxënësi ta zbuloje dhe ndërtojë vetë dijen për të nxënët. Ai udhëheq procesin, monitoron progresin, ofron feedback konstruktiv dhe krijon një klimë mbështetëse për eksplorim dhe reflektim.
Monitorimi i vazhdueshëm i progresit të nxënësve lejon ndërhyrje të diferencuara pedagogjike, duke respektuar ritmin dhe potencialin individual të secilit nxënës.
5. Produkti final dhe vlerësimi
Produkti final përfaqëson konkretizimin e procesit të të nxënit. Ai duhet të pasqyrojë arritjen e rezultateve të përcaktuara dhe të demonstrojë integrimin e njohurive dhe aftësive të zhvilluara.
Vlerësimi në projektin kurrikular duhet të jetë formativ dhe përmbledhës. Ai nuk kufizohet vetëm në produktin final, por përfshin të gjithë procesin: përfshirjen, bashkëpunimin, kërkimin, kreativitetin dhe reflektimin.
Portofoli i nxënësit shërben si instrument dokumentimi dhe vetëvlerësimi, duke ofruar evidenca të progresit dhe zhvillimit të kompetencave.
6. Prezantimi dhe zhvillimi i aftësive komunikuese
Prezantimi i projektit përbën një dimension të rëndësishëm të zhvillimit personal dhe social të nxënësit. Ai kontribuon në:
- strukturimin logjik të informacionit;
- përdorimin e terminologjisë së saktë;
- zhvillimin e gjuhës verbale dhe jo-verbale;
- menaxhimin e emocioneve dhe stresit.
Këto elemente janë thelbësore për formimin e individëve të aftë për të komunikuar në mënyrë efektive në kontekste të ndryshme.
7. Partneriteti shkollë-familje
Zbatimi i suksesshëm i projekteve kërkon bashkëpunim të qëndrueshëm mes shkollës dhe familjes. Partneriteti mësues–prind forcon mbështetjen ndaj nxënësit, rrit motivimin dhe kontribuon në krijimin e një kulture bashkëpunimi në komunitetin shkollor.
Përfshirja e prindërve në forma të ndryshme me informim, mbështetje me burime, pjesëmarrje në aktivitete e bën procesin më gjithëpërfshirës dhe më të qëndrueshëm.
8. Reflektimi është komponent thelbësor
Reflektimi përbën fazën përmbyllëse dhe njëkohësisht fillimin e përmirësimit të vazhdueshëm. Përmes reflektimit, nxënësit analizojnë përvojën e tyre, identifikojnë arritjet dhe sfidat, si dhe ndërtojnë vetëdijen për procesin e të nxënit.
Edhe mësuesi, përmes reflektimit profesional, rishikon praktikat didaktike dhe identifikon mundësi për zhvillim të mëtejshëm
Në përfundim, projekti kurrikular përfaqëson një qasje pedagogjike që i përgjigjet kërkesave të arsimit bashkëkohor. Ai promovon integrimin e dijes, zhvillimin e kompetencave dhe përfshirjen aktive të nxënësve në procesin e të nxënit.
Zbatimi i tij kërkon planifikim strategjik, profesionalizëm pedagogjik dhe kulturë bashkëpunimi. Megjithatë, përfitimet në zhvillimin akademik dhe personal të nxënësve e bëjnë projektin kurrikular një instrument të domosdoshëm në praktikën tonë mësimore. Projekti është veprimtari ku dija merr kuptim, bashkëpunimi merr formë dhe nxenesi fillon të ndërtojë veten. Aty ku nxënësi krijon dhe prezanton aty fillon formimi i tij si qytetar i të ardhmes.
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë
Prindërimi i suksesshëm, sfida më e madhe e familjes së sotme!
Për t'u edukuar nuk mjafton arsimimi
Kualifikimi i mësuesve 2025, procedurat dhe kriteret e vlerësimit