
Seminari XVII mbarëkombëtar, studimi: Gjuha shqipe në diasporë, roli i mësuesit mes dygjuhësisë dhe ndërkulturalizmit
Studimi i Dr. Ermira Ymeraj dhe MSc. Aurela Konduri hedh dritë mbi sfidat e mësimdhënies së gjuhës shqipe në diasporë, duke analizuar dygjuhësinë, ndërkulturalizmin dhe rolin vendimtar të mësuesit në ruajtjen e identitetit kombëtar.
Gjatë Seminarit XVIII mbarëkombëtar me mësuesit e gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në diasporë, u prezantua një studim i thelluar i realizuar nga Dr. Ermira Ymeraj (Shqipëri) dhe MSc. Aurela Konduri (Greqi), i cili fokusohet në sfidat dhe perspektivat e ruajtjes së gjuhës shqipe në komunitetet shqiptare jashtë atdheut. Ky studim, i mbështetur në të dhëna të mbledhura përmes pyetësorëve nga mësues, prindër dhe nxënës në vende si Greqia, Italia, Gjermania, Zvicra, Kanadaja, Austria, Anglia e Suedia, nxjerr në pah rolin kyç të mësuesit si edukator, ndërmjetës kulturor dhe ruajtës i identitetit. Dygjuhësia dhe ndërkulturalizmi trajtohen si sfida dhe mundësi njëkohësisht, ndërsa rekomandimet e studimit theksojnë nevojën për mbështetje institucionale, trajnime profesionale dhe angazhim më të madh të prindërve për ruajtjen e gjuhës amtare.
Nga Dr. Ermira Ymeraj (Shqipëri)/ Msc. AurelaKonduri (Greqi)
([email protected]) / ([email protected])
Hyrje
Studimi trajton sfidën e ruajtjes së gjuhës shqipe në diasporë si një çështje kyçe për identitetin kulturor dhe gjuhësor të shqiptarëve jashtë atdheut.Ndërkulturalizmi shihet si një proces bashkëjetese që integron kulturën e vendit pritës pa humbur identitetin origjinal, por kjo kornizë teorike nuk mjafton për mësuesit e gjuhës shqipe në diasporë, të cilët kanë një rol shumëdimensional si edukatorë, ndërmjetës kulturorë dhe mentorë të identitetit. Përmes metodave të ndryshme didaktike dhe teknologjisë, ata mundësojnë transmetimin ndërbreznor të gjuhës dhe kulturës (1) .
Studimi, përmes pyetësorëve për prindër, nxënës dhe mësues synon të ndihmojë për të kuptuar dinamikat e mësimdhënies, modelet e ruajtjes së gjuhës në komunitetet emigrante dhe praktikat mësimore, duke përdorur analiza statistikore krahasuese. Kjo na mundësoi një vështrim të plotë dhe të thelluar mbi konceptet: dygjuhësi dhe ndërkulturalizëm (2) në diasporë, sfidat dhe motivimet që lidhen me përfshirjen në mësimin plotësues të gjuhës amtare.
Ndërkulturalizmi
Ndërkulturalizmi për mësuesit si koncept, është një qasje arsimore dhe shoqërore që promovon bashkëjetesën, dialogun, respektin dhe mësimin e ndërsjellë ndërmjet kulturave të ndryshme.
Ndërkulturalizmi për prindërit nënkupton që fëmija i tyre mëson të bashkëpunojë, të respektojë dhe të kuptojë fëmijët bartës të kulturave të ndryshme, të zhvillojë aftësi sociale, mirëkuptim dhe të jetë i përgatitur për të jetuar në një shoqëri të larmishme.
Ndërkulturalizmi për nxënësit nënkupton që ata, së bashku me shokët e tyre nga vende të ndryshme, mësojnë, luajnë, bashkëpunojnë, duke ndarë zakonet, gjuhët, lojërat e idetë e tyre.
Vlen të theksojmë se ndërkulturalizmit nuk është vetëm bashkëjetesë, por bashkëpunim aktiv dhe ndërtim komuniteti gjithëpërfshirës (3), ku çdo individ ndjehet i pranuar dhe i vlerësuar. Ndaj u pyetën mësues, nxënës dhe prindër se si e perceptojnë këtë koncept, strategjitë më efektive, dhe përshtatshmërinë e materialeve didaktike me nevojat aktuale për të ruajtur dhe zhvilluar identitetin gjuhësor të nxënësve shqiptarë në diasporë përmes rolit të mësuesit. Për këtë u përdorën tre pyetësorë të veçantë, të shpërndarë elektronikisht përmes GoogleForms gjatë periudhës maj-korrik, duke mundësuar një mbledhje të shpejtë dhe të organizuar të të dhënave. Në studim morën pjesë 68 mësues, 135 prindër dhe 83 nxënës nga komunitete të ndryshme shqiptare në vende si Greqi, Itali, Gjermani, Zvicër, Kanada, Austri, Angli dhe Suedi, duke siguruar një përfaqësim të gjerë gjeografik dhe kulturor për të kuptuar më mirë sfidat dhe nevojat në mësimin e gjuhës shqipe në diasporë.
Gjetjet kryesore përmes pyetësorëve
Analiza e përgjigjeve të pyetësorëve është thelbësore për të kuptuar më konkretisht dinamikat e organizimit të mësimdhënies në kontekste të ndryshme kulturore dhe shoqërore. Ajo mundëson identifikimin e problematikave të përbashkëta dhe të veçanta që lidhen me ruajtjen e gjuhës dhe identitetit kombëtar, përkushtimin e mësuesve, sfidat që hasin nxënësit dhe perceptimet e prindërve. Për më tepër, rezultatet e analizës kontribuojnë në hartimin e politikave dhe strategjive të përshtatshme për të mbështetur mësuesit dhe komunitetet shqiptare në diasporë, duke promovuar mësimdhënien ndërkulturore dhe ruajtjen e gjuhës amtare përmes mësuesve.

Nga pyetësori i mësuesve rezulton se:
Motivimi që i shtyn mësuesit e diasporës t’u mësojnë gjuhën shqipe fëmijëve në diasporë: 97.1% e mësuesve e konsiderojnë mësimdhënien e gjuhës shqipe një mision për ruajtjen e identitetit kombëtar. 48.5% janë të motivuar nga pasioni personal, 16.2% nga kërkesat e prindërve dhe komunitetit, ndërsa 10% përmendin arsye financiare.
Sfidat me të cilat ndeshen mësuesit e diasporës: Mungesa e materialeve të përshtatura (35%), mungesa e motivimit të nxënësve (30%), mbështetje e pamjaftueshme nga prindërit (25%), përzierja e gjuhëve dhe grupmoshave (20%).
Nevojat e tyre drejtohen drejt: Trajnimeve për metodologji e teknika të mësimdhënies bashkëkohore (70%), mbështetje teknike për teknologjinë (55%), mbështetje financiare (50%).

Nga pyetësori i prindërve rezulton se:
Mësimi i gjuhës shqipe:
1. 75% e prindërve e vlerësojnë mësimin e shqipes si një mjet për ruajtjen e identitetit kombëtar.
2. 40% pranojnë se nuk kanë kohë të mjaftueshme për të ndihmuar fëmijët në mësim.
3. 25% nuk e flasin shqipen rregullisht në familje, gjë që ndikon negativisht te motivimi i fëmijëve.
4. Vetëm 20% marrin pjesë rregullisht në aktivitetet e shkollës shqipe.
Italia
Shqipja shihet si thelbësore për lidhjet familjare me gjyshërit, për ruajtjen e identitetit dhe të origjinës. Disa prindër theksojnë mungesën e kohës dhe kurseve, pasi orari i punës shpesh i detyron të flasin italisht me fëmijët. Një prind në Itali thekson: “Arsyeja kryesore është sepse kalojmë pak kohë me fëmijët tanë të flasim shqip, nga oraret e gjata të punës; kur studiojnë, jemi të detyruar t’u flasim italisht. Mungesa e gjyshërve është një tjetër problem, pasi ata kanë një rol të pazëvendësueshëm në rritjen e fëmijëve. Kush ka patur fatin t’i ketë gjyshërit pranë, është rritur me më shumë dashuri dhe mësime.”
Sfida kryesore në Itali lidhet me distancën nga kurset e gjuhës shqipe dhe dominimin e italishtes, ndërsa përparësi mbeten përkushtimi i mësuesve dhe organizimi i kurseve nga komunitetet shqiptare.
Greqia
Prindërit vërejnë një ndikim të fortë të gjuhës greke dhe kërkojnë mbështetje më të madhe institucionale për ruajtjen e shqipes. Një prind thotë: “Që ta bënin gjuhë me zgjedhje në shkollat greke. Që mësuesit të paguhen dhe të bëjnë më shumë orë mësimi. Janë pak 2 orë në javë.”
Shqipja shpesh përballet me stigmatizim social, dhe fëmijët hezitojnë ta flasin atë në publik. Megjithatë, disa shkolla greke ofrojnë hapësira dhe mbështetje për organizimin e kurseve të shqipes, gjë që shihet si hap pozitiv për integrim.
Gjermania
Prindërit e shohin mësimin e shqipes si një përparësi për të ardhmen e fëmijëve dhe për komunikimin me të afërmit. Njëri prej tyre shprehet: “Nëse humbet gjuha, humbet kombi!”
Sfida kryesore mbetet ngarkesa e orëve të shkollës gjermane dhe mungesa e kurseve të mjaftueshme. Përparësitë lidhen me motivimin e mësuesve dhe mbështetjen e disa qendrave kulturore lokale.
Zvicra
Shumë prindër shprehin dëshirën që fëmijët të mos harrojnë gjuhën amtare dhe lidhjet me familjen në Shqipëri. Një prind thotë: “Do doja shumë që fëmijët e mi të kishin secili librin e gjuhës shqipe, si në shkollë edhe në shtëpi, për të ndjekur më mirë mësimin.”Sfida kryesore është mungesa e librave dhe materialeve të tjera mësimore, ndërsa një përparësi e dukshme është ekzistenca e mësuesve të financuar nga institucionet lokale ose nga komuniteti.
Nga pyetësori i nxënësve rezulton se: Mësimi i gjuhës shqipe: 60% e nxënësve ndihen krenarë kur flasin shqip, ndërsa 20% shfaqin pasiguri për shkak të gabimeve gjuhësore. 55% e përdorin shqipen vetëm në shtëpi, ndërsa jashtë saj dominojnë gjuhët e vendeve pritëse. Vetëm 30% e konsiderojnë mësimin e shqipes të lehtë; 50% e lidhin vështirësinë me mungesën e praktikës. 45% thonë se mësimi bëhet më i këndshëm kur përdoren lojëra, këngë dhe videot kulturore.
E dhëna | Nr. i përgjigjeve | % nga totali (65) | Shembuj tipikë |
---|---|---|---|
1. Dygjuhësia si avantazh (arsyet e përgjithshme) | 30 | 46.1% | “Është avantazh sepse di një gjuhë më tepër”, “Është mirë të dish shumë gjuhë” |
2. Avantazh për njohjen e dy kulturave | 9 | 13.8% | “Sepse mund të kuptosh dy kultura të ndryshme”, “Dygjuhësia të hap mendjen” |
3. Avantazh në komunikim dhe lidhje familjare | 7 | 10.7% | “Flas më lehtë me të afërmit në Shqipëri”, “Ndihmoj prindërit si përkthyes” |
4. Avantazh akademik dhe social (për shkollë dhe punë) | 6 | 9.2% | “Në orën e historisë për Skënderbeun ndihesha krenare”, “Më ndihmon në punë” |
5. Avantazh në udhëtime dhe kontakte ndërkombëtare | 4 | 6.1% | “Kur udhëtoj në Shqipëri flas lirshëm”, “Ndihmova në përkthim” |
6. Avantazh për zhvillimin kognitiv (truri punon më shumë) | 3 | 4.6% | “Mendja punon më shumë kur di disa gjuhë” |
7. Disavantazh / ngatërrime gjuhësore | 3 | 4.6% | “Ngatërrohem me fjalët”, “Disa fjalë nuk më vijnë në mend” |
8. Përvoja personale e krenarisë kombëtare | 2 | 3.0% | “Jam krenare që flas shqip në klasë”, “Më thërrasin ‘shqiptari’ me krenari” |
9. Përgjigje neutrale ose të paqarta | 1 | 1.5% | “Nuk e di, nuk flas jashtë shtëpisë” |
Sugjerimet tona:
1. Organizimi i aktiviteteve ndërkulturore (p.sh., ditë kulturore, projekte ku nxënësit paraqesin histori ose tradita shqiptare).
2. Krijimi i klubeve të leximit dhe grupeve të komunikimit online për të ruajtur praktikën gjuhësore.
3. Siç u shprehën disa nxënës, shkrimi është më i vështirë se të folurit, përdorimi i aplikacioneve për gramatikën.
4. Përdorimi i shqipes si bazë për mësimin e gjuhëve të tjera (anglisht, frëngjisht), duke shpjeguar lidhjet dhe dallimet gjuhësore.
5. Organizimi i lojërave gjuhësore që theksojnë ndryshimet mes gjuhëve për të shmangur konfuzionin dhe për të rritur vetëdijen gjuhësore.
Vlerësime të përgjithshme mbi analizat e pyetësorëve
Nisur nga analiza e pyetësorëve për mësuesit, nxënësit dhe prindërit, përcjellim më poshtë disa vlerësime të përgjithshme:Mësuesit janë shtylla kryesore për ruajtjen e gjuhës dhe identitetit kulturor në diasporë. Ata nuk veprojnë vetëm si edukatorë, por edhe si ndërmjetës kulturorë dhe motivues të përfshirjes komunitare.
- 97.1% e mësuesve e konsiderojnë mësimdhënien e shqipes si një mision kombëtar, i lidhur ngushtë me përkushtimin personal dhe ndjenjën e përgjegjësisë ndaj trashëgimisë kulturore.
- Sfidat më të përhapura lidhen me mungesën e materialeve didaktike të përshtatura, motivimin e ulët të nxënësve dhe mungesën e mbështetjes institucionale dhe familjare.
- Metodat dhe teknikat e përdorura janë kreative dhe të larmishme, duke përfshirë dialogun, lojërat, teknologjinë dhe situatat e përditshme, si përpjekje për ta bërë mësimin më tërheqës në mjediset dygjuhëshe.
- Dygjuhësia shihet nga shumica e mësuesve si pasuri, por një pjesë e konsiderueshme e percepton si sfidë për ruajtjen e shqipes, veçanërisht kur mungon përdorimi i saj në familje dhe komunitet.
- Pritshmëritë e mësuesve janë për një komunikim të rrjedhshëm, përforcim të fjalorit dhe njohje të kulturës shqiptare, si elementë të ndërthurur për ruajtjen e identitetit.
- Roli i prindërve mbetet vendimtar, por i luhatshëm: vetëm një pjesë e vogël e tyre janë aktivë dhe të përkushtuar në mënyrë të vazhdueshme për ruajtjen e gjuhës në shtëpi.
Për sa më sipër lypet nevoja për ndërhyrje sistematike dhe bashkëpunim ndërinstitucional për të mbështetur mësuesit dhe për të garantuar vazhdimësinë e mësimit të gjuhës shqipe në diasporë.
Konstatime
Mësuesit janë shtylla kryesore në ruajtjen e shqipes në diasporë, duke vepruar si edukatorë, mentorë dhe ndërmjetës kulturorë, por shpesh në kushte të vështira, pa mbështetje institucionale.
Motivimi i tyre është i lartë dhe i bazuar në ndjenja personale dhe kombëtare, por lodhja dhe mungesa e mbështetjes rrezikon qëndrueshmërinë e tyre në kohë.
Mungesa e materialeve didaktike të përshtatura dhe e mjeteve konkretizuese dobëson cilësinë e procesit mësimor dhe aftësinë për ta bërë mësimin tërheqës për fëmijët.
Diferencat gjuhësore dhe kulturore mes nxënësve, si dhe orari jo i përshtatshëm i mësimit, ndikojnë negativisht në efikasitetin e të nxënit.
Roli i prindërve është thelbësor, por shpesh i nënvlerësuar dhe pasiv, duke sjellë rrezik për asimilim të fëmijëve në mjediset e huaja.
Dygjuhësia është një realitet i pashmangshëm, që kërkon një qasje të balancuar: nga njëra anë, si mundësi për zhvillim kognitiv dhe identitar, dhe nga ana tjetër, si sfidë për ruajtjen e shqipes.
Praktikat ndërkulturore janë të pranishme në orët e mësimit, por mësuesit kanë nevojë për qartësim të dimensioneve pedagogjike të këtij koncepti.
Sugjerime
- Hartimi i një strategjie kombëtare për gjuhën shqipe në diasporë, e cila të garantojë qëndrueshmëri, burime, njohje ligjore dhe mbështetje sistematike për mësimdhënien jashtë Shqipërisë.
- Trajnime të vazhdueshme për mësuesit e diasporës, duke përfshirë:-Metodologjitë e mësimdhënies së gjuhës së dytë; Qasjet ndërkulturore.
- Përdorimin efektiv të teknologjisë: Krijimi i një platforme kombëtare digjitale për diasporën, me:Tekste dhe ushtrime të përshtatura, Lojëra interaktive, Materiale audiovizuale në shqip.
- Fuqizimi i rolit të komunitetit dhe organizatave shqiptare në vendet pritëse, për të siguruar ambiente, financim institucional për shkollat shqipe.
- Fushata ndërgjegjësuese për prindërit, për të rritur përfshirjen e tyre dhe për të promovuar përdorimin e shqipes në familje.
- Ngritja e një rrjeti të mësuesve të diasporës, me qëllim shkëmbimin e përvojave, binjakëzimet me shkolla në Shqipëri dhe fuqizimin profesional të mësuesve.
- Hartimi i standardeve të përbashkëta për kompetencat gjuhësore të nxënësve në diasporë, me nivele të referuara (A1–B1) dhe mundësi kualifikimi zyrtar për nxënësit.

Përfundime shkencore
Ruajtja e gjuhës shqipe në diasporë është një proces kompleks që kërkon strategji të qëndrueshme dhe bashkëpunim institucional. Dygjuhësia dhe ndërkulturalizmi nuk janë pengesa, por mundësi për integrim dhe zhvillim kulturor. Mbështetja nga shteti shqiptar, sigurimi i materialeve didaktike, përdorimi i teknologjisë dhe përfshirja e prindërve janë faktorët kyç për suksesin. Politikat arsimore të qëndrueshme dhe programet profesionale për mësuesit janë garancia për ruajtjen e gjuhës dhe identitetit kombëtar.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Etika nën presion/ Gazetarja Marieta Mërkuri: Si e deformon mesatarja arsimin dhe çfarë duhet ndryshuar?
Elmira Rama: Përparësitë e vlerësimit të vazhduar në kurrikulën me kompetenca
Drejtoresha Anila Çota rrëfen rrugëtimin e shkollës “Qamil Guranjaku” si fituese e vendit të dytë në Konkursin e Gjuhës Shqipe