Analizë

Sfida dhe përparime: Arsimi në Shqipëri në Ditën Ndërkombëtare të Edukimit 2025

“Arsimi në Shqipëri përballet me sfida si mungesa e infrastrukturës, emigracioni i të rinjve dhe cilësia e ulët e mësimdhënies. Ndërsa ka përparime në përfshirjen e fëmijëve dhe përdorimin e teknologjisë, nevojiten investime më të mëdha për të siguruar një arsim cilësor, gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm”.

Nga Fiqiri Çifliku 


“Shteti nuk shembet nga varfëria, por nga mungesa e edukatës.”- thotë Ciceroni, dymijë e ca vite më parë. Tingëllon aktuale sot, në shekullin e kibernetikës dhe inteligjencës artificiale.


Nuk është zbulim i madh të konstatosh se arsimi në botë po përballet me sfida të mëdha. Aq të mëdha sa po e vendosin në dyshim rolin e edukimit dhe mësuesit në shoqëri.


Mungesa e infrastrukturës dhe qasjes së fëmijëve dhe të rinjve, mungesa e mësuesve të trajnuar, barazia gjinore dhe sociale, janë ndër barrierat kryesore sidomos në vendet në zhvillim.


Arsimi shpesh nuk është në përputhje me nevojat e tregut të punës dhe përmbushjen e nevojave të diferencuar të nxënësve, përfshirë ato psikologjike, emocionale apo edukative.


Krizat dhe konflikte globale, luftërat, ndryshimet klimaterike, dhe pandemi të tilla si COVID-19 kanë pasur ndikime të fuqishme në arsimin global, duke i penguar nxënësit të mbarojnë shkollën dhe duke rritur varfërinë dhe pasigurinë.


Shqipëria nuk është imune ndaj sfidave dhe problemeve që citova më sipër, por ka disa veçori që lidhen me kontekstin historik, ekonomik dhe kulturor të vendit tonë. 


Ndërsa kemi bërë përparim për rritjen e aksesit në arsim, si rritja e përqindjes së regjistrimit të nxënësve në arsimin parashkollor, apo uljen e numrit të nxënësve që braktisin shkollës, cilësia e arsimit mbetet problematike. Këtë e konfirmojnë rezultatet tona në testet ndërkombëtare, si PISA. Sistemi arsimor shqiptar shpesh nuk u ofron nxënësve aftësitë praktike dhe cilësi të mendimin kritik, shumë të nevojshme për tregun e punës dhe për një jetë aktive si qytetarë.  


Shpenzimet për arsimin janë më të ulëta në krahasim me mesataren e vendeve të BE-së. Në të dytën strategji të arsimit, nuk mundëm të arrinim objektivin për të financuar arsimin me 5 % të PBA. Kjo sigurisht ndikon në infrastrukturën shkollore, teknologjinë, pajisjen me laboratorë, mjete didaktike dhe mundësitë për zhvillimin profesional të mësuesve.  


Nga ana tjetër emigracioni i të rinjve ka krijuar një krizë të përgjithshme sidomos në zonat rreth apo jashtë Tiranës. Shumë të rinj që largohen për arsye studimi ose pune nuk kthehen më në vend, duke e dobësuar në të ardhmen kapacitetet intelektuale të Shqipërisë. E kjo rrjedhje ka pasur një ritëm pothuajse të njëjtë pas viteve ‘90 e deri sot.  


Kjo situatë ka ndikuar në barazinë dhe përfshirjen e nxënësve në arsim. Në zonat rurale dhe të largëta, nxënësit kanë më pak mundësi për arsim cilësor për shkak të mungesës së shkollave të pajisura dhe mësuesve të trajnuar. 


Një përpjekje e madhe është bërë në këto 10 vjet në përfshirjen e fëmijëve me aftësi të kufizuara, por që ende mbetet një sfidë e madhe.  


Futjen e teknologjisë në shkolla ka pasur përparime domethënëse, por ende shumë institucione arsimore nuk kanë pajisje dhe infrastrukturë të mjaftueshme teknologjike, si dhe staf të përgatitur për të shfrytëzuar pajisjet në funksion të mësimdhënies, e theksuar kjo gjë vërehet veçanërisht në zonat rurale.  


Një arsye tjetër që ndikon cilësinë në arsim janë reforma dhe ndryshimet e shpeshta në politikat arsimore pasi kanë krijuar paqartësi dhe pasiguri në sistemin arsimor.

  

Pandemia vendosi në vështirësi sistemin arsimor, veçanërisht në aspektin e mësimit në distancë, ku shumë nxënës dhe mësues nuk ishin të përgatitur për të përdorur mjetet digjitale.  


Nuk dua të anashkaloj këtu si arsye shumë të fortë motivimi i mësuesve, drejtuesve dhe punonjësve të tjerë të arsimit. Nuk e kam fjalën vetëm për të ardhurat financiare, por për statusin e tyre në shoqëri. Sigurisht kjo gjë kërkon angazhim të gjithanshëm për të riformatuar mënyrën e sjelljes dhe si do të zhvillojmë procesin edukativ në shkolla, gjë që ndikon në motivimin e tyre dhe cilësinë e mësimdhënies.

  

Pavarësisht sfidave, Shqipëria ka treguar angazhime për reforma dhe integrimin në standardet e BE-së. Me investime më të mëdha në arsim, përfshirjen e teknologjisë dhe mbështetjen për mësuesit, Shqipëria mund të adresojë këto sfida dhe të arrijë përparime të mëdha.


  • Rritja e financimit publik për arsimin, duke u fokusuar në përmirësimin e infrastrukturës, teknologjisë dhe burimeve mësimore.  
  • Ofrimi i trajnimeve të vazhdueshme për mësuesit, duke u fokusuar në metodat modern, si dhe për përdorimin efektiv të teknologjisë në mësimdhënie.  
  • Rishikimi i kurrikulave për t'i përshtatur me kulturën shqiptare, me nevojat e tregut të punës dhe shoqërisë së sotme duke përfshirë tema si ndryshimet klimatike, qytetaria aktive, dhe diversiteti kulturor në kurrikul për të përgatitur breza të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm.  
  • Përfshirja e aftësive praktike, mendimit kritik, nxitja e programeve të kodimit, shkencës dhe inovacionit që nga mosha e hershme, zgjidhjes së problemeve dhe edukatës financiare në programet mësimore.  
  • Zhvillimi i platformave digjitale për mësim në distancë, pasurimi me materiale të personalizuara për nxënësit dhe aftësimi i mësuesve për të drejtuar nxënësit.  
  • Barazi për të gjithë nxënësit, duke përfshirë vajzat, fëmijët me aftësi të kufizuara dhe ata nga grupet e margjinalizuara e shoqëruar me programet e mbështetjes sociale, për të reduktuar braktisjen shkollore.  
  • Nxitja e bashkëpunimit mes shkollave, prindërve dhe komunitetit për të ndërtuar një mjedis arsimor të qëndrueshëm dhe të angazhuar e koordinuar me shërbimet mbështetëse në shkolla (punonjës psiko-social, oficerë sigurie, mësues ndihmës apo koordinatorë) për të orientuar apo ndihmuar nxënësit me vështirësi emocionale dhe sociale.  
  • Krijimi i një sistemi më efektiv për mbledhjen e të dhënave mbi progresin e nxënësve dhe ndikimin e reformave arsimore duke zhvilluar sisteme për vlerësimin e performancës së mësuesve dhe nxënësve bazuar në standarde të qarta dhe objektive.  
  • Forcimi i programeve që zbatohen aktualisht për të mbajtur të rinjtë e talentuar brenda vendit, duke ofruar bursa, praktika pune, dhe mundësi të zhvillimit profesional.  
  • Ndalimi i ndryshimeve të shpeshta në politikat arsimore dhe krijimi i një strategjie kombëtare afatgjatë, të mbështetur nga konsensusi politik dhe shoqëror.  


Zbatimi i këtyre masave kërkon angazhim të qëndrueshëm, bashkëpunim dhe investim të vazhdueshëm nga qeveria, sektori privat, shoqëria civile dhe komuniteti i prindërve.


© Portali Shkollor Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,392 Lexime
2 javë më parë