Drejtshkrimi i gjuhës shqipe

SHBA apo SH.B.A?

OKB apo O.K.B? Si t’i shkruajmë saktë shkurtimet në gjuhën shqipe? Disa i shkruajnë me pikë ndërmjet shkronjave, disa nuk i vendosin në trajtat e duhura rasore etj. Edhe për shkurtimet ka një rregull se si duhet të shkruhen.

Shumë herë na ndodh që shkurtimet në gjuhën shqipe i hasim të shkruara gabim. Disa i shkruajnë me pikë ndërmjet shkronjave, disa nuk i vendosin në trajtat e duhura rasore etj. Edhe për shkurtimet ka një rregull se si duhet të shkruhen. 


Sipas “Drejtshkrimit të gjuhës shqipe”, pika 84, kemi: “Shkurtimet e emrave të shteteve, të organizatave, të shoqërive, të institucioneve, të ndërmarrjeve etj., shkruhen me shkronja të mëdha, pa vënë pikë as ndërmjet, as pas tyre: RPSH, BBS, SHBA ATSH, RFGJ, OKB, NATO, UNESKO, FIDE, FIFA, UEFA, SMT, UEM, TEC, MENA etj. Ato duhet të marrin edhe mbaresat rasore të duhura. P.sh.: Sipas ATSH-së, ATSH-ja raporton se... etj.


KUJDES! 

Nuk vendoset pikë ose nuk ndahen me pikë shkurtimeve e emrave të ndryshëm, si: 

a) shkurtimet e emrave të njësive të masave: cm (centimetër), km (kilometër) a (amper), kg (kilogram), hl (hektolitër), l (lekë ose litër), t (ton), v (volt) etj.;

b) simbolet e elementeve kimike: Cl (klor), H (hidrogjen), Mg (magnezium) etj.;

c) shkurtimet e emrave të pikave të horizontit: L (lindje), P (perëndim), VL (verilindje), JP (jugperëndim) etj.


(Përgatiti: Sevi Lami Agolli, Portali Shkollor)

6,610 Lexime
6 vjet më parë