Shek. i 21-të apo Shek. XXI?
Si t’i shkruajmë saktë numrat rreshtorë me shifra romake dhe arabe
Ndodh shpesh, që në tekste të ndryshme lind nevoja e përdorimit të numrave rreshtorë.
Në gjuhën tonë, si dhe në shumë gjuhë të tjera, përdoret sistemi i numrave arabë me 10 shifra (0, 1, 2, 3, 4, 5, 6, 7, 8, 9). Ky sistem numrash është parë si më i përshtatshëm dhe më i lehtë në përdorim se sistemet e tjera të numrave. Ndaj dhe sistemi i numrave arabë është më i përhapur dhe më i përdorshëm sot.
Në gjuhën shqipe numrat shkruhen:
- me shifra arabe: 1, 2, 3... 8, 9, 10..., që është dhe sistemi më i përdorshëm në jetën e përditshme;
- me shifra romake: I, II, III....VIII, IX, X...., kryesisht në tekste historike dhe letrare;
- me fjalë; një, dy, tre... tetë, nëntë, dhjetë... kryesisht në letërsi artistike.
Mirëpo duhet të kemi parasysh dy rregulla të rëndësishme (Drejtshkrimi i Gjuhës Shqipe, pika 68 gj, f. 137), kur numërorët rreshtorë shkruhen me shifra arabe apo romake:
1) Kur numërori rreshtor shkruhet me shifër romake, ai përdoret pa prapashtesë dhe pa nyjë të përparme. Pra, kemi: klasa I, kongresi V, kreu XVI, shek. XX, Gjergj Balsha I, Luigji XIV, Mehmeti II etj. Është gabim të shkruhet: klasa e I, shek. i XXI, Mehmeti i II etj.
2) Kur numërorët rreshtorë shënohen me shifra arabe, shkruhet nyja dhe pas numërorit vihen mbaresat rasore. P.sh., shek. i 21-të, klasa e 2-të, kreu i 5-të, kongresi i 6-të etj.
KUJDES! Numërorët rreshtorë që shënojnë shkallët e përgjegjësisë në organizatat shoqërore, në ushtri etj., shkruhen gjithnjë me shkronja e jo me shifra romake: kapiten i parë, piloti i dytë, sekretari i dytë i ambasadës etj.
Përgatiti: Sevi Lami Agolli
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Takimi i dy shkronjave të njëjta në një fjalë
NDIEJ VS NDJEJ
Sevi Agolli: A janë të njëjtë përemrat “I TIJ” dhe “I VET”?