Aktualitet

Shikimi jo i mprehtë po ul interesin për mësimet, Depistimi: 1 në 7 fëmijë me probleme. Mjekët në alarm për sytë

Mjekët japin alarmin për shtimin e problemeve në shikim te fëmijët, që ndikon edhe në lodhje gjatë mësimit. Sipas tyre, 1 në 7 fëmijë shkon për vizitë të specializuar te okulisti. Programi kombëtar i depistim ka zbuluar se mprehtësia e shikimit të tyre ka rënë.

1 në 7 fëmijë referohet për vizitë të spcializuar te okulisti. Shpesh i akuzojmë nxënësit për mosvëmendje nga lodhja që shfaqin gjatë orës së mësimit por në fakt problemi fle diku tjetër. Programi kombëtar i Depistimit ka zbuluar se mprehtësia e shikimit të tyre ka rënë dhe në shumë raste konstatohen nxënës me sy dembel dhe probleme të forta në shikim, probleme këto të mbartura në kohë që ju kanë shpëtuar madje edhe vetë prindërve.


Mjekja Eliverta Kanina shprehet se fatkeqësisht syri dembel nuk korrigjohet pas moshës 7-8 vjeç. Ajo konstaton me keqardhje se shikimi i fëmijëve është gjatë gjithë kohës nën presionin dritës së fortë të ekraneve.

“5 nxënës në 120 rezultojnë me syrin dembel dhe për fat të keq në moshën që ata janë problemi nuk mund të korrigjohet. Nuk është vet diagnoza e syrit dembel problem, por me kalimin e kohës dobësohet dhe syri tjetër dhe mprehtësia e shikimit bie. Vjen një moshë që patjetër ndikon në prosecin mësimor normal. Duke qëndruar me orë të tëra nga njëri ekran në ekranin tjetër (telefoni, kompjuteri, televizori), madje deri në orët e vona të natës, shëndeti i syve rëndohet. Higjiena e syrit është gjëja e parë që duhet të mësojë fëmija, raporti me ekranet, distancën, raporti me dritën dhe clodhja herë pas here”, ka deklaruar për mediat mjekja Eliverta Kanina



Që nga fillimi i vitit të ri shkollor e deri në mes të tetorit janë referuar tek specialistë 1163 fëmijë nga 4 qytete të Shqipërisë ku shtrihet programi i depistimit, ndërsa që nga koha e fillimit të tij numri i fëmijëve të referuar me probleme është mbi 12.100.

Kaltra Tafani

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,198 Lexime
1 vit më parë