Ese

"Shkolla më hapi sytë, më tregoi se vendi im vlen"

Pas ekspeditës së gjeografëve të vegjël të shkollës “Musine Kokalari” që u zhvillua në Jug të Shqipërisë, krahas njohjes me mrekullitë e bukuritë e vendit tonë, nxënësit kanë shkruar një ese ku kanë shprehur ndjesitë e tyre pas këtij udhëtimi.

Jam ende e mahnitur nga magjitë e vendit tim, ndaj po hedh ashtu siç di në fletë gjurmët që më la, që t’i gdhend kujtimet për të mos i harruar kurrë. Po teksa nis të shkruaj, e shoh se të përshkruaj këtë ekskursion nuk mjaftojnë fjalët, ndodhitë, përjetimet... Ishte një ditë e mbushur plot emocion dhe situata që kurrë nuk do të harrohet.


Vendet aq mahnitëse shpaloseshin njëra pas tjetrës saqë ne si nxënës nuk na e merrte mendja se ato vende ekzistonin dhe të frymëzonin aq shumë me dashuri për vendin tënd. Tirana ia la vendin Durrësit, Durrësi Kavajës, Kavaja Lushnjës e Lushnja Fierit… Tepelena ia la radhën Gjirokastrës, Gjirokastra Syrit të Kaltër, Syri i Kaltër Sarandës, Saranda Ksamilit, Ksamili Butrintit… E teksa orët rrëshqisnin pa u ndjerë, magjitë s’mbaronin asnjëherë, por përcillnin njëra-tjetrën. Në mendjen time bukuritë e magjitë kulmuan me Butrintin ndaj dua të ndalem në këtë ese pikërisht te ky vend, te kjo mrekulli e tokës shqiptare.


Butrinti, dikur i madhërishëm, i zhurmshëm, plot kulturë. Sintezë e qytetërimit pellazg, por që pranoi me zemërgjerësi kulturat e tjera fqinje. Këtu janë luajtur edhe tragjeditë e Eskilit, Sofokliut dhe Europidit. Mijëra njerëz të këtij qyteti antik janë edukuar me veprat e tyre. Në amfiteatrin e Butrintit do të luajmë edhe ne nxënësit e shkollës tonë tragjedinë “Prometeu i lidhur” të Eskilit vitin tjetër. Premtimin e drejtorit ne e pritëm me shumë entuziazëm.


U futëm mes një pylli pafund mbuluar me gjelbërimin e pranverës mesdhetare. Turistë të huaj e vendas mbushnin vendin anë e kënd e teksa shkëmbeheshim me ta mendoja se sa pak e njoh vendin tim dhe se sa rëndësi të madhe ka ta njohës. Sa më shumë ta njohësh, aq më shumë e do.. U ndjeva krenare që ne kishim një vend kaq të bukur sa shumë turistë kishin zgjedhur për të parë bukuritë e vendit tim. Në të njëjtën kohë u ndjeva keq që ne nuk e njohim sa duhet vendin tonë, bukuritë që të dhuron ai. Mësuesja na kishte thënë se fillimisht do shkojmë te Dea. Isha kurioze të shihja Dean, perëndeshën e Butrintit, simbolin e bukurisë mesdhetare. Na kishte folur për të, për atë kokë mermeri gruaje në një shtat burri të zbuluar gjatë gërmimeve arkeologjike të një misioni arkeologjik italian në Butrint më vitin 1928. Dija gjithashtu se ky objekt me vlera të rralla u grabit dhe u dërgua në Itali dhe u rikthye në vendin tonë më 1981, ndaj vrapoja të mësoja më shumë për këtë statujë kaq të vlefshme që mbarte mbi vete shumë histori, enigma dhe hipoteza.


Ja, më në fund isha pranë saj. Sytë m’u ndaluan gjatë mbi portretin e brishtë të saj, mbi sytë e saj që shikonin aq ëmbël, mbi gjithçka të saj të gdhendur me aq madhështi prej skulptorit të lashtë. Teksa drejtori fliste, mendja ime s’di ku fluturonte. Isha magjepsur e tëra. Teksa dëgjoja, shihja plot endje pamjen ovale të fytyrës, tiparet e idealizuara që të linin pa fjalë, vështrimin e saj ëndërrimtar, ballin e qetë e pamjen dinjitoze, krehjen tipike të flokëve… Për një moment mendova se si mund të jetë ndjerë italiani Ugolini që e zbuloi atë. Mendova se si mund të ketë ngrirë ai para kësaj mrekullie arti e cila na bën të gjithëve krenarë? Fjalët e drejtor Besimit më kumbonin në vesh, po përsëri isha e hutuar para madhështisë që më përcillte Dea. Ndihesha dhe unë si perëndeshë si ajo. U ngjita mbi murin mbajtës dhe iu afrova fytyrës së saj. Doja t’i shihja më nga afër ata sy magjie. Doja ta prekja atë fytyrë që dukej si të ishte e gjallë.


Për një çast te ajo unë pashë veten time. Me duket se i ngjasoja shumë, sikur isha njësh me të. Teksa e shihja në sy më dukej si e gjallë, sikur më fliste me fjalë shqip që buronin nga ato buzë të bukura. Më dukej sikur më thoshte: sa keq që vijnë e më takojnë kaq shumë të huaj dhe ju, shqiptarët e mi nuk më njihni aq sa duhet. Më erdhi si turp… M’u duk se një i kuq i purpurt më mbuloi në formën e turpit dhe si një thirrje e brendshme me gulfoi nga shpirti: ne shqiptarët duhet ta duam shumë vetveten. U ktheva dhe në heshtje iu afrova drejtorit dhe mësueses dhe ju dhashë nga një përqafim… Ata menduan se ishte një përqafim i zakonshëm, po në fakt ishte një përqafim krejtësisht i veçantë dhe domethënës. Ishte përqafim në shenjë falënderimi për këtë dhuratë që më kishin bërë duke më marrë në këtë guide nëpër bukuritë e pambarimta të atdheut e duke më bërë të ndryshoja këndvështrimin për vendin tim dhe vlerat e tij të jashtëzakonshme. Që nga ai çast u ndjeva shumë krenare që jam shqiptare, që jam motra e Deas, një Dea e vogël e kohës tonë, një perëndeshë e vendit tim. 


Do të udhëtoj më shumë në të ardhmen, do të eksploroj bukuritë e vendit tim, por nuk besoj kurrë se do jem kaq e mahnitur nga magjia e vendit tim sa këtë herë. Shkolla ime më hapi sytë e më tregoi se vendi im vlen, vlen me shumë se çdo gjë, më shumë se kushdo.

Unë duhet ta projektoj të ardhmen time këtu se jam një Dea, jam një shqiptare.


Faleminderit shkolla ime e dashur! 

Faleminderit mësuesit e mi!


(Oltea Kasemi, nxënëse e klasës së VII-C, shkolla “Musine Kokalari”, Portali Shkollor)

1,841 Lexime
6 vjet më parë