ANNA KOVE

“Shpresa më e madhe” nga Ilse Aichinger, roman i rrëfimeve të pazakonta

Është zgjedhur qëllimisht nga Aichinger perspektiva e fëmijës. Fëmijët përfaqësojnë pafajësinë, dhe kjo pafajësi është edhe kontrasti më i mirë i mundshëm me Holokaustin shfarosës.

Si mund të flasësh e mendosh për tema aq të mëdha dhe tronditëse si lufta, kur  je fëmijë? Si mund të flasësh e mendosh për përndjekjen raciste, kur je fëmijë? Po për marrëdhëniet e dashurisë, për ato familjare dhe miqësore? Po për besimin në Zot? Të gjitha këto tema të mëdha dhe ekzistenciale vijnë mjeshtërisht nga Ilse Aichinger, përmes jetës dhe lojërave të një fëmije në romanin e saj më të mirë, dhe në një nga 100 më të mirët e shekullit  XX.  Me një gjuhë gati poetike, përmes iluzionit dhe shpresës, Elena, fëmija i këtij romani, rrëfen një histori të tërë, atë të Luftës në vitet 1941-1945. Prandaj është e veçantë kjo shkrimtare, sepse nuk flet e shkruan për të rriturit dhe përvojat e tyre në kohën e ngjarjeve të mëdha që tronditën botën, por për fëmijët dhe përjetimet e tyre, të cilët, si pasojë e prejardhjes  u përndoqën, u keqtrajtuan dhe shpesh humbën jetën. 


Ne kemi  lexuar për Gestapon. Por kurrë nuk e kemi parë si baba një oficer të Gestapos. Por si një vrasës. A mund të jetë vrasës  babai, vetëm se nëna e fëmijës së tij është çifute? 


Ne kemi lexuar nëpër libra për dashuritë e gjysheve, për përrallat e tyre jetëdhënëse, por a mundet një fëmijë ta shpëtojë gjyshen? Po si? Duke e helmuar, që të mos e gjejë Gestapoja se i merr jo vetëm jetën, por edhe kufomën? 


Ne kemi lexuar për Amerikën si ëndrrën e madhe dhe shpresën më  të madhe të jetës në liri, por si mundet një konsull ta konsiderojë qenie të lirë fëmijën, duke të privuar nga mundësia e takimin me nënën e arratisur në Amerikë,  duke i thënë se zogjtë dhe delfinët shkojnë ku të duan dhe s’kanë nevojë për vizë. As era… Ata shkojnë atje ku është më kaltër... Ndaj fëmija ëndërron vetëm qiell dhe ujë të kaltër.


Ja, të gjitha këto ngjarje na i rrëfen Elena njëmbëdhjetëvjeçare, personazhi kryesor i romanit. Kur ta lexoni, të gjithë do ta doni shumë Elenën. Ashtu siç e desha shumë edhe unë. Elena më bëri të ëndërroj për ëndrrat e parealizuara të fëmijërisë sime, më bëri të ndiej mungesën e  përkushtimit të prindërve vetëm për mua, dhimbjen për ikjen e gjyshes pa iu lutur Zotit në liri, se ashtu ishte atëherë. Diktaturat njësoj ta asgjësojnë lirinë edhe në qofshin nacional-socialiste, si në roman, apo komuniste, si në rastin e jetës së  fëmijërisë time dhe të brezit tim. 


Është zgjedhur qëllimisht nga Aichinger perspektiva e fëmijës. Fëmijët përfaqësojnë pafajësinë, dhe kjo pafajësi është edhe kontrasti më i mirë i mundshëm me Holokaustin shfarosës. Nga ana tjetër, është shumë e dukshme se romanin nuk e ka shkruar fëmija, por i rrituri, i cili shpesh bën pyetje fëminore dhe jep përgjigje befasuese. Ilse Aichinger renditet me autorët më të mirë austriakë. Pa dyshim, ky roman është ndër veprat më të mira të letërsisë austriake, në veçanti, dhe asaj të shkruar në gjuhën gjermanë, në përgjithësi.  



©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,389 Lexime
3 vjet më parë