Vendimi

Shtyhet afati për miratimin e bursave për nxënësit e studentët

Qeveria ka shtyrë afatin për miratimin e bursave të shtetit nga Këshillat Bashkiak deri në 15 prill.

Ky afat është shtyrë pasi pjesa më e madhe e Këshillave Bashkiak nuk kanë miratuar listat e përfituesve brenda 31 dhjetorit 2015, që ishte edhe afati i vendosur nga Qeveria.

Qeveria ka miratuar 3.750 bursa, nga të cilat 1.950 do t’iu jepen nxënësve dhe 1.800 do të akordohen për studentët.

Sipas vendimit, kategoritë që përfitojnë bursa janë: jetimët që banojnë në fshat si dhe nxënësit që kanë shkollën më shumë se 5 km larg nga vendbanimi i tyre. Gjithashtu, bursën e përfitojnë studentët që regjistrohen në vitin e parë të shkollës së lartë dhe që janë shpallur nga Ministria e Arsimit më të mirët e Maturës Shtetërore, sipas renditjes në listën e vlerësimit, të realizuar nga Agjencia Kombëtare e Provimeve.

"Jashtë kriterit ekonomik përfshihen fëmijët e punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, etj. Studentët e vitit II elart, që nuk kanë përfituar bursë dhe plotësojnë kriterin ekonomik, mund të përfitojnë", shkruan "Shqiptarja.com".

Njësitë bazë të qeverisjes vendore, në pamundësi trajtimi me bursë të plotë, brenda planit të miratuar, miratojnë edhe gjysmëbursa. 

Studentët dhe nxënësit mund të marrin bursë të plotë që është 9400 lekë dhe gjysmë burse prej 4700 lekë.

1,576 Lexime
8 vjet më parë