ESE

Si emigrantë në vendin tonë

Qëllimi i kësaj eseje është që emigrantët “të vlerësojnë” Jetën, sepse Jeta është një dhe e vetme. Të kuptojnë dhe të vlerësojnë më shumë vetveten, pasi njihen me kultura, tradita të reja e njerëz të rinj, mësojnë një ose disa gjuhë të huaja.

Dhe pse nga larg, virtualisht, nipërit dhe mbesat në mërgim, i përshëndesin prindërit, gjyshet dhe gjyshërit në përgjithësi, me buzëqeshje motivuese, frymëzuese dhe shpresëdhënëse. 


Nipërit dhe mbesat në emigrim

          Për baballarët jemi gëzim,

për mamatë, shumë lumturi,

kur të rritemi, të bëhemi me shkollë,

do t`ju kërkojmë llogari./


Jemi të vegjël s`dimë me ec,

jemi të vegjël, s`dimë as me folë,

kur të rritemi për në shkollë,

duam të na dërgoni në vendin tonë./


ABC - në atje për të mësuar,

shqipen mirë për ta përvetsuar,

prindër keni për të na sqaruar,

vendlindjen përse e keni harruar./


Gjyshër ndoshta s`arrijmë t`ju gëzojmë,

por trojet tona do t`i kërkojmë.

Shpirti i të parëve, roje u qëndron,

nëpër vegime, rrugën na tregon./ 


“Të gjithë jemi emigrantë”. Në një farë mënyre po, kjo është e vërtetë. Por në fakt e dimë ndryshe këtë varg, rresht apo fragment, si mund ta quaj/quani ju. Mua më tingëllon kështu “Të gjithë jemi kalimtarë në këtë botë”. Sot këtë nuk e vlerëson njeri. Sot “vlerësojnë” emigrantin, i hapin rrugën emigrimit, i bëjnë “reklamë” emigrimit. Ai ka parë botë me sy, ka ecur, ka shëtitur, ka çfarë të tregojë. Ai ka hequr shumë derisa i ka arritur ato, nëse i ka arritur. Ata që i kanë arritur, se ka emigrantë që kurrë nuk do të mund t`i arrijnë të gjitha. Ata mendojnë ose e dinë se i kanë arritur, por jo vetë fjala emigrant do të thotë “asgjë”, pra nuk arrin asgjë. “Të gjithë jemi emigrantë”. Po dhe ai/ajo është një emigrant/e. Po ku emigron ai/ajo? Dhe ai/ajo është një emigrant/e i/e mjerë. Po përse e thotë/thonë këtë? Dhe ai/ajo është një emigrante e shkatërruar. Po nga kush? Po, po emigrante e kaluar emigrantit. Një emigrant/e i/e vetmuar dhe i/e përhumbur. Po a do t`ia dijë njeri. Ai/ajo është një emigrant/e që po “vuajnë” më shumë se sa vetë emigrantët. 


Ai/ajo i ka, kanë afër dhe i kuptojnë brengat e shpirtit të tyre. Ai/ajo i ka afër dhe po i sheh s`i treten çdo ditë si lotët e qiririt. I ka afër dhe e kupton varfërinë e tyre. E varfëria e tyre s`ka mbarim. “Varfërinë” çfarë them dhe unë? Emigrantët nuk janë të varfër, s`ka se s`i të jenë të varfër. Për një jetë më të mirë kanë ikur. Kanë vuajtur dy-tre vjet me fillimin e eksodeve, me skafe, motorra, me letra pa letra, por më në fund e fituan pasurinë. Ka dhe nga ata që u humbi nam e nisham u nisën e nuk u kthyen më kurrë, se vranë njëri-tjetrin rrugës, u dogjën në makinë duke ikur fshehurazi nga policia, u prishën në pazare, u mbyt gomonia në ujë dhe më e keqja janë gjallë dhe nuk e dinë as se kush janë, nga ndonjë injeksion i bërë dashje pa dashje, se pa dhimbë janë ata, emigrantë janë, kujt i eci fati kujt jo. Kush ra në ndonjë familje të mirë e të rregullt, kush ra në ndonjë familje pa vlera. Gjithandej njerëzit janë njësoj, pra ka të mirë e të këqinj në sjellje, të pasur e të varfër, nuk ka të varfër vetëm në vendin e tonë, por atje ka rregulla dhe i ndihmon shteti më shumë, u siguron elementët bazë për jetesë kryesorja. Kur janë kthyer për pushime emigrantët kanë ndërtuar shtëpi të reja, shtëpi trekatëshe, pallate të vërteta të kënaqet syri kur i sheh, ua kanë plotësuar kushtet, lum prindërit për ta.


Të gjithë emigrantët kur nisen i premtojnë nënës, familjes se do të kthehen një ditë. Mos u mërzisni, se do të vijmë prapë, do të kthehemi shpejt. Mos u lodhni, se ju mbajmë ne. Mos punoni, se u çojmë lekë ne. U thanë dhe hajdeni me ne, se ua bëjmë letrat atje. Por… atje! Ku atje? Çfarë është atje? A ka lekë më shumë se te vendi ynë atje? Këtë e dimë e kemi mësuar, se ka ligje rregulla dhe shteti funksionon atje. Dhe ju emigrantë i zbatoni rregullat atje, u pëlqejnë rregullat s`keni nga të shkoni.


Tani u shkojnë ndër mend dhe disa pyetje për ju emigrantë. Si është vendi i huaj? Si është Toka atje? A ka male të larta atje? A ka fusha të gjera e të gjata atje? A ka lule atje? A bie borë andej? Sa stinë ka viti atje? A ka dritë atje? A ka Diell atje? A është më i ngrohtë se në vendin tuaj Dielli atje? A ndriçon më shumë se në vendin tuaj të bukur Dielli atje? A është Dielli më afër Tokës atje? A ka Hënë atje? A ndriçojnë Yjet atje? A bien Meteorë atje? Sa kohë qëndrojnë në hapsirë të ndezur meteorët kur bien? A shprehni ndonjë dëshirë kur bien meteorët? 


Patjetër që po. Dëshira e emigrantëve është ta bëjnë vendlindjen e tyre një Parajsë të Vërtetë. Gjithë projektet e tyre ata, emigrantët duan t`i praktikojnë dhe t`i realizojnë  në vendlindjen e tyre të dashur, në Atdheun e tyre të bukur dhe të paharruar. Të gjithë emigrantët e duan Atdheun e tyre, Kombin e tyre, se Atdheu është rrënja e tyre, guri i themelit të tyre, është forca e tyre, është shpresa e së ardhmes/fëmijëve të tyre. Krenohen me arritjet dhe përpjekjet e të parëve të tyre pavarsisht ku jetojnë dhe emigrojnë përkohësisht. Emigrantët fëmijëve të tyre duan t`u lënë një emër, një mbiemër, një fis, një fe, një traditë, një kulturë, një gjuhë, një komb. Dhe kombi nuk bëhet me emgrantë. Kombi nuk është i ndarë.  Emigranti kthehet në folenë e vet, edhe i gëzohet ditë së re. Ditë të reja ka plot, por virtual u bënë në këtë botë.


Ku punoni ju emigrantë? A ju respekton mbi të gjitha a ju vlerëson Atdheu i huaj? A u ofron punë në shtet? S`i  ju shikon atdheu i huaj? Apo si princ në shtëpi të vet. Variante pune ka plot, zgjidh ku të duash dhe me flet. A ju merr gjumi atje? Gjumi po se jeni të vdekur nga lodhja, atë lek që e fitoni e fitoni me mund e me djersë. Por emigrant prindërit andej nuk i more, s`ua bëre dot letrat dhe po t`ua bësh ata janë të vjetër nuk pranojnë të vijnë me ju. Nënë e babë po vuajnë për ju, nuk ju harrojnë ju, ju kujtojnë ju, ju bekojnë ju. Të keni jetën e të jeni shëndoshë! Por dhe ju urojnë ju. “Vetminë mos e provofshi vërtetë”! 


Pra, emigrant me prindërit e mbyllëm këtë pjesë. Pjesa më e bukur vjen me familjen tënde emigrant, me gruan dhe me fëmijën tuaj. Emigrant le gruan dhe fëmijën të vogël. Sa ishte fëmija kur ike ti emigrant? Sa muajsh e ke lënë? Sa vjeç ishte? Sa është bërë tani? Dashurinë e prindërimit, a e përjetove? Lotë gëzimi nga fjalët e vogëlushit/es tënd/e a nxore ndonjherë? 


Kur të rritet ty fëmija, sa shumë do të kujtojë! Sa herë babi më përqafoi? Si mua ai më trajtoi?

Kujtimet e bukura të fëmijërisë, hapat e para të vegjëlisë. Fonemat e mia, a i dëgjoi? Fjalët e para, a m`i kuptoi? Prania e tij, a më lumturoi? Buzëqeshja e tij, a më gëzoi? Kur u rrëzova, dorën a ma dha? Kur gjakosa gjurin, s`ka gjë, a më tha? Mosprania e tij, sa herë më lëndoi?


Dashuria e tij, a më mjaftoi? (Kjo rima duket që më mundon)

Emigrantë ju u larguat, morët rrugët ikët e shkuat në dhe të huaj përfunduat. Në ndonjë qoshe atje në azil, shumë gjëra ju kuptuat. Emigrantë veten shkatërruat, se si do të arrini a menduat, jetën në rrezik se vë në dyshim, vuajtje e dhimbje pa mbarim, derisa kaluat në depresion. Kokën shokut/shoqes kur ja prenë, në syrin tuaj pa kurrëfarë dhimbjeje, si të ishte një kukull, se me kafshë s`po e krahasoj, se kafsha ka gjak e shpirt si njeriu. Sytë shoqes kur ja nxorën, e ti fshehtas u gërmove, shtrive dorën dhe i more, sytë e shoqes mirë i mbulove. Do t`i ruaj t`i kem kujtim, se kur të shpëtoj nga ky mallkim, do të kthehem atje, ku i ëmbël është, vetëm dheu i vendit tim. Atje në cep në rrëzë të shtëpisë, nën hije të shegës a të hardhisë, do të të bëj ty një varr, ku të vendos një trëndafil, një lule a një kujtim. E çdo ditë do të vij, të qaj me dënesë, e do të të them, se s`i në besë na prenë. E do të tregoj, se pse isha aq e forte, sa nuk mposhtesha asnjëherë, sepse kisha një engjëll të vogël me vete katër-vjeçar, të cilin ma sillnin ta shihja disa herë dhe pa më treguar fare. 


Sa herë ai më kërkonte apo qante e ulërinte për mua, u detyronin “kafshët” ta sillnin, me qëllim që t`i mbyllnin gojën me pyetjet e tij të shumta prej çamaroku. Dhe për atë më duhej të isha çdo herë e fortë dhe e qetë, se përndryshe do të kisha ardhur me ty që atë ditë e do të bëja shoqëri, pasi jeta jonë aty ishte një ferr i vërtetë mes njerëzve “kafshë”. (Përpunuar, ngjarje nga libri “Yjet nuk vishen kështu”, ku vajzat e reja, si dhe prindërit e tyre, i gënjenin për një jetë më të mirë dhe për lidhje serioze, por që përfundonin si skllave të kohës/njerëzve. 


Familjare në dëshpërim, kërkove emigrim familjen e coptove, fëmijët i dasove, për një jetë më të mirë. Por shumë shpejt u pendove, atje pse kalove, për me u kthye, s`kish më shpresë. Se e shkatërruar ishe, por më shumë u shkatërrove, kur stërkala e gjakut të shoqes murin e mbuloi dhe gjithë kampi i azilantëve në gjendje “shoku” kaloi, derisa në spital përfunduat. (Tmerri që përjetuan azilantët në Gjermani kur bashkëshorti shqiptar, i pret kokën gruas së tij në mes të ditës dhe s`guxoi kush t`i afrohej). Emigrant sa shumë hoqe, sikur gjithë pasurinë e botës ta kesh, më  i lumtur se në vendin tënd, kurrë s`do të jesh?


Emigrant je në shtegtim, për ty kurrë s`do të ketë gëzim, derisa të pushosh në vendin tënd, në Atdheun tënd të bukur, në folenë tënde. E kur ti të kthehesh nëse do të kthehesh do të jetë tepër vonë s`i për ty që je plakur e kërrusur, si për fëmijën tënd pasi ata po mësohen me një kulturë tjetër, me një traditë tjetër, mentalitet tjetër, kanë mësuar historinë e atij shteti atje, nuk keni mësuar historinë tuaj pra s`do ta dinë fëmijët tuaj historinë e vendlindjes. Ose do të jenë stabilizuar disi atje në vend të huaj sa për një jetesë më të mirë për një copë bukë mbase, por me damkën mbi shpinë “Emigrant”.


Sa bukur u rrite ti emigrant me gjyshër/gjyshe, të afërm dhe kushërinj në vendin tënd, shëtitje këndej/andej, dhe pa bukë të rrije, gëzoheshe nga dashuria dhe prania e tyre. Liria e fjalës/rrugës u fitua me kohën, por a mos u harruat andej?


E këtë jetë të bukur emigrant ti po ja mohon fëmijës tënd, ti po e shkatërron atë dalë nga dalë, ti po i ftoh ndjenjën e dashurisë, një fjalë e urtë thotë; “Larg syve, larg zemrës”. Ti po mundohesh t`i mësosh gjuhën, që ai të mbajë gjallë traditën, zakonet, kulturën, por ti emigrant mund ta bësh këtë se di thelbin e gjuhës tënde, ndërsa ai brezi i ardhshëm nuk do të mundet kurrë ta bëjë një gjë të tillë se kjo varet nga ai se sa e kupton, mëson dhe e shëtit vendlindjen e tij. 


Dhe një ditë do të lodhet e nuk do ta kuptojë as për vete. Anglezët thonë një shprehje të bukur e shumë domethënëse; “Shtëpi e ëmbla shtëpi”, e ajo shtëpi është foleja e tyre e s`do ta ndërronin me asnjë tjetër. “Hap” sytë emigrant ec, kërko, zbulo, eksploro por në vendin tënd ndërto dhe realizoj ëndërrat e tua, se një ditë do ta kërkosh e mbase nuk e gjen më. E nëse do ta bësh dije se veten po vlerëson, nëse do të investosh në vendlindjen tënde, vetëm ta provosh lutjet dhe urimet për ty nuk do të kenë mbarim, jo vetëm nga prindërit e tu, familjarët tuaj patjetër që po, por dhe nga gjithë fshati nga të varfërit e fshatit tënd emigrant. Ata ju po ju presin që një ditë t`u rregulloni shkollën, ku fëmijët e tyre të mos aksidentohen duke u rënë çatija mbi kokë dhe t`u ndërtoni urën e fshatit që sa herë bie shi prindërit dhe fëmijët të mos rrinë gjithë kohën si të ngrirë se kush nuk u kthye në shtëpi shëndoshë dhe kush vdiq sot shoku apo shoqja e tyre e klasës e bankës. Ku tufa e lules mbi bankë do t`ua kujtojë orë e çast atyre vogëlushëve të vegjël, tragjedinë e ndodhur. Ju kur të ktheheni për pushime dhe të shikoni shkollën e bukur dhe urën e ndërtuar e bashkëfshatarët tuaj që ju duan e ju respektojnë. Ju do të ndiheni më të lumtur dhe do të mundoheni që përsëri të bëni diçka më të bukur për ta sa dhe vetë do të dëshironi të ktheheni më shpesh madje t`i vlerësoni më shumë, pse jo dhe të jetoni aty në vendin tuaj.


Emigrantët thonë se; “një ditë do të kthehemi në vendim tim”. Po kur do të ktheheni? E ata prapë thonë se; “do të kthehemi kur të jetë bërë vendi im”, “kur të jetë ndërtuar vendi im”, “kur t`i ketë plotësuar kushtet vendi im”. Ju emigrantë duket se e doni vendin tuaj. Ju emigrantë mos “e shkatërroni” më vendin tuaj! Ju emigrantë do të mbani përgjegjësi për vendin tënd. Ju emigrantë do të jepni llogari për vendin tuaj. Diku nëpër libra shkruhej, se ditën e fundit njeriut i kërkohet llogari se “çfarë ka bërë konkretisht për vendlindjen”, vendin ku u lind dhe jo ku jeton, dhe “se sa të mira ke bërë duke i kompensuar me “gabimet” e jetës”. Ju emigrantë mos ja humbni shpresat asaj. Vendlindjes. 


Emigrantë vendin tuaj, do ta bëni ju - e jo ajo. Vendin tuaj do ta ndërtoni ju - e jo ajo. Vendin tuaj do ta lulëzoni ju - e jo ajo. Sepse ajo, Vendlindja e do vendin e vet emigrant. Po të kishte mundësi do ta ndërtonte vetë, nuk ju priste ju. Por fuqia i ka ikur, se forca është rinia. Ata që kanë ngelur, se kanë fuqinë tuaj as eksploruese, as ndërtuese, as dijen dhe aftësitë tuaja. 


Ajo/Vendlindja i do të afërmit tuaj emigrantë, i sheh se s`i zvarriten çdo ditë, e kalojnë ditën nëpër lokale me një kafe apo çaj përpara dhe me fytyrën të mbuluar nga pikëllimi. Japin ndonjë buzëqeshje apo përshëndetje ndër dhëmbë sa mezi u del nga goja zëre se nuk folën fare. Ajo e di se atë kafe apo çaj me lekët tuaj po e pinë emigrant, atë shërbim që ua bëjnë me shpenzimet tuaja po e paguajnë, ato lekë që merr doktori pas operimit, të tuat janë emigrant, ti i pagove, i postove apo humbe kohën e erdhe ndonjë ditë, se ne nuk na dalin lekët e rrogat e pensionet tona, as për “bukë e ujë”, jo më për spitale. 


Po si e kalove vitin e ri emigrant? Kur nënës ja postove lekët dhe ajo shkoi e i mori në bankë, bëri dhe pazarin me atë rast. Kur arriti në shtëpi nga mosha dhe nxitimi i la në koridor portofolin dhe ushqimet. Harroi të mbyllte derën, por u fut në tualet dhe kur doli nga tualeti nuk gjeti më as ushqimet se për portofolin as që bëhej fjalë, se në vendin e saj po vuajnë njerëzit për bukën e gojës dhe ajo nuk i mallkoi, por i uroi që nuk e dëmtuan fizikisht të paktën. 


Dhe ti emigrant nuk e more vesh kurrë, asnjëherë, se nuk ta tregoi që ti të mos lëndoheshe. Se ti ishe larg me familjen e fëmijët tuaj. Ti i kishe dalë borxhit, se dhe biletën i the po ta pres, por ajo nuk pranoi kurrësesi. Jo vetëm ajo kështu janë të gjithë të moshuarit dhe pse jetojnë vetëm nuk pranojnë të vijnë me ju në vendin e huaj. Po pse e bëjnë këtë? Atje ka kushte, ka jetë më të mirë ka përkujdesje shëndetësore për të moshuarit, pensioni është i mjaftueshëm për jetesë atje etj. 


Mbase ata kanë një qëllim, një amanet, jetojnë me një ëndërr, dhe me shpresë se një ditë ju do ta kuptoni e do të ktheheni. Jetojnë me shpresë se atë ditë, disa nga ata do të jenë akoma gjallë e do ta shohin vatrën e tyre plot me nipa e mbesa duke gëzuar si dikur.


Dhe tani vijnë shqiptarët si emigrantët pa shpresë, por që jetojmë me shpresë në vendin tonë. E pra emigrant, ju i keni të gjitha, por në të vërtetë nuk keni asgjë. Nëse ajo, “Vendlindja” juaj qesh, atëherë qeshni dhe ju, e nëse ajo qan, do të qani dhe ju. Nëse ajo ka do të keni dhe ju, e nëse ajo s`ka, asgjë s`keni as ju. 


Dhe Shpresa nuk humb asnjëherë, pasi i prijnë gjithmonë simotrat e saj, herë Mirësia faqekuqe si flaka dhe herë Besimi faqebardhë si bora. Disa prindër plot trishtim, ata kanë mbetur si jetim, si emigrant në vend të vet, i kërkojnë shqipes gjakun krejt. I thanë shqipes nise shtegtimin, hapi krahët fluturimthi, na i mblidh brezat shtet më shtet, që të jetojnë në vendin e vet, ta gëzojnë jetën vërtetë.   


Jeta e emigrantit është shumë e vështirë dhe e dhimbshme, s`a do të mundohen ta fshehin të vërtetën, zemra e tyre qan për vendlindje. Kur njëri nga prindërit është në emigrim rritja e fëmijëve të tyre do të jetë gjithmonë me mungesë dashurie prindërore edhe pse i`a plotëson të gjitha kushtet, fëmija ndihet i paplotësuar.


Emigranti shfrytëzohet në të gjitha drejtimet si për talentin e tij pasi atje e paguajnë më mirë dhe ngelet peng i tyre, do që të rrijë dhe vetë për lekë dhe kushte kuptohet.  Si për anën e tij të errët pasi ngelet “skllav e shërbëtor” gjithë jetën. Pa harruar njerëzit normal pa shumë eksperiencë të cilët jetojnë atje, por që i rrisin popullsinë atij vendi dhe e rinojnë mbi të gjitha.


Kjo temë është shkruar me ngjarje reale të jetës së emigrantëve dhe të familjarëve të tyre, të ndjekura nga lajmet dhe të dëgjuara nga të tjerët në jetën e përditshme, në këtë periudhë tranzicioni që po kalon vendi ynë në veçanti, por dhe vendet e tjera të botës në përgjithësi. Nxjerr në pah një pjesë të përpjekjeve dhe vuajtjeve të tyre për një jetë më të mirë, për të qenë sa më praktik dhe për t`u integruar në progresin e globalizmit. 


Qëllimi i kësaj eseje është që emigrantët “të vlerësojnë” Jetën, sepse Jeta është një dhe e vetme. Të kuptojnë dhe të vlerësojnë më shumë vetveten, pasi njihen me kultura, tradita të reja e njerëz të rinj, mbi të gjitha mësojnë një ose disa gjuhë të huaja. Si dhe të njihen me pasojat shkatërruese që sjell emigrimi për familjen e tyre, për fëmijët e tyre, për brezin e ri, për vendlindjen e tyre në përgjithësi. Emigrimi është sa i dobishëm aq dhe i dëmshëm.

                                         


(Drita (Gjaci) Topjana; Portali Shkollor)                

3,737 Lexime
4 vjet më parë