Siguria e nxënësve fillon nga siguria emocionale e mësuesit
Eksperti i arsimit Fiqiri Çifliku sjell një reflektim të rëndësishëm: siguria emocionale e nxënësve nis nga siguria e mësuesit. Një mësues i pambështetur nuk mund të krijojë një klasë të qetë dhe të sigurt. Në prag të 7 Marsit, ai fton të reflektojmë: sa të mbështetur ndihen mësuesit tanë në shkollë?
Nga Fiqiri Çifliku, ekspert arsimi
Sot nuk mjafton të pyesim nëse janë hedhur mungesat në SMIP, nëse planet mësimore janë gati, apo nëse po përmirësohen rezultatet e shkollës.
A ndihet i sigurt dhe i mbështetur mësuesi ynë, duhet të jetë pyetja e duhur.
Një i rritur i pambështetur nuk mund të krijojë siguri emocionale për fëmijët dhe nuk mund të ndërtojë lidhje të sigurta. Edhe mësuesi nëse nuk është vetë i qetë emocionalisht, nuk arrin të menaxhojë një klasë me shumë karaktere.
Me të drejtë ne flasim për “hapësira të sigurta” për fëmijët, por siguria në klasë nuk vjen me magji. Ajo rrezatohet përmes mësuesit, tek nxënësi. Nëse ai është i gjykuar, i keq menaxhuar, i mbingarkuar, i turpëruar për gabimet, atëherë kalon në regjim mbijetese. Dhe kur të mësuesit janë në mbijetesë, klasat do të kthehen në hapësira kontrolli, jo edukimi dhe lidhjeje.
Në modulin e Menaxhimit të Burimeve Njerëzore, për certifikimin e drejtuesve të shkollave një ndër pikat që nxit gjithmonë diskutime të forta lidhet me sigurinë dhe mbështetjen e plotë të mësuesit, me qëllimin e vetëm që ai të ndihet i mbështetur dhe i sigurt.
Nëse arrijmë në këtë pikë sigurisht, mësuesit janë të gatshëm të marrin rreziqe emocionale duke reflektuar në vend që të reagojnë. Nëse sigurojmë mjedis pozitiv, ata do të punojnë të riparojnë marrëdhëniet pas krisjeve, të ndërtojnë lidhje përpara se të bëjnë korrigjime, të shohin sjelljen si komunikim, jo si problem.
Kjo është arsyeja pse pyetja e drejtuesve në të gjithë hierarkinë administrative të arsimit, duke filluar nga kryemësuesi deri tek Ministri, nuk duhet të jetë vetëm: “Si po performojnë fëmijët?”, por: “Si po ndihen mësuesit tanë?”. Lidershipi i shkollës përcakton klimën emocionale të gjithë sistemit. E nëse do arrimë të krijojmë klimë pozitive për të mbështetur mësuesit është hap shumë i madh për të krijuar shkolla të sigurta dhe për të rritur nxënës më të mirë.
Meqë jemi në prag të 7 Marsit, le të mos e kthejmë këtë datë, në një ritual absurd, ku në mënyrë formale u jepen mësuesve ca urime, ca lule që do vyshken shpejt apo ca dhurata që me kohën do e humbin vlerën e tyre. Le ta fuqizojmë vërtrtë figurën e mësuesit, si garant i një shoqërie të shëndetshme.
Nëse duam fëmijë emocionalisht të sigurt, duhet të fillojmë me mësues emocionalisht të sigurt.
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë
Etika nën presion/ Gazetarja Marieta Mërkuri: Si e deformon mesatarja arsimin dhe çfarë duhet ndryshuar?
Drejtoresha Anila Çota rrëfen rrugëtimin e shkollës “Qamil Guranjaku” si fituese e vendit të dytë në Konkursin e Gjuhës Shqipe
Si të bëhesh oficer sigurie në shkolla? Eksperti i arsimit, Fiqiri Çifliku: Ja procedurat, kriteret dhe ndryshimet në VKM nr. 600