“Smart City”: 20 shkolla në Tiranë pajisen me kamera inteligjente për më shumë siguri
20 shkolla në Tiranë janë pajisur me kamera inteligjente në kuadër të projektit “Smart City”, njoftoi kryeministri Edi Rama. Teknologjia synon të rrisë sigurinë në shkolla, duke sinjalizuar në kohë reale drejtuesit, punonjësit e sigurisë dhe Policinë për incidentet.
Kryeministri Edi Rama ka njoftuar nisjen e zbatimit të projektit, “Smart City”, për rritjen e sigurisë në shkolla përmes vendosjes së kamerave inteligjente. Ky hap vjen si realizim i një zotimi të bërë pas tragjedisë së ndodhur në shkollën “Fan Noli”.
Aktualisht, 20 shkollat e para në Tiranë janë pajisur me këtë teknologji të re, e cila sinjalizon në kohë reale drejtuesit, punonjësit e sigurisë dhe Policinë e Shtetit për çdo incident.
“Kur një tragjedi e tmerrshme në një shkollë të Tiranës mbajti frymën e mbarë Shqipërisë, kamerat nuk na ndihmuan dot mjaftueshëm për të kuptuar dinamikën e asaj ngjarjeje.
Atëherë unë bëra një zotim; do të sjellim Shqipërinë në nivelin më të lartë të teknologjisë për të forcuar si asnjëherë më parë sigurinë në shkolla.
Sot, ky zotim ka nisur të bëhet realitet. Kemi në Tiranë 20 shkollat e para të pajisura me kamera inteligjente, të cilat janë një mjet me aftësi të jashtëzakonshme në duart e drejtuesve të shkollave, punonjësve të sigurisë por natyrisht edhe të vetë prindërve.
Këto kamera janë vendosur dhe do të vendosen po aty ku ishin të vjetrat, po ndryshe nga të vjetrat, ato jo vetëm shohin edhe sinjalizojnë në kohë reale drejtorinë, punonjësit e sigurisë apo vetë Policinë e Shtetit duke i ndihmuar ata të kapin shpejt sinjalin, të kuptojnë shumë më mirë për çfarë bëhet fjalë dhe të ndërhyjnë pa humbur kohë. Këto 20 shkolla janë vetëm pararoja e procesit. Zotimin e bërë pas asaj tragjedie, do ta bëjmë realitet shkollë pas shkolle, me teknologjinë në shërbim të njeriut dhe me sigurinë e fëmijëve mbi gjithçka”, shkruan kryeministri.
Ndërhyrja e shpejtë dhe monitorimi më i mirë janë avantazhet kryesore të këtyre kamerave që zëvendësojnë pajisjet e vjetra. Procesi pritet të shtrihet me hapa të mëtejshëm në të gjitha shkollat e vendit për të garantuar sigurinë e fëmijëve.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Etika nën presion/ Gazetarja Marieta Mërkuri: Si e deformon mesatarja arsimin dhe çfarë duhet ndryshuar?
Drejtoresha Anila Çota rrëfen rrugëtimin e shkollës “Qamil Guranjaku” si fituese e vendit të dytë në Konkursin e Gjuhës Shqipe
Si të bëhesh oficer sigurie në shkolla? Eksperti i arsimit, Fiqiri Çifliku: Ja procedurat, kriteret dhe ndryshimet në VKM nr. 600