MASR

Strategjia Kombëtare e Arsimit 2021-2026, Kushi: Fokusi tek gjithëpërfshirja dhe sigurimi i cilësisë në arsim

Në Ministrinë e Arsimit Sportit dhe Rinisë kanë nisur konsultimet publike për Strategjinë Kombëtare të Arsimit 2021-2026. Ministrja Evis Kushi në takimin e parë ka theksuar se në fokusin kryesor të kësaj strategjie për arsimin parauniversitar do të jenë gjithëpërfshirja dhe sigurimi i cilësisë në arsim.

Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë ka nisur tashmë konsultimet publike për hartimin e Strategjisë Kombëtare të Arsimit 2021-2026.


Këtë e bën të ditur Ministrja Evis Kushi përmes një publikimi në rrjete sociale, ku shprehet se është zhvilluar një diskutim me përfaqësues të Këshillit Kombëtar të Arsimit Parauniversitar, i cili është edhe takimi i parë i konsultimit publik për hartimin e kësaj strategjie.

Për sa i përket arsimit parauniversitar, Kushi nënvizon edhe pikat kryesore që do të jenë në fokusin e strategjisë:

"Në fokus kryesor të kësaj strategjie për arsimin parauniversitar do të jenë gjithëpërfshirja dhe barazia në arsim, digjitalizimi, meritokracia dhe zhvillimi profesional i mësuesve, menaxhimi dhe sigurimi i cilësisë në arsim, si dhe shtimi i vëmendjes për zotërimin e kompetencave të të nxënit gjatë gjithë jetës".


Në kuadër të Strategjisë Kombëtare të Arsimit 2021-2026, Ministrja Kushi shpreh ndër të tjera angazhimin  e plotë të MASR për të ndërtuar një sistem arsimor sa më gjithëpërfshirës, i cili trajton me sukses nevojat individuale të të gjithë fëmijëve, nxënësve e studentëve tanë, duke i trajtuar ata në mënyrë të barabartë dhe me respekt për diversitetin. 


Në fund, ajo falënderon edhe partnerët zhvillimorë, donatorët, organizatat vendore dhe ndërkombëtare, shoqërinë civile dhe aktorët e tjerë të përfshirë, të cilët javët në vijim do të jenë pjesë e konsultimeve të gjëra publike për hartimin e Strategjisë Kombëtare të Arsimit 2021-2026. 




©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.  

3,770 Lexime
2 vjet më parë