Surprizë në ditëlindje, prindërit e klasës së pestë falënderojnë mësuesen Afërdita Myshketa
Sot, në ditëlindjen e saj, prindërit e nxënësve të klasës së pestë, që mbyllin arsimin fillor nën kujdesin e saj këtë vit, kanë përgatitur një surprizë të veçantë për mësuesen Afërdita Myshketa: një letër të ndjerë mirënjohjeje për përkushtimin dhe dashurinë ndaj fëmijëve.
Mësuese Afërdita Myshketa, ose siç e njeh i gjithë Durrësi dhe jo vetëm, mësuese Tina, mbetet një nga shembujt më frymëzues të profesionit të mësuesit.
Me mbi 30 vite përvojë të mbushura me përkushtim, sukses dhe dashuri për nxënësit, ajo ka ndërtuar një portofol profesional që flet më shumë se çdo fjalë “një jetë e tërë në shërbim të edukimit dhe formimit njerëzor”.
Sot, në ditëlindjen e saj, shprehim mirënjohjeje e thellë dhe respektin e jashtëzakonshëm nga të gjithë brezat që ajo ka rritur dhe formuar, jo vetëm me dijen e saj, por mbi të gjitha me shpirtin e saj. Është një përpjekje për të falënderuar një mësuese që ka ditur të lërë gjurmë të pashlyeshme në jetën e çdo nxënësi.
Mësuese Tina dallohet për vlerat e saj të rralla njerëzore dhe profesionale, shpirtin e butë dhe të thellë, buzëqeshjen e ngrohtë dhe dashamirëse, korrektësinë e admirueshme dhe komunikimin e hapur e të qëndrueshëm me prindërit dhe familjarët. Ajo është shembull i maturisë dhe qetësisë në zgjidhjen e çdo situate, si dhe i përkushtimit të palëkundur në përgatitjen shkencore të nxënësve, të cilët ndër vite kanë spikatur në olimpiada shkencore dhe fusha të ndryshme shoqërore.
Në punën e saj të përditshme, ajo mishëron përpikmërinë, etikën dhe standardet më të larta profesionale, duke zhvilluar çdo orë mësimi me seriozitet dhe kërkesë të lartë shkencore e kurrikulare. Për të, çdo nxënës është një botë më vete, një potencial që duhet zbuluar dhe zhvilluar. Për këtë arsye, ajo i përfshin ata në projekte të ndryshme, duke nxitur talentet dhe aftësitë e secilit.
Ajo nuk bën dallime mes nxënësve, sepse për të, nuk ka rëndësi prejardhja, lagjja apo statusi shoqëror. Për të ka vetëm fëmijë që meritojnë kujdes, dashuri dhe përkushtim të plotë. Ajo punon me mish e me shpirt për të ndërtuar të ardhmen e tyre, duke ruajtur njëkohësisht pastërtinë dhe gëzimin e moshës së fëmijërisë.
Figura e saj shkon përtej rolit të mësueses në klasë. Ajo është kujdes, empati dhe mbështetje në çdo moment. Është mësuesja që kujdeset për detajet më të vogla, që ushqen frymën e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit, dhe që mbron me vendosmëri mirëqenien emocionale, psikologjike dhe akademike të nxënësve të saj.
Mbi të gjitha, ajo është një edukatore që formon jo vetëm mendjen, por edhe karakterin. Ajo u mëson fëmijëve dinjitetin, vetëbesimin dhe vlerat njerëzore, duke i shoqëruar në çdo hap të rritjes së tyre dhe duke i ndihmuar të kuptojnë e të përballojnë sfidat e zhvillimit të moshës.
Mësuese Tina është një mësuese që flet “të gjitha gjuhët e dashurisë” dhe kjo është arsyeja pse ajo mbetet e paharrueshme për këdo që ka pasur fatin të jetë nxënës i saj.
Gëzuar ditëlindjen, Mësuese Tina! Ju urojmë shëndet të plotë, jetë të gjatë dhe të mbeteni gjithmonë po aq frymëzuese për brezat që do të vijnë.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Fitorja e Dibrës në Konkursin Kombëtar të Gjuhës Shqipe – Bisedë me Marsida Vishka, drejtoreshë e “Selim Alliu”
Çfarë bën një mësues?
Fëmijët dhe fobia nga shkolla