OPINION

Të rikthehemi fuqishëm, asgjë s’na ndalon drejt dijes

Ne vërtetuam që jemi të pamposhtur në çdo lloj situate dhe nuk na mungon vullneti për të punuar me zell e përkushtim. Të gjithë meritojnë falënderime: nxënës, mësues e prindër, pasi pa interesimin dhe bashkëpunim intensiv nuk do të ishte e mundur të realizohej procesi mësimor në kushte të izolimit pandemik.

Nxënësi duhet të ndjejë dashuri prindërore e mbështetje psikologjike nga mësuesi që të arrijë të shprehë lirisht mendimin dhe idetë e tij duke pranuar miqësisht sugjerimet e vërejtjet.


Në kohë pandemie ndodhi që nxënësi të njihet më shumë se në normalitet me madhështinë dhe përmasat e mësimdhënësit në fushën e kompetencës e përkushtimit në aspektin pedagogjik e psikologjik, si të plotësuar në fushën pedagogjiko-psikologjike plot sens pozitiviteti në shkallë të lartë tërheqjeje dhe besueshmërie në raportin mësues-nxënës.


Gjithmonë është synuar të ecim drejt konsolidimit të marrëdhënieve duke respektuar studentin pa cenuar autoritetin e mësuesit, etika e të cilit duhet të jetë shembulli më pozitiv i shoqërisë.


Nevojitet që përpara nesh të hapim horizonte të reja dhe të mos mbetemi në enigma jetësore pa zgjidhje pasi nuk është në natyrën tonë të dorëzohemi.

Të vendosim objektiva e të përpiqemi që për çdo hap prapa të bëjmë minimumi dy hapa përpara.

Mund të humbasim në disa beteja në jetë por luftën duhet ta fitojmë.

Për çdo rënie na nevojitet një ringritje e fuqishme duke mos valëvitur kurrë flamurin e bardhë.

Biblioteka e mendjes tonë është e mbushur me shkrime që mbeten përjetë aty të shpalosura në sytë tanë. Në ulje ngritjet e jetës arsimimin duhet ta mbajmë të pathyeshëm si bazë e ecjes përpara dhe zhvillimit të një kombi.

Si gjelbërimi në lulëzim me aromë të këndshme pas shiut pranveror të lulëzojë vullneti dhe përkushtimi i gjithsecilit për arsimim.


Ne vërtetuam që jemi të pamposhtur në çdo lloj situate dhe nuk na mungon  vullneti për të punuar me zell e përkushtim. 

Të gjithë meritojnë falënderime: nxënës, mësues e prindër, pasi pa interesimin dhe bashkëpunim intensiv nuk do të ishte e  mundur të realizohej procesi mësimor në kushte të izolimit pandemik.

Pavarësisht që jemi mësuar me mësimin frontal edhe ai online ishte një metodë për t’u përgëzuar që sinqerisht na ndihmoi e mund të themi na befasoi me rezultatin e tij. 


Si popull e kemi në gjak dëshirën për të ecur përpara dhe në situata të jashtëzakonshme e gjejmë rrugëdaljen duke shfrytëzuar të gjitha hapësirat dhe shtigjet e mundshme.


T’i rikthehemi një riorganizimi total bazuar në stuhi mendimesh dhe idesh duke bërë paraprakisht një analizë të plotë në detaje të gjendjes aktuale post pandemike.


Të minimizojmë duke shkuar drejt eliminimit të plotë të pasojave që lanë fatkeqësitë natyrore. 


Arsimi me në qendër nxënësin ka sjellë ndryshime të mëdha pozitive në ngritjen profesionale e pedagogjike dhe për arsimtarët. Ne nuk synojmë të jemi thjesht një mësues që flet e shpjegon por kemi kaluar në stadin e demonstrimit dhe frymëzimit.


Një arsimim i mirë na jep mundësinë e mendimit nëpërmjet meditimit.

Një njeri i lumtur është person i arsimuar dhe i edukuar me norma të larta të shoqërisë duke pasur një mendje të hapur me vizion të qartë  e horizont largpamës.

Arsimimi dhe edukimi “nuk janë mbushje e një kove por ndriçimi i një zjarri”, janë vetë jeta në përmasat universale të saj. 


Gjithmonë duhet të jemi këmbëngulës në kërkim të qëllimit të rrugës që zgjedhim duke u riorganizuar për arritjen e synimeve madhështore.


Miliona flokë bore formojnë një ortek...të gjithë të ndjejmë përgjegjësinë individuale në shërbim të mbarëvajtjes së arsimit.


Në fund të fundit ne po përcjellim përvojat dhe po punojmë për arsimimin e mësuesve të ardhshëm pasi nga ata do dalin të gjitha profesionet tjera brez pas brezi.



Manushaqe Hoxha Laçi

Mësuese kimie në gjimnazin “Skenderbeu”, Krumë, Has


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

14,658 Lexime
4 vjet më parë