Orë model

“Të shijosh” filozofinë

Planifikimi i një ore mësimorë në lëndën e filozofisë, klasa XI. Të tjera orë model për këtë lëndë ju mund t’i gjeni në librin e mësuesit të përgatitur nga Shtëpia Botuese Albas.

Planifikimi i orës mësimore

Fusha: Mjedisi dhe shoqëria

Lënda: Filozofia Klasa: XI Shkalla: V

Tema mësimore: Veprimtari praktike: “Të shijosh” filozofinë

Situata e të nxënit: Tashmë ne i kemi zhvilluar mësimet paraprake të lëndës së filozofisë. Ajo nuk funksionon si e vetme, por ndërlidhet dhe me fusha të tjera. Si mendoni cilat janë ato? Në këtë veprimtari praktike ju do të punoni rreth rëndësisë që ka kjo fushë dhe idetë e saj. Ç’do të thotë, sipas jush, “të shijosh” filozofinë?

Rezultatet e të nxënit të temës mësimore/ lëndës sipas kompetencave kyç:

Nxënësi/ja:

• paraqet ide dhe argumente mbi mendimin filozofik;

• zhvillon mendimin e lirë mbi filozofinë dhe idetë e saj;

• argumenton rëndësinë e ideve filozofike.

Fjalët kyç: ide filozofike, mendim filozofik, dehje filozofike, “të shijosh” filozofinë

Burimet / Mjetet / Materialet: Interneti, biblioteka, tekstet shkollore

Lidhja me fushat e tjera ose me temat ndërkurrikulare: TIK-u, shkencat shoqërore


Fazat e strukturës Strategjitë mësimore Veprimtaritë e nxënësit Koha  
Faza I Stuhi mendimesh (brainstorming)   Diskutim idesh 10’  
Faza II Punë në grupe/ Prezantim Prezantim/Diskutim 25’  
Faza III Prezantim Prezantim pune/Shënime 10’

Organizimi i orës së mësimit


Faza I

Në trajtën e një stuhie mendimesh (brainstorming), nxënësit rikujtojnë konceptet kryesore të orëve të kaluara. Pas kësaj nxënësve u drejtohen pyetjet, të cilave u duhet t’iu përgjigjen në punimet e realizuara.

1. Pse janë të rëndësishme idetë me të cilat na ka pajisur filozofia?

2. Ku ndërlidhet filozofia me shkencat e tjera?

3. Pse filozofia plotëson kënaqësitë shpirtërore, mendore të individit në rrugëtimin e tij të jetës dhe të dijes?


Faza II

Hapat që ndiqen për realizimin e veprimtarisë

Hapi 1: Punë individuale jashtë klase

Nxënësit kërkojnë në internet material (tekst) dhe ilustrime (foto, ilustrime), që tregojnë ndërlidhjen e filozofisë me shkencat e tjera, si dhe për rëndësinë e ideve të filozofisë.

Hapi 2: Nxënësit prezantojnë sipas grupeve përkatëse nëntematikat e caktuara:


Grupi I

Pse janë të rëndësishme idetë me të cilat na ka pajisur filozofia?

• Filozofia na ka pajisur me disa nga idetë më të rëndësishme dhe me më shumë ndikim në histori.

• Idetë më të rëndësishme në historinë e filozofisë konsiderohen si një pikë kthese në sferën e mendimit.

• Ideja apo citati tregojnë shumë pak. Ato janë përfundimi i një linje argumentimi rreth natyrës së sigurisë. Kur shqyrtojmë arsyetimin, ideja fillon dhe merr kuptim.


Grupi II

Ku ndërlidhet filozofia me shkencat e tjera?

• Teoritë janë ide që vënë në pikëpyetje hipotezat tona për veten dhe për botën. Përmes tyre, mendojmë në një dritë të re për mënyrën se si i vështrojmë gjërat.

• Këto ide kanë pasur ndikim përtej filozofisë, duke shkaktuar lëvizje të rëndësishme shkencore, politike dhe artistike.

• Teoritë dhe idetë e filozofëve janë nxitëse të mendimit po aq sa edhe arti i madh, sa vërtetimi matematikor, sa humori në një bisedë mes miqsh.


Grupi III

Pse filozofia plotëson kënaqësitë shpirtërore dhe mendore të individit në rrugëtimin e tij të jetës dhe të dijes?

• Habia dhe kërshëria janë karakteristika njerëzore. Të tilla janë edhe ngazëllimi i të hulumtuarit dhe i të zbuluarit.

• Ne “dehemi” njësoj, si nga filozofia, ashtu edhe nga veprimtaria fizike, nga kënaqësia e të shijuarit të artit, nga besimi dhe nga idetë e arritura përmes të arsyetuarit tonë.

• Fillimi i të menduarit nuk është në kundërshtim vetëm me të tjerët, por edhe me veten tonë.


Faza III

Prezantim i punimit në klasë, diskutim dhe formulim konkluzionesh.

Nxënësit vendosin punimet në portofolin e tyre të nxënësit.


Vlerësimi

Bëhet nga mësuesi vlerësim në grup për punën e kryer; vlerësim individual i rolit të gjithsecilit në grup, si dhe vlerësim për nxënësit që prezantojnë.


Detyrat dhe puna e pavarur

Nuk parashikohen.


(Portali Shkollor)

8,450 Lexime
6 vjet më parë