Reflektim

Të sillesh me etikë

“A jemi ne të rriturit korrekt në përdorimin e një fjalori të pasur dhe me etikë? A sillemi mirë ne me kolegët në shkollë?! A kemi ne sjellje të kulturuar dhe japim shembullin personal?”- shkrim reflektues nga mësuesja Fatbardha Amzaj.

"Njerëzit më të mirësjellshëm bëjnë adhuruesit më absurdë."

— Denis Didëro


I qëndroj shprehjes së vjetër: "Sjellja e zbukuron njeriun".

Është e lehtë të kërkosh te fëmija të sillet hijshëm, me etikë, të ndihmojë njerëzit në nevojë, të ngrihet për t'i liruar vendin në autobus më të rriturit apo invalidit, të respektojë më të rriturit, të flasë në mënyrë té kulturuar, apo të ndihmojë dhe respektojë më të moshuarit, të të përshëndesë kur je përballë, apo kur je duke ecur...


Është shumë e lehtë të kërkosh dhe edukosh te nxënësit dhe brezat e rinj të sillen si më lart dhe të përdorin fjalët magjike në klasë, në shkollë, komunitet dhe kudo. Shpesh herë u themi fëmijëve mos bërtit, mos luaj me telefon, mos shaj, mos përdor fjalor jo të hijshëm. Po këto kërkesa kemi edhe ne si mësues për nxënësit tanë duke u tërhequr vëmendjen për mënyrën e të sjellurit me etikë dhe komunikim. U kërkojmë të punojnë në grup, të jenë tolerant, të bëhen liderë, të zbatojnë rregullat në lojë, të ndihmojnë njëri- tjetrin. Por, a jemi ne të rriturit korrekt në përdorimin e një fjalori të pasur dhe me etikë? A sillemi mirë ne me kolegët në shkollë?! A kemi ne sjellje të kulturuar dhe japim shembullin personal?


Përgjigjja ime është jo. Jo "të gjithë" jemi me etikë komunikimi, jo të gjithë sillemi si intelektualë të mirëfilltë dhe përcjellim respekt dhe mirënjohje te kolegët. Jo të gjithë tolerojmë dhe bashkëpunojmë me njëri- tjetrin. Por dikush kërkon lëshime, dikush shmanget, dikush hedh gurin dhe fsheh dorën, dikush është neutral, dikush largohet për të mos qenë pjesë e konflikteve mes kolegësh, dikush thotë ia bëri mirë, dikush të përkrah në moment dhe sa kthen shpinën të ka "hedhur poshtë".


Ndonjëherë fajësojmë prindërit ( edhe pse ata kanë gabimet e tyre ndaj fëmijëve, por jo gjithmonë prindërit gabojnë), por protagonistë në debatet brenda institucioneve i bëjmë ne punonjësit nga  mungesa e etikës (jo të gjithë) është një pakicë e cila lë për të dëshiruar.


Nëse i "bëjmë bisht punës", nëse nuk kemi përgjegjësi për punën, sjelljen, për formimin intelektual që kemi, atëherë ç'mund të edukojmë te të tjerët me sjelljen tonë?


-Halle Berri ka shkruar: "Nuk e di pse, por unë iu përgjigjem sjellshëm karaktereve të bezdisshëm."


Promovimi i kulturës, i sjelljes dhe i etikës te të rriturit duhet të stampohet në mendjet dhe zemrat tona, dhe në çdo hap që hedhim.

Të gjithë gjykojmë, të gjithë flasim, kritikojmë, udhëzojmë, por, a jemi ne mësuesit (jo të gjithë) në rregull me sjelljen tonë në mënyrë të kulturuar në familje, shoqëri dhe komunitet?

A dimë të tolerojmë dhe të kemi kurajë të themi se e vërteta duhet thënë me qetësi dhe të mos bullizojmë tjetrin?

A duhet që një intelektual/e të përdori fjalor të pasur dhe me etikë?

Po. Sepse kështu duhet të jetë shoqëria sot. Sepse nuk duhet të shkelet personaliteti i pjesës së shëndoshë të shoqërisë.

Nuk duhet t'u jepet prioritet atij/ asaj që ngre zërin ku s'duhet, atyre që janë parazit, që bullizojnë kolegun, kolegen.

Nëse kemi sjellje të tilla, edhe pritshmëritë nga brezat e rinj me sjellje negative do të jenë të tilla në të ardhmen. Duhet të përcjellim respektin, dashurinë dhe të përdorim fjalorin e bukur dhe pozitiv te të rriturit, kolegët, dhe ndaj nxënësve.


"Sjellja është një gjë e vogël që përbën një ndryshim të madh"- Uinston Çërçill


Përulem me respekt për mësuesit e mi, kolegët dhe misionin e tyre të vyer.



Nga Fatbardha Amzaj 

©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,242 Lexime
6 muaj më parë