Universiteti i Mjekësisë ul pragun e notës mesatare për pranim, publikohen kriteret për vitin akademik 2026-2027
Universiteti i Mjekësisë, Tiranë, publikon kriteret e pranimit për vitin akademik 2026-2027. Nota mesatare minimale për kandidatët është ulur për disa programe krahasuar me vitet e mëparshme, ndërsa përcaktohen edhe kriteret e reja të renditjes për Mjekësi të Përgjithshme, Farmaci dhe Stomatologji.
Senati Akademik i Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, ka miratuar kriteret e pranimit për kandidatët që do të aplikojnë në programet e ciklit të parë (Bachelor) dhe programet e integruara të studimit të ciklit të dytë për vitin akademik 2026-2027.
Sipas vendimit, kandidatët që aplikojnë në Universitetin e Mjekësisë duhet të plotësojnë notën mesatare minimale, e cila llogaritet si mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave përfundimtare të të gjitha viteve të arsimit të mesëm të lartë dhe mesatarja e provimeve të Maturës Shtetërore.
Notat mesatare minimale sipas programeve
Për programet e studimit janë përcaktuar këto nota minimale:
Mjekësi e Përgjithshme ≥ 8
Farmaci ≥ 8
Stomatologji ≥ 8
Shëndet Publik ≥ 7
Infermieri e Përgjithshme ≥ 7
Fizioterapi ≥ 7
Mami ≥ 7
Teknikë Imazherie ≥ 7
Teknikë Laboratori ≥ 7
Logopedi ≥ 7
Teknikë Dentare ≥ 7
Higjenist Dentar ≥ 7
Krahasuar me kriteret e pranimit të një viti më parë, Universiteti i Mjekësisë ka ulur pragun minimal të notës mesatare për pothuajse të gjitha programet e studimit. Ndryshimi është më i dukshëm në programet "Mjekësi e Përgjithshme", "Farmaci" dhe "Stomatologji", ku nota minimale ka zbritur nga ≥ 8.5 në ≥ 8, ndërsa për shumicën e programeve të Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike pragu ka kaluar nga ≥ 7.5 ose ≥ 8 në ≥ 7.
Si do të bëhet vlerësimi?
Për programin "Mjekësi e Përgjithshme", renditja e kandidatëve do të bazohet në dy komponentë:
- 70% pikët e fituara nga arsimi i mesëm i lartë;
- 30% pikët e fituara në testimin e informatizuar, i cili zhvillohet posaçërisht për këtë program studimi.
- Brenda 70% të pikëve nga arsimi i mesëm përfshihen:
- 35% nota mesatare e të gjitha viteve të shkollës së mesme;
- 15% notat përfundimtare në klasën e 12-të në Fizikë, Biologji dhe Kimi (nga 5% secila);
- 50% mesatarja e provimeve të Maturës Shtetërore.
Nëse kandidati ka zgjedhur si provim me zgjedhje Biologjinë, Kiminë ose Fizikën, nota e këtij provimi shumëzohet me koeficientin 1.5, ndërsa për lëndët e tjera zbatohet koeficienti 1.
Kriteret për Farmaci, Stomatologji dhe programet Bachelor
Për programet Farmaci, Stomatologji dhe të gjitha programet Bachelor të Universitetit të Mjekësisë, nuk parashikohet testim i informatizuar.
Vlerësimi i kandidatëve do të bazohet në:
- 35% notën mesatare të arsimit të mesëm;
- 15% notat në Fizikë, Biologji dhe Kimi në klasën e 12-të;
- 50% rezultatet e provimeve të Maturës Shtetërore, me të njëjtin koeficient 1.5 për lëndët Biologji, Kimi dhe Fizikë si provim me zgjedhje.
Në procesin e renditjes do të merret në konsideratë edhe koeficienti i llojit të shkollës së mesme të përfunduar nga kandidati, sipas tabelës së përcaktuar në vendim.
Vendimi ka hyrë në fuqi menjëherë dhe do të zbatohet për pranimin e studentëve në Universitetin e Mjekësisë, Tiranë, për vitin akademik 2026-2027.
Nga Matura te universiteti, procedurat që presin kandidatët për Mjekësi
Për maturantët që synojnë të ndjekin studimet në Universitetin e Mjekësisë, Tiranë, procesi i aplikimit do të vijojë sipas kalendarit të procedurave për Maturën Shtetërore dhe aplikimeve në institucionet e arsimit të lartë. Kandidatët që do të zgjedhin programin “Mjekësi e Përgjithshme” duhet të kenë parasysh se, përveç rezultateve të shkollës së mesme dhe Maturës Shtetërore, do t’i nënshtrohen edhe testimit të informatizuar, pikët e të cilit përbëjnë 30% të vlerësimit përfundimtar.
Data e zhvillimit të këtij testi do të bëhet publike nga Universiteti i Mjekësisë në bashkëpunim me Qendrën e Shërbimeve Arsimore.
Ndërkohë, maturantët duhet të ndjekin me kujdes afatet e aplikimeve dhe procedurave të Maturës Shtetërore 2026, përfshirë provimet kombëtare dhe zgjedhjen e lëndëve që mund të ndikojnë në rezultatin përfundimtar për pranimin në degët e preferuara.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Kalendari për procedurat e aplikimit dhe regjistrimit në institucionet e arsimit të lartë, 2026-2027
Konkursi i Mjekësisë në 10-20 gusht. Për herë të parë provim për të rinjtë që do ndjekin Universitetin e Mjekësisë
Një risi në Universitetin e Tiranës dhe jo vetëm