Aktualitet

Universiteti i Prishtinës nderon stafin akademik për kontributin e dhënë, mes tyre edhe tre bashkëpunëtorë të ALBAS-it

Rektori i Universitetit të Prishtinës ka nderuar stafin akademik për punën e vyer kërkimore dhe ngritjen e profilit akademik të UP. Mes tyre spikatën edhe tre bashkëpunëtorët e Shtëpisë Botuese Albas, Arben Hajdari, Adem Beha dhe Arsim Canolli. Ceremonia është mbajtur me rastin e 54-vjetorit të UP-së.

Rektori i UP-së, prof. Qerim Qerimi, ka organizuar një ceremoni, për të nderuar profesorët e njësive akademike me mirënjohje, duke shprehur vlerësimin për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm meritor dhe shërbimin e tyre ndaj universitetit. 


Në këtë ngjarje, u theksua rëndësia e angazhimit të gjatë dhe punës shkencore të stafit akademik në zhvillimin dhe avancimin e UP-së. "Mirënjohja e sotme është një shprehje e përkushtimit tonë për të vlerësuar dhe nderuar atë që keni dhënë për këtë institucion," u shpreh rektori gjatë ceremonisë. 


Mes tyre spikatën edhe tre bashkëpunëtorët e Shtëpisë Botuese Albas, Arben Hajdari, Adem Beha dhe Arsim Canolli, të cilët kanë dhënë kontributin e tyre edhe si autor të teksteve shkollore për arsimin parauniversitar në Kosovë. 

Prof. Arben Hajdari

Prof.Adem Beha

Prof. Arsim Canolli

Kjo ngjarje ka pasuar nderimin e 54-vjetorit të Universitetit të Prishtinës, një datë simbolike, për të festuar dhe shpërblyer kontributin dhe shërbimin e profesorëve në këtë institucion arsimor. Profesorët e shpërblyer janë nderuar për punë të vyer kërkimore dhe ngritje të profilit akademik të universitetit.


Sakaq, rektori Qerimi theksoi se kjo ceremoni është një mënyrë e përkujtimit dhe vlerësimit të kontributit të tyre, duke theksuar se ata janë vlerë e shtuar dhe e çmueshme për universitetin. Ky akt shpreh përkushtimin e universitetit për të vlerësuar dhe nderuar kontributin e stafit akademik në ndërtimin dhe ruajtjen e cilësisë së arsimit superior dhe kërkimit konkurrues ndërkombëtar. 


Përveç stafit akademik, mirënjohje u janë ndarë edhe njësive akademike për zhvillim të suksesshëm të programeve studimore ndërkombëtare dhe ngritje të profilit akademik të universitetit. Këtë vit këto mirënjohje u janë dhënë Fakultetit të Edukimit, Fakultetit Juridik dhe Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit.

Këta janë profesorët që pranuan mirënjohje:Arben Hajdari, Arben Mehmeti, Avni Hajdari, Florian Miftari, Skender Kabashi, Vjosa Hamiti, Adem Beha, Armond Daci, Arsim Canolli, Avni Berisha, Besnik Krasniqi, Ferdije Zhushi, Fjolla Kaçaniku, Gëzim Hoxha, Kadri Sylejmani, Labeat Misini, Naim Braha, Vjollca Krasniqi, Zamira Hyseni. 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

411 Lexime
2 muaj më parë