Atdheu

Vendi im, dashuria ime më e madhe

Besoj se sot, në vendin tim e tëndin, shumë pak do të thonin që nuk duam të largohemi. Shumica duan të ikin nga sytë këmbët, drejt një atdheu të dytë ku t’i sigurojë punë e jetë më të mirë.

Besoj se sot, në vendin tim e tëndin, shumë pak do të thonin që nuk duam të largohemi.  Shumica duan të ikin nga sytë këmbët, drejt një atdheu të dytë ku t’i sigurojë punë e jetë më të mirë.


Ngado shohim vetëm korrupsion, trafikim, vjedhje, një mori fjalësh që thuhen me zë e nën zë për ata që na drejtojnë. Kur sheh se ku e ka katandisur politika vendin tonë, na duken legjenda historitë që tregojnë për shqiptarët atdhetarë. Nuk mund të them që ky vend nuk ka njerëz të mirë e punëtorë atdhedashës, por zëri i tyre është i zhytur dhe s’ka forcë. 


Kur i pyeta nxënësit e mi “A ju flasin prindërit për dashurinë ndaj atdheut, vendlindjes, historisë së lavdishme të vendit tonë?”, përgjigjet e tyre ishin ca shenja ku lexohej çudia dhe habia që “pse u dashka folur më për këto gjëra(!)”. 


Si ka mundësi që asnjë nuk mendon se të edukosh një fëmijë, nuk do të thotë që t’i përballësh jetën e të rriturit me vështirësitë e hallet, papunësinë e korrupsionin, por duhet t’i mësosh gjërat kryesore që janë dashuria dhe respekti për familjen dhe vendin, t’i mësosh rrënjët e tij, historinë  për të ditur se kush është ai, nga vjen, jo thjesht si prejardhje e pemës gjenealogjike, por dhe mijëvjeçarëve që ai ka në genet e tij. Krenaria që ne shqiptarët dikur e kishim si virtyt, sot është kthyer në një vanitozitet dhe hundëpërpjetësi, një e metë që mund të përkthehet  në çdo gjuhë të botës sot. E dikur jo, se krenaria e dikurshme ishte një ndjenjë e thellë dhe tepër e brendshme, kur shqiptari asgjë mund të mos kishte, por në sytë e tij lexohej krenaria e origjinës dhe e jetës që kishte bërë.


Më kanë prekur thellë fjalët e një shqiptari (Koto Hoxhi) që luftoi në vitet e Lidhjes së Prizrenit për pavarësinë e vendit dhe u mbyll në ferrin e burgjeve turke. Edhe në ato kushte të mjerueshme brenda në burg, ai qëndronte dhe mbahej me fjalët: “Koka ime është në duart e Madhërisë; shpirti im i takon Perëndisë, mirëpo nderi është i imi!” [marrë nga libri i jetës së Sevasti Qiriazit]. Njeriu rron për nder, për një fytyrë, për një emër. Të gjithë duhet t’u mësojnë këtë gjë fëmijëve të tyre. Si mund të bëhet më i mirë ky vend, nëse ne nuk kemi mbjellë farën e duhur sot?! Nëse ne nuk i ushqejmë fëmijët tanë me gjëra të mira, si mund të mendojmë se ky vend do të bëhet?!


Në qytetin tim, jeton Avniu, një njeri pa shtëpi e që jeton rrugëve pa asnjë ndihmë. Ai kur flet për vendin, ka dashuri e i drejtohet atij, si gjësë më të çmuar, duke gjykuar njerëzit si të gabueshëm, e jo vendin. Në këtë vend, fajtorë janë njerëzit, e jo kjo tokë që Zoti na e ka dhënë kaq të bukur. Madje ekziston një legjendë për krijimin e kësaj mrekullie. Legjenda thotë se: “.... në fillim, kur po bëheshin ende zbukurimet e fundit në planetin tonë, Perëndia zbriti me thesin e mbushur plot me male për t'i shpërndarë dhe rregulluar sipas shijes së Tij artistike. Kur hyri në Shqipëri, thesi ishte ronitur kaq shumë saqë u ça dhe malet që kishin mbetur në të u rrokullisën poshtë e u shpërndanë ashtu sikurse ranë në mbarë vendin. Mijëra vite më vonë Krijuesi zbriti përsëri poshtë të shihte veprën madhështore të krijimit të Tij, por për habinë e Tij, Ai nuk mundi ta gjente dot rrugën për shkak të transformimit nga dora e njeriut... Shqipëria ishte vendi i fundit që Ai vizitoi dhe, kur arriti në këtë vend, Krijuesi u kënaq shumë se e gjeti, ashtu si e kish krijuar Vetë...” 


Të gjithë flasim për këtë bukuri, por na pëlqen më shumë kur e shohim së jashtmi, duke i ikur çdo gjëje e duke ikur dhe vetë.


Sa herë takoj një prind të nxënësit tim, unë i them, se është një fëmijë shumë i mirë, edhe kur ai nuk shkon shumë mirë me mësime. Më duket më tepër e rëndësishme njeriu, pastaj nxënësi. Po ky njeri bëhet akoma dhe më i mirë kur brumoset me dashurinë për vendin e tij. Prandaj dhe them që gjëja që më shumë duhet t’u themi fëmijëve tanë, është dashuria për vendin, për atdheun. Dhe pse këto fjalë sot na duken si fjalë që mezi thuhen, si fjalë të vjetra, si fjalë librash, mund t’i ç’pluhurosin e të kuptojmë shenjtërinë e tyre dhe të pranojmë se çdo gjë vjen që aty. Një njeri pa rrënjë nuk jep fryte. Rrënjët ne i kemi në atdhe, në atë vend ku kemi lindur e jemi rritur. 


Ky vend ka nevojë për të rinjtë që janë ushqyer nga familja dhe shkolla me dashuri për të. Edhe kur Migjeni ishte mësues në Pukë, gjente në atë kohë të vështirë e atë qytet të varfër, fjalë të mira për vendin që t’i ushqente për një të nesërme më të mirë “zenelët e vegjël”.


(Nga: Migena Shyti Kapllani, mësuese në gjimnazin “Konstandin Kristoforidhi”, Elbasan; Portali Shkollor) 

20,241 Lexime
6 vjet më parë