ESE

Vetmia, mbretëria e jetës sime

Nëse deri më tani keni menduar se vetmia është mjet, që të shpie drejt qëllimit të të gjithë njerëzve pa dallim, pra lumturisë, e keni gabim. Gëzoju lumturisë së tjetrit, duke u shoqëruar me të, do ta arrish iluzionin e vetmisë dhe lumturinë e vërtetë.

I ulur në qoshen e dhomës morra lapsin të shkruaj për vetminë, ngase mendja e vetme s'mund të shkruante pa ia shoqëruar lapsin. Por më pas, hasa në një problematikë tjetër, atë se lapsi nuk shkruante dot, pos kur pranë tij qëndronte një fletë. Për të më bindur edhe më tej, se i vetëm s'mund të bësh asgjë, ishin edhe shkronjat, të cilat s'ia dilnin mbanë pa u lidhur për të formuar fjalë e fjali. Pra, bashkimi bën fuqinë, fuqia sjell fitore, për ta arritur lumturinë, si një vizion të përhershëm të njeriut. Kjo duket si koiçidencë, mirëpo ja kështu është!


Pas gjithë kësaj, dikushi mund të pyes: "Pse, pra, atëherë e quani vetminë mbretëri të jetës suaj?"- Përgjigjem shumë thjesht: "Sepse, kurrë në jetën time nuk dua të jem mbret". U mundova, shumë u lodha, madje djersëve nuk po i del trupi ta përshkojnë të tërin, gjersa e gjeta se të gjithë shkrimtarët e të gjitha kohërave, ama që të gjithë pa përjashtim kishin shkruar për vetminë, por prapë për çudi e donin aq shumë shoqërimin me librin, sa s'mund ta përshkruaj, as vetë s'di ç'i thonë kësaj?! Mendimtari në vargjet e tija tha: "Njeriu mund të shpëtoj nga vetmia, vetëm nëpërmjet dashurisë", këtë na dëshmon edhe Krijuesi, I Cili nuk e quajti krijimin e tij të përsosur, derisa Ademit nuk ia shoqëroi Havanë. 


Pra, bashkimin e bëri pjesë të natyrshmërisë njerëzore, e më pas edhe gjenezë të çfarëdo civilizimi që vijon më tutje dhe e shoqëron njeriun. Bile, ne jemi produkt i bashkimit, si ta synojmë vetminë?! E si ta duam vetminë, kur Krijuesi e do për neve bashkimin dhe shoqërimin?! Në vetmi gjejnë prehje vetëm shpirtat e lodhur, kurse unë nuk jam lodhur, unë mundem, ende kam fuqi, më ka mbetur ende elan, vullnet e forcë për të qenë vazhdueshëm i bashkuar me të tjerët. Vetmia do të thotë të ikësh nga jeta, e ikja është pasojë e frikës, kurse atij që ka frikë s'i themi tjetër, pos frikacak.


Vetmi do të thotë të zgjedhesh me vetëdëshirë të humbasësh, për t'u harruar për jetë nga të tjerët. Vetminë nuk e bëjnë as krijaturat mbarë, e si mund ta bëj mbreti i këtyre krijaturave, më i zgjedhuri i tyre, që ka emrin njeri?! Ndërsa, nëse vetmi nuk do të thotë të jesh i vetëm, por do të thotë se nuk u përkas ju, nuk ju kuptoj, nuk më kuptoni në këtë që po e them, atëherë edhe unë e dua vetminë dhe them, ashtu siç shprehet një kolos dijeje, i cili thotë kësisoj: "Për shkak të të Vetmit, në të vetmen rrugë, bëhu i vetmi", kjo është maksima ime, ky është misioni im! Nëse vetminë e konsideron, si diç që të mbyll në një kasolle atje diku në majat e malit, prapë e ke gabim, ngase je i shoqëruar me cicërimën e zogjëve, simfoninë e ulërimave të ujqëve, e kështu me radhë... 


Kurse, nëse këtë e quani vetmi, që unë s'i them kësisoj, atëherë edhe unë nganjëherë dua të jem i shoqëruar me ta, larg zhurmës së ca hipokritëve, këtu "në jetë". Nëse deri më tani keni menduar se vetmia është mjet, që të shpie drejt qëllimit të të gjithë njerëzve pa dallim, pra lumturisë, e keni gabim. Ngase, nëse i vetmuar ndjehesh i lumtur, pra kur je larg tjetrit, atëherë kjo është fatkeqësi, vërtet fatkeqësi. Gëzoju lumturisë së tjetrit, duke u shoqëruar me të, do ta arrish iluzionin e vetmisë dhe lumturinë e vërtetë. 


(ILAZ Hajra - Lumi; Portali Shkollor)

8,418 Lexime
5 vjet më parë