Viti i ri 2021-2022

Viti i ri akademik nis nën kaos e tensione/ Studentët kundërshtojnë vaksinimin dhe testin e COVID

Viti i ri akademik 2021-2022 ka nisur me tensione në disa fakultete të vendit, pas kushtit të hyrjes me vaksinë COVID-i ose test negativ. Kaosi ka përfshirë thuajse shumicën e universiteteve publike, ndërkohë që shumë studentë kanë nisur protestën për të refuzuar vaksinën, ndërsa kanë kërkuar arsim falas.

Këtë të hënë universitetet në të gjithë vendin kanë hapur dyert për të nisur më në fund, pas një viti mungesë, mësimin në auditore. Por nisja nuk ka qenë aspak e zakontë. Në shumë prej fakulteteve ka pasur tensione, pas kushtit të hyrjes me vaksinë COVID-i ose test negativ.


Studentët e pavaksinuar janë përplasur me tre policët e vendosur në hyrje të godinës së Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë sot me nisjen e vitit të ri akademik. Ata që kanë pasur dokumentin e vaksinimit ose të tamponit negativ kanë hyrë të qetë, por ata që nuk i kanë plotësuar kushtet janë lënë jashtë duke hasur kundërshtime.


Ndërsa në hyrje të Fakultetit të Ekonomisë studentët janë kontrolluar nëse janë vaksinuar apo kanë kryer testin e COVID-it. Një roje ka kontrolluar çdo student në hyrje nëse është pajisur me dokumentin përkatës.


Universitetin Politeknik të Tiranës gjithashtu ka pasur kontrolle që në hyrje dhe të pavaksinuarit e studentët që nuk kanë pasur një dokument se kanë kryer test COVID janë lënë jashtë godinës.


Në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan shumica janë të pavaksinuar, disa me maska e disa jo, ndërsa askush nuk është  kujdesur për distancën fizike. Në Universitetin e Elbasanit llogaritet të jenë vaksinuar rreth 30% e studentëve.


Disa prej fakulteteve të tjera në vend kanë bërë përjashtim, duke lejuar të hyjnë edhe studentët që nuk plotësojnë kushtet.

Rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha tha një ditë më parë se rreth gjysma e studentëve të universitetit është vaksinuar.

Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme për ndërgjegjësimin e të rinjve që të vaksinohen, jo të gjithë janë të bindur për efektivitetin e saj, edhe pse e dinë rrezikun për humbjen e vitit akademik ata shpresojnë në ndryshimin e urdhrit të Ministrisë së Shëndetësisë që vaksina të mos jetë e detyrueshme për të zhvilluar mësim.


Mësohet se pikat e vaksinimit do të qëndrojnë hapur edhe në javën e parë të nisjes së vitit akademik, të paktën kështu është lajmëruar nga instancat përgjgjegjëse. 



Studentët në protestë: Refuzojmë vaksinën dhe kërkojmë arsim publik falas

Studentët e kanë nisur vitin e ri akademik me protesta, ndërsa kërkesa kryesorë është të hiqen vaksinimi si kusht për të hyrë në auditorë. Pjesa më e madhe e studentëve që kanë regjistruar në universitetet e vendit për vitin e ri akademik, 2021-2022 nuk janë vaksinuar, pavarësisht apelit të vazhdueshëm dhe vaksinodromëve që janë vendosur në çdo fakultet. Studentët kanë theksuar sërish problemet, që ka arsimi i lartë në vend. Ata kërkojnë shfuqizimin e ligjit për arsimin e lartë, që sipas tyre lejon financimin e universiteteve private me fonde publike dhe shpërfill të drejtat studentore. “Burokracia shqiptare dhe disa pedagoge abuzues vazhdojnë të nëpërkëmbin dinjitetin e studentëve”, shkruhet në një shkresë, ku ata i bëjnë thirrje njëri-tjetrit për bashkim.

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,710 Lexime
2 vjet më parë