Urdhër

Viti i ri shkollor nis më 13 shtator. Reduktohen ditët e pushimeve

Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë nëpërmjet Urdhrit nr. 327, datë 23.06.2016, kanë përcaktuar strukturën e vitit të ri shkollor për sistemin shkollor parauniversitar në mbarë vendin.

Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë nëpërmjet Urdhrit nr. 327, datë 23.06.2016, kanë përcaktuar strukturën e vitit të ri shkollor për gjithë sistemin shkollor parauniversitar në mbarë vendin. 13 shtatori është dita e parë e shkollës për shkollat 9-vjeçare, për shkollat e mesme dhe shkollat profesionale.

Për arsimin bazë, viti shkollor nis më 13 shtator 2016 dhe mbaron më 9 qershor 2017. Pushimet e fundvitit për nxënësit e arsimit bazë fillojnë më 24 dhjetor 2016 dhe mbarojnë në 3 janar 2017. Në strukturën e vitit të ri shkollor për arsimin bazë MAS-i ka reduktuar ditët e pushimeve. Kështu, nëse vitet e mëparshme nxënësit në muajin prill kanë pasur 5 ditë pushimi, vitin e ri shkollor periudha e dytë e pushimeve nis më 31 mars 2017 dhe mbaron në 2 prill 2017. Provimet e lirimit do të zhvillohen në periudhën 10-30 qershor 2017.

Shkollat e mesme fillojnë mësimin më 13 shtator, por viti shkollor për ta përfundon më 16 qershor 2017. Maturantët e nisin vitin shkollor në 13 shtator dhe e përfundojnë në 31 maj 2017, pasi nisin provimet. Edhe për gjimnazet, pushimet e dimrit fillojnë në 24 dhjetor dhe mbarojnë më 3 janar 2017. Maturantët do t’i zhvillojnë pesë provimet e maturës gjatë muajit qershor.

13 shtatori do të jetë dita e parë e shkollës edhe për nxënësit që ndjekin arsimin profesional. Më 16 qershor 2017 përfundon viti shkollor për nxënësit e klasave të 10-ta, për të gjitha strukturat, për nxënësit e klasave të 12-ta për strukturat 2+2, dhe për nxënësit e klasave të 11-ta dhe të 12-ta për strukturën bllok 4-vjeçare.

Data 2 qershor 2017 është dita e fundit e shkollës për nxënësit e arsimit profesional të klasave të 11-ta dhe të 12-ta për strukturat 2+1+1, dhe për nxënësit e klasave të 11-ta struktura 2+2. Për nxënësit maturantë të të gjitha strukturave dita e fundit e shkollës për shkollat profesionale është data 23 maj 2017.

Për stafet pedagogjike dhe nxënësit e shkollave profesionale datat e pushimeve të dimrit nuk ndryshojnë nga pjesa tjetër, pasi nisin në 24 dhjetor dhe mbarojnë në 2 janar 2017. Provimet përfundimtare për nivelet I dhe II zhvillohen në periudhën 5-16 qershor 2017, ndërsa për nivelin III provimet përfundimtare zhvillohen në periudhën 24-30 maj 2017. 

4,430 Lexime
7 vjet më parë