Vlerësimi i brendshëm i shkollës

Procesi i vlerësimit të brendshëm dhe ai i vlerësimit të jashtëm të shkollës kërkon përdorimin e një metodologjie shkencore, të qartë, të besueshme dhe bashkëkohore, e cila siguron të dhëna reale.

Procesi i vlerësimit të brendshëm dhe ai i vlerësimit të jashtëm të shkollës kërkon përdorimin e një metodologjie shkencore, të qartë, të besueshme dhe bashkëkohore, e cila siguron të dhëna reale dhe mundësi për të pasqyruar pikat e forta, pikat e dobëta, mundësitë që shkolla ka për të ofruar një shërbim arsimor cilësor, dhe në mënyrë të veçantë, nevojat për përmirësimin e saj në të ardhmen.


Nga ana tjetër, përdorimi i së njëjtës metodologji dhe i të njëjtëve tregues, si nga ekipet e vlerësimit të brendshëm të shkollës, edhe nga ekipet e vlerësimit të shkollës nga jashtë, (nga Inspektorati Kombëtar i Arsimit Parauniversitar) është një mënyrë që përafron këto dy vlerësime që synojnë përmirësimin e punës së shkollës, por edhe përcaktimin e nivelit të cilësisë dhe të meritave të saj. I rëndësishëm është qëllimi i IKAP-it, për të zhvilluar në shkollë hap pas hapi, kulturën e vlerësimit të brendshëm (vetëvlerësim). Kjo është një rrugë profesionale dhe sfiduese që kërkon njohje dhe zotërim të standardeve profesionale dhe etike të vlerësimit, angazhim dhe përgjegjësi të të gjithë personave të përfshirë në vlerësim, të ekipeve të vlerësimit, të autoriteteve dhe organizmave drejtues të shkollës.


Po cilat janë elementet e metodologjisë së vlerësimit të brendshëm dhe të vlerësimit të jashtëm të shkollës?


Fusha nënkupton një drejtim apo dimension themelor të veprimtarisë së shkollës. Fusha lidhet drejtpërdrejt me gjithë veprimtarinë e shkollës. Përcaktimi i fushave të veprimtarisë bazohet në aktet ligjore dhe nënligjore të arsimit, qëllimet e arsimit, dokumentet kurrikulare. Janë përcaktuar këto fusha kryesore të vlerësimit:

  • Kurrikula e zbatuar,
  • Mësimdhënia dhe të nxënët,
  • Klima dhe etika,
  • Kujdesi ndaj nxënësve,
  • Menaxhimi i shkollës,
  • Zhvillimi i burimeve njerëzore,
  • Vlerësimi i nxënësve dhe arritjet.

Nënfusha është një nëndarje, detajim dhe element i domosdoshëm që tregon dhe plotëson më së miri përmbajtjen e një fushe të caktuar, për të cilën punon shkolla. Konkretisht, nëse një nga fushat e shkollës është "Kurrikula e zbatuar" detajimet apo nëndarjet për të janë: "Kurrikula bërthamë", "Kurrikula me zgjedhje", "Plani vjetor", "Veprimtaritë ndërkurrikulare" etj., etj., detajime që synojnë të identifikojnë se çfarë ndodh me kurrikulën e zbatuar në shkollë, dhe nga ana tjetër, plotësojnë të gjitha elementet që ka kjo fushë. Këto nëndarje apo detajime konsiderohen si një mundësi për të identifikuar, për të vëzhguar dhe për të vlerësuar në imtësi atë që ndodh në shkollë. Pra, detajimet kryejnë dy funksione:

a) zbërthejnë fushën në elemente organike dhe të domosdoshme për të,

b) mundësojnë një njohje dhe vlerësim real të situatës në shkollë.


Treguesi është një fjali e matshme, pohuese që tregon si është dhe si duhet të jetë niveli i fushave. Nëpërmjet treguesve arrijmë të vlerësojmë sesi është shkolla e vetëvlerësuar dhe e inspektuar. Treguesi:

  • hartohet për secilën nënfushë dhe mund të jenë një apo disa;
  • është gjithnjë i matshëm, që do të thotë se lehtëson procesin e vlerësimit të brendshëm dhe të inspektimit të tij;
  • paraqet pohime që cilësojnë fushën që do të vlerësohet.


Nr. Fusha Nënfusha Treguesit (shembuj)
I. Kurrikula e zbatuar Plani vjetor - Plani vjetor lëndor hartohet në përputhje me dokumentet kurrikulare dhe sipas veçorive të nxënësve.
II. Mësimdhënia dhe të nxënët Objektivat e të nxënit - Plani mësimor i zhvilluar mundëson arritjen e objektivave të të nxënit
III. Klima dhe etika Mjedisi fizik - Shkolla ka mjedise fizike të përshtatshme për zhvillimin e procesit mësimor.
IV. Kujdesi ndaj nxënësit Kujdesi për këshillimin e karrierës së nxënësit - Shkolla zbaton programe për këshillimin e karrierës së nxënësve.
V. Menaxhimi i shkollës Plani vjetor i shkollës - Shkolla zbaton planin e saj vjetor.
VI. Zhvillimi i burimeve njerëzore Trajnimi dhe kualifikimi i stafit - Shkolla realizon identifikimin e nevojave të stafit për trajnim.
VII. Vlerësimi dhe arritjet e nxënësve Produktet që vlerësohen - Mësuesi vlerëson dosjen e nxënësit.


Instrument i vëzhgimit është një fjali që përcakton se si zbatohet, si zhvillohet apo në ç’gjendje paraqitet treguesi i synuar. Nëpërmjet instrumenteve/përshkruesve mblidhen informacione dhe të dhëna për plotësimin e treguesve nga shkolla.


Shkallë vlerësimi janë nivelet që përdoren për të vlerësuar shkollën përmes fushave të saj.


Nivelet e vlerësimit janë katër: shumë mirë që i takon numrit 1, mirë që i takon numrit 2, mjaftueshëm që i takon numrit 3 dhe dobët që i takon numrit 4. Skema me katër shkallë vlerësimi është mjaft e përdorur në vlerësimet që u bëhen shkollave në vendet evropiane. Po ashtu, ky sistem me katër shkallë mundëson një vlerësim real dhe përfshin të gjitha nivelet që mund të arrijë shkolla sipas treguesve.


Standardi i vlerësimit është përshkrimi i gjendjes së shkollës për secilën fushë, i cili mundëson një vlerësim sipas niveleve të përmendura më lart. Ky vlerësim është rezultat i përpunimit të të dhënave nga instrumentet e vëzhgimit dhe të vlerësimit që i bëhet secilit tregues, por dhe i të dhënave të siguruara nga metodologjia e zbatuar gjatë vlerësimit të brendshëm apo inspektimit në përgjithësi. 


Vlerësimi përfundimtar për fushën bazohet gjithnjë në peshën dhe rëndësinë që ka zbatimi i secilit tregues në gjendjen e shkollës. 


(Portali Shkollor)

25,584 Lexime
6 vjet më parë