Xhoina Salaj: Pse duhet lexuar John Banville, mjeshtri i melankolisë dhe i prozës së përsosur
Vera është koha ideale për të humbur veten në një libër të madh. John Banville ju fton në një botë ku gjuha bëhet art: “Deti”, “Kitara Blu” dhe “Znj. Osmond”, tri kryevepra të sjella në shqip nga Albas-i. Zbuloni një autor që magjeps me kujtesën, emocionin dhe bukurinë e rrëfimit.
Nga Xhoina Salaj
Kush është John Banville?
John Banville, lindur më 8 dhjetor 1945, është shkrimtar irlandez, fitues i çmimit prestigjioz Booker Prize dhe shpesh i lakmuar për çmimin Nobel. I njohur për mprehtësinë e tij intelektuale, njihet gjithashtu edhe me pseudonimin Benjamin Black, nën penën e të cilit shkruan romane policore. Megjithatë, nën emrin e tij të vërtetë, Banville është elitar i gjuhës dhe vëzhgues i hollë i shpirtit njerëzor.
Nëse ka diçka që e dallon Banville-in nga bashkëkohësit e tij, ajo është stili. Ai nuk nxiton të tregojë një ngjarje apo të stolisë një histori të padëgjuar më parë, por duket sikur pikturon një rrëfim krejt të zakonshëm dhe pastaj e vendos brenda një galerie arti. Është maniak i detajeve, sa përshkrimet e dritës, të kujtimeve apo të peizazheve janë pothuajse fizike. Tematikat e ngjarjeve të tij vërtiten rreth kujtesës, humbjes, iluzionit, artit dhe lloj-lloj mënyrave se si e shkuara ndryshon formë brenda mendjes sonë. Gjuha që ai përdor është e pasur, nganjëherë e ndërlikuar, por gjithmonë me një ritëm muzikor që kërkon lexim të ngadaltë dhe të vëmendshëm.
Tri sugjerime për të zbuluar universin magjepsës banvillian:
1. “Deti”, kryevepra e kujtesës dhe humbjes
Ky është romani që i dha atij çmimin Booker Prize në vitin 2005 dhe konsiderohet si një nga librat e tij më zëdhënës. Maks Mordën, një historian arti që sapo ka humbur bashkëshorten nga një sëmundje e rëndë, kthehet në qytezën bregdetare ku ka kaluar pushimet e fëmijërisë. Aty ai përballet me një tragjedi të hershme që i ka shënjuar jetën. E tashmja e dhimbshme e bën Maksin të kërkojë një strehë të pagjasë te kujtimi i një çasti shumë specifik të fëmijërisë: vera e inicimit të tij në jetë dhe në ëndjet e saj, e zbulimit të miqësisë dhe dashurisë, por edhe, fundja, e dhimbjes dhe e vdekjes. Teksa kujtimet shpalosen, pak e nga pak nis të zbulohet ngjarja tragjike që ngjau atë verë, “ditën e baticës së çuditshme”.
Pse duhet lexuar?
Është një meditim i jashtëzakonshëm për vajtimin, pleqërinë dhe mënyrën se si kujtimet shpesh na gënjejnë për të na mbrojtur nga dhimbja.
Sjellë në shqip nga Azem Qazimi.
2. “Kitara Blu”, kryevepra e artit, tradhtisë dhe egos shpirtërore
Një eksplorim më intim dhe shpesh ironik për natyrën e artistit dhe dështimit. Oliver Ormiti është një piktor i vlerësuar, i cili papritmas e gjen veten pa pikë frymëzimi për të pikturuar. Në vend të kësaj, ka zhvilluar një ves: vjedh objekte pa vlerë, thjesht për kënaqësinë e zotërimit të tyre. Gjërat ndërlikohen kur ai “vjedh” edhe bashkëshorten e mikut të tij më të mirë. Nga frika e pasojave të veprimeve të tij, Oliveri braktis jo vetëm gruan, Gloriën, por edhe të dashurën, mikun dhe shtëpinë ku po banon. Ai arratiset në shtëpinë e braktisur të fëmijërisë dhe nis të kërkojë, si dhe ta shkruajë, përgjigjen se si dhe pse gjërat ndodhën ashtu si ndodhën.
Pse duhet lexuar?
Romani është plot reflektime për estetikën dhe kuptimin e të parit botën përmes optikës së një artisti, ku në peshore qëndron gjithmonë ndjenja e fajit dhe e xhelozisë.
Sjellë në shqip nga Ilir Baçi.
3. “Znj. Osmond”, një homazh guximtar për letërsinë klasike
Një projekt tejet ambicioz ku Banville guxon të vazhdojë aty ku e la mjeshtri Henry James, pasi është vazhdim i kryeveprës së tij, “Portreti i një zonje”. Banville merr personazhin e famshëm, Izabel Osmondin, e cila pasi zbulon se bashkëshorti i saj, Gilbert Osmond, është martuar me të për pasurinë e saj, kërkon lirinë dhe hakmarrjen e saj në Europën e fundshekullit XIX. Përpara alternativave të ndryshme për të ardhmen, Znj. Osmond mendon ta përdorë pasurinë “për të blerë lirinë e vet”.
Pse duhet lexuar?
Banville arrin të përvetësojë zërin e Henry James me një saktësi kirurgjikale, por duke i dhënë Izabelës një forcë dhe modernitet që ndoshta i mungonte në versionin origjinal. Një dhuratë e vërtetë për adhuruesit e letërsisë klasike.
Sjellë në shqip nga Granit Zela.
Pavarësisht nga zgjedhja që bëni, qoftë melankolia e librit “Deti”, thyerja e rregullave të “Kitara Blu” apo eleganca aristokratike e kryeveprës “Znj. Osmond”, po hyni në një botë ku gjuha dhe stili shërbejnë si mjete të veçanta për të qëmtuar një vepër arti të pashoqe.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Adresat dhe kontaktet se ku mund t’i gjeni tekstet shkollore Albas në të gjithë Kosovën
ALBAS: Librat në ofertë që mund të lexojnë nxënësit ose fëmijët gjatë pushimeve të fundvitit
Xhoina Salaj: Kur tabletit i mbaron bateria, ç’ndodh pastaj me aventurat?